Q. Sa e ekspozuar është Shqipëria ndaj katastrofave natyrore?
ES. Faleminderit për këtë intervistë. Siç e dimë të gjithë, Shqipëria është e ekspozuar shumë ndaj rreziqeve natyrore, duke përfshirë tërmetet, përmbytjet, thatësirat, zjarret, rrëshqitjet e dheut etj. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se ndryshimet klimatike do të rrisin shpeshtësinë dhe ndikimin e shumë prej këtyre rreziqeve. Ne vlerësojmë se Shqipëria është një nga vendet më të ekspozuara në Evropë ndaj ndryshimeve klimatike. Dëmet që shkaktohen prej tyre kanë kosto të larta. Për shembull, ekipi ynë vlerëson se në Tiranë rreth 10% e popullsisë jeton në ndërtesa që do të kishin rrezik të lartë në rast tërmetesh.
Q: Ndërkohë është përgatitur një plan për menaxhimin e rreziqeve në Shqipëri nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Si po kryhet menaxhimi i rreziqeve dhe a po zbatohet ky plan nga bashkitë?
E.S. Qeveria e Shqipërisë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të rritur gatishmërinë. Kjo përfshin miratimin e një Ligji për Mbrojtjen Civile, një Strategji për Reduktimin e Rrezikut ndaj Fatkeqësive Natyrore (miratuar së fundi) dhe një ligj i ri për sigurimin nga tërmeti për pronarët e shtëpive është në diskutim. Të gjithë këta janë hapa të rëndësishëm dhe ne po i mbështesim aktivisht, por duhet të ecim me shpejtësi drejt zbatimit të këtyre ligjeve dhe strategjive.
Një rol shumë të rëndësishëm në këtë proces kanë edhe bashkitë. Pushteti qendror përcakton drejtimet e përgjithshme, por bashkite kanë rol për t’i zbatuar ato. Dhe kjo kërkon kapacitete teknike, burime financiare dhe koordinim ndërmjet bashkive dhe pushtetit qendror. Të gjitha këto drejtime dhe hapa janë identifikuar, por tani duhet të kalojmë nga strategjia në veprim dhe ne si Bankë Botërore do të ishim të lumtur ta mbështesim zbatimin e tyre.
Q:. Ku duhet të fokusohen autoritetet shqiptare për të përballuar këto rreziqe:
E.S. Ekzistojnë lloje të ndryshme të rreziqeve dhe ato kërkojnë veprime të ndryshme:
Së pari, janë rreziqet e përsëritura: këto janë ngjarje që ndodhin pothuajse çdo vit dhe nuk duhet të na befasojnë. Këto përfshijnë përmbytjet, thatësirat, zjarret, rrëshqitjet e dheut. Për këtë ne duhet të investojmë në infrastrukturë që të zbusim këto rreziqe. Për shembull, ndërtimi i digave në zonat me rrezik të lartë përmbytjeje, përmirësimi i digave të ujitjes, investime në rrugë dhe ura që janë në rrezik shembjeje në rast përmbytjesh të mëdha.
Së dyti, ka rreziqe që nuk ndodhin shpesh, por kur ndodhin, mund të sjellin pasoja të mëdha. Tërmetet janë një shembull i mirë për këtë. Ne nuk mund të parashikojmë se kur do të ndodhin tërmetet, por ne mund të rrisim gatishmërinë dhe të zbusim ndikimin e tyre. Për këtë ne a) mund të verifikojmë në mënyrë proaktive integritetin strukturor të ndërtesave ekzistuese në zonat e rrezikut dhe të përmirësojmë, rinovojmë ato ndërtesa që janë të rrezikuara përpara