Skip to Main Navigation
OPINION25 prill 2024

Intervistë me Menaxherin e Zyrës së Bankës Botërore, Emanuel Salinas mbi Reformën e Pensioneve në Shqipëri

Kjo intervistë u botua fillimisht në version print të Revistës Monitor në 22 prill 2024.

Monitor: Ministria e Financave ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Bankën Botërore po punojnë për rishikimin e ligjeve që rregullojnë skemën publike të pensioneve. Në çfarë faze është ky proces?

Emanuel Salinas (ES): Banka Botërore po punon ngushtësisht me Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe ministritë e linjës për te vleresuar politikat dhe rekomandimet qe po diskutohen nga qeveria shqiptare ne lidhje me sistemin e pensioneve. Vlera e shtuar që ne sjellim në diskutim është përdorimi i modelit tonë statistikor ,i cili mundëson projeksione financiare afatgjata të skemës së pensioneve. Gjithashtu ne sjellim përvojën ndërkombëtare mbi pensionet, pasi kemi punuar me vende tëtjera në botë që përballen ose janë përballur me sfida të ngjashme. Projeksionet afatgjata nga Banka po kryhen në bashkëpunim të ngushtë me ISSH, në mënyrë që të bëhet e mundur që të arrijmë në një përqasje të përbashkët teknike të sfidave aktuale dhe këndvështrimin afatgjatë të sistemit për sa i përket mbulimit, përshtatshmërisë, raporti të drejtë midis grupeve dhe qëndrueshmërisë. Në fund të vitit 2024 do të publikohet edhe raporti ynë i Rishikimit të Financave Publike, i cili do të ketë ndër të tjera edhe rekomandime për reformën e pensioneve. Kjo do të arrihet pas raundeve të shumta të të konsultimeve me Qeverinë.

Monitor: Cilat janë sugjerimet e Bankës Botërore se ku të ndërhyhet?

Emanuel Salinas (ES): Analiza jonë sugjeron se fushat që duhen përmirësuar, në mënyrë që të sigurojnë qëndrueshmërinë financiare dhe sociale afatgjatë të sistemit janë raporti i ulët i mbulimit nga forca aktuale e punës, prevalenca e individëve që kontribuojnë në nivelin e pagës minimale dhe drejtësia e sistemit të përgjithshëm te pensioneve. Politika e pensioneve duhet të gjejë një barazpeshë ndërmjet sigurimit të pensioneve të përshtatshme, por që të jenë të përballueshme në mënyrë që individët të kenë një nxitje për të kontribuar. Arritja e këtij ekuilibri bëhet më e vështirë kur kemi të bëjmë me plakjen e popullsisë, emigracionin, prevalencën e vetëpunësimit/punësimit informal dhe ndërgjegjësimin e kufizuar se si llogariten pensionet. Rekomandimet tona përfshijnë opsione politikash që synojnë të ndihmojnë në arritjen dhe përmirësimin e këtij ekuilibri. Ne sugjerojmë gjithashtu përdorimin e një kombinimi të instrumenteve të mbrojtjes sociale për të përmbushur nevojat e mbrojtjes nga varfëria, sigurimeve afatgjata dhe kursimeve. Nëse përdoret vetëm skema e pensioneve kontributive për të përmbushur këto nevoja të ndryshme, rrezikohet shtrembërimi i sistemit, rritja e kostove dhe mund të jetë më pak efikas.

Monitor: Cili është qëllimi i ndryshimeve të propozuara?

Emanuel Salinas (ES): Deficitet e pensioneve të skemës së detyrueshme, d.m.th., duke përjashtuar përfitimet suplementare, janë ulur vitet e fundit. Ky deficit mund të vazhdojë të përmirësohet në afat të shkurtër për shkak të rritjes së pagave që, nga ana tjetër, rrisin të ardhurat nga kontributet. Megjithatë, plakja dhe një rënie e vazhdueshme e mbulimit permes kontributeve mund të ushtrojnë presion, edhe në një sistem të qëndrueshëm, në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Prandaj, ne po shqyrtojmë katër kritere, që do të na mundësojnë të vlerësojmë ndryshimet e propozuara:

1. Nëse ndryshimet i nxisin individët të kontribuojnë ose të kontribuojnë rregullisht.

2. Ndikimi në buxhetin e shtetit për financimin e ndryshimeve, p.sh., një normë më të lartë të pensioneve që konsiderohen të përshtashme/mjaftueshme për të jetuar (higher pension adequacy).

