Vjenë, 30 nëntor 2017 – Do të duhen rreth gjashtë dekada që nivelet e të ardhurave në Ballkanin Perëndimor të arrijnë ato të Bashkimit Europian (BE), thotë një raport i ri i Bankës Botërore, nëse ekonomitë në rajon do të vijojnë të rriten me tempin mesatar të rritjes së ndodhur gjatë periudhës 1995-2015.
Rapori Ballkani Perëndimor: Përshpejtimi i Motorrëve të Rritjes dhe Mirëqenies, i publikuar sot në Vjenë, tregon se si gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia, mund ta përshpejtojnë rritjen ekonomike dhe të arrijnë konvergjencë më të shpejtë të të ardhurave me BE-në.
“Gjatë viteve të fundit, vendet Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparime në reformimin e financave publike dhe në ripërtëritjen e rritjes ekonomike, por qytetarët nuk mund të ndjejnë ende përfitimet e këtij progresi ", tha Linda Van Gelder, Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. "Fokusimi në reformat strukturore mund të përshpejtojë rritjen ekonomike dhe të rrisë mirëqenien duke mundësuar që nivelet e të ardhurave të arrijnë ato të Bashkimit Europian".
Raporti vëren se reformat dhe stabiliteti makroekonomik që mundësojnë norma mesatare rritjeje prej 5 përqind në vit do të lejonin që Ballkani Perëndimor të konvergojë me BE-në në vetëm dy dekada kohë, në vend të gjashtë.
Ndërsa rritja mesatare në rajon prej 5-6 përqind në vit para 2008 ishte më e shpejtë se ajo e BE-së dhe vende të tjera të botës, ajo u përgjysmua pas krizës financiare botërore - duke ndadalësuar prirjen e konvergjencës së parakrizës të vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet e jetesës së BE-së. Ky ngadalësim i prirjes nxjerr në pah nevojën për një model të ri rritjeje, bazuar në produktivitet dhe investime më të larta, më shumë eksporte dhe një rol më të madh të sektorit privat.
“Rritja që përjetuam në rajon gjatë viteve përpara krizës financiare globale është dëshmi e potencialit të përgjithshëm ekonomik të Ballkanit Perëndimor ", thotë Harald Waiglein, Drejtori i Përgjithshëm për Politikat ekonomike, Tregjet financiare dhe Taksat doganore, në Ministrinë e Financave të Austrisë, në fjalën e hapjes në aktivitetin për prezantimin e raportit. "Kryesorja, tani, është të përcaktojmë prioritetet e politikave që mund të nxisin investimet e sektorit privat, të ndihmojnë thellimin e integrimit rajonal dhe të krijojnë vende pune.”
Rritja e eksporteve, investimeve dhe punësimit janë të gjitha fusha prioritare për politikëbërësit, sipas raportit. Integrimi më i fortë rajonal mund të ndihmojë rritjen e eksporteve si pjesë e PBB-së, e cila duhet të dyfishohet në mënyrë që të përputhen me ato të ekonomive të tjera të vogla në tranzicion që janë tani në BE. Ndërkohë, do të duhet që investimet private të rriten edhe më në vendet ku sektori publik është ende motorri kryesor i ekonomisë. Nivelet e ulëta dhe të ngadalta të produktivitetit në Ballkanin Perëndimor kërkojnë përmirësime në klimën e biznesit për të mundësuar tërheqjen e investimeve private dhe nxitjen e sipërmarrjes.
Niveli i papunësisë në rajon është pothuajse dy herë më i lartë se në ekonomitë e tjera të vogla të tranzicionit që tani janë në BE. Në një rajon, ku gjysma e popullsisë është në moshë pune dhe një e katërta e saj nuk gjen punë, nevoja për të rritur pjesëmarrjen në tregun e punës në rajon mbetet çelësi. Kjo kërkon që të trajtohen pengesat për punësim, përfshirë këtu heqjen e barrierave të punësimit me të cilat hasen punëtorët e moshuar, të rinjtë, gratë dhe minoritetet.
Kontakte:
Në Uashington: Kym Smithies ksmithies@worldbank.org
Në Shqipëri: Ana Gjokutaj: agjokutaj@worldbank.org
Në Bosnje dhe Hercegovinë: Jasmina Hadzic, jhadzic@worldbank.org
Në Kosovë: Lundrim Aliu, laliu1@worldbank.org
Në IRJ të Maqedonisë: Anita Bozinovska, abozNëovska@worldbank.org
Në Mol të Zi: Jasmina Hadzic, jhadzic@worldbank.org
Në Serbi: Vesna Kostic, vkostic@worldbank.org