3. Nëse reforma përmirëson drejtësinë midis brezave të sotshme dhe të ardhshme

4. Sa i realizueshëm është zbatimi i ndryshimeve?

Miratimi i këtyre kritereve  na mundëson t'i paraqesim Qeverisë opsione që balancojnë mbulimin, përshtatshmërinë, drejtësinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit dhe si mund të zbatohen në një kornizë kohore reale.

Monitor: A kanë ndryshuar projeksionet demografike që nga reforma e fundit e pensioneve të vitit 2014 dhe çfarë duhet të ndryshojë në raport me skemën aktuale?

Emanuel Salinas (ES): OKB-ja prodhon projeksione demografike afatgjata dhe tendenca globale, e vlefshme edhe për Shqipërinë, është se njerëzit jetojnë më gjatë dhe kanë më pak fëmijë. Në vitin 2022, për shembull, 19% e popullsisë së Shqipërisë ishte mbi moshën e pensionit. Kjo përqindje pritet të arrijë në 24% deri në vitin 2035 dhe 33% deri në vitin 2070, edhe pas llogaritjes së rritjes së moshës së pensionit të ligjësuar sipas reformave të pensioneve 2014. OKB-ja përditëson parashikimet e saj çdo tre vjet, kështu që këto shifra mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. Në dritën e këtyre ndryshimeve, ekzistojnë tre fusha ku Shqipëria duhet të fokusohet – mbështetja e karrierave më të gjata në mënyrë që individët të mund të kontribuojnë në sistemin e pensioneve më gjatë, investimi në shëndetësi të përballueshme dhe kujdes afatgjatë për të moshuarit dhe sigurimi i të ardhurave për të rriturit nëpërmjet skemave të mbrojtjes nga varfëria për të gjithë. Këto duhet të arrihen duke ruajtur drejtësinë në skemën kontributive duke mbajtur një lidhje të fortë midis përfitimeve dhe kontributeve.

Monitor: Sipas mendimit tuaj, këto ndryshime duhet të përfshijnë formula për llogaritjen e indeksit, etj?

Emanuel Salinas (ES): Indeksimi i pensioneve shpesh lidhet me inflacionin ose rritjen e pagave në mbarë ekonominë ose një hibrid të të dyjave, më bujarja është indeksimi i pensioneve me rritjen mesatare të pagës në ekonomi. Por një indeksim bujar i pensioneve do të rrisë shpenzimet brenda natës, pasi ai do të zbatohej njëherësh tek të gjithë pensionistët. Prandaj, çdo rritje duhet të konsiderohet në dritën e përballueshmërisë fiskale dhe efikasitetit të përdorimit të të ardhurave tatimore. Gjëja e dytë që duhet theksuar është se indeksimi ndikon vetëm në vlerën e pensioneve gjatë daljes në pension, por nuk adreson sfidën e përfitimeve të pensioneve të ulëta, sepse njerëzit kontribuojnë për më pak vite dhe me paga më të ulëta.

Sipas të dhënave të vitit 2022, afër 36% e atyre që kontribuan në sistem e kanë bërë këtë me pagën minimale prej 32,000 lekë. Supozoni se një numër i konsiderueshëm individësh (që përfshin të vetëpunësuarit dhe punëtorët rural) vazhdojnë të paguajnë kontribute në një bazë të ulët. Në atë rast, përfitimet e tyre do të jenë gjithashtu të ulëta, duke pasur parasysh se si llogariten përfitimet pensionale. Pra, me pak fjalë, ndryshimi i indeksimit është një zgjidhje afatshkurtër, por nuk adreson sfidat strukturore. Ekzistojnë gjithashtu disa rreziqe për të bërë ndryshime të indeksimit në mënyrë ad-hoc ose vetëm për disa grupe të popullsisë pasi, me kalimin e kohës, mund të çojë në një ndrydhje të profilit të pensionit, të zvogëlojë parashikueshmërinë e përfitimeve dhe të krijojë një nxitje të paqëllimshme që më shumë individë të kontribuojnë në nivelin e pagës minimale nëse parashikohet t'u jepen rritje më të larta pensionesh.

Monitor: Si mund të mbrohen më mirë pensionistët nga ulja e përfitimeve, pasi në vitin 2023 afërsisht 55% e pensioneve ishin të pjesshme dhe vit pas viti kriteret për pension të plotë po bëhen të paarritshme nga personat që dalin në pension?

Emanuel Salinas (ES): Pamundësia e individëve për të marrë pensione të plota është në qendër të çështjes së përshtatshmërisë që po shfaqet në sistem. Është e rëndësishme të kuptojmë arsyet se pse kjo po ndodh në kontekstin shqiptar. Përvoja jonë globale sugjeron se mund të ketë dy arsye për këtë: (i) sfidat e tregut të punës ku të rriturit e moshuar nuk janë në gjendje të punojnë më gjatë në punët e sektorit formal, ose (ii) individët që nuk kontribuojnë për periudha më të gjata sepse nuk e shohin përfitimin duke e bërë këtë ose për shkak të mungesës së vetëdijes se si vitet më të larta të kontributit çojnë në përfitime më të larta. Grupe të caktuara punëtorësh si gratë dhe migrantët gjithashtu priren të kenë boshllëqe në historinë e tyre të kontributit për shkak të kohës që kanë shpenzuar për t'u kujdesur për fëmijët/të moshuarit ose për shkak të periudhës që mund të kenë ndenjur pa punë. Kjo do të sugjeronte nevojën për: (i) përmirësimin e edukimit pensional; (ii) të sigurojë që dizajni i sistemit shpërblen çdo kontribut të dhënë nga individi; (iii) fokusimi në përmirësimin dhe rikualifikimin e punëtorëve të moshuar, përmirësimi i përputhjes së vendeve të punës dhe reduktimi i paragjykimeve të punëdhënësve për punësimin e punëtorëve më të vjetër.

Monitor: Sipas jush a duhet të forcohet mbrojtja sociale për pensionistët për të shmangur varfërinë e këtij grupi të popullsisë?

Emanuel Salinas (ES): Instituti i Statistikave të Shqipërisë INSTAT publikon çdo vit të dhëna për normat e varfërisë sipas moshës. Të dhënat e vitit 2022 sugjerojnë se të moshuarit (65+) kishin më pak se gjysmën e shkallës së varfërisë (13,9%) të fëmijëve (mosha 0-17 vjeç) në Shqipëri (27,4%). Mesataret maskojnë diferencat rreth numrave, që mund të ndryshojnë bazuar, për shembull, në vendin ku banojnë të moshuarit (qytet/rural) dhe nëse ata jetojnë vetëm ose si bashkëbanorë në një familje më të madhe. Por ajo që të dhënat e vitit 2019 na tregojnë në mënyrë ekuivoke është se shkalla e varfërisë për të rriturit në Shqipëri është më e ulët se ajo e fëmijëve dhe e individëve në moshë pune. Prandaj, përdorimi i të ardhurave tatimore për të siguruar pensione shtesë duhet të shikohet në kontekstin e efikasitetit të përgjithshëm të shpenzimeve. Ne besojmë se forcimi i mbrojtjes sociale duke përdorur një kombinim të programeve të ndihmës sociale, sigurimit dhe tregut të punës është thelbësor për të mbrojtur shqiptarët në të gjitha moshat dhe për të siguruar që dinjiteti dhe mirëqenia e të moshuarve aktualë dhe të ardhshëm të mbetet e garantuar.

Blogje

    loader image

ÇFARË ËSHTË E RE

    loader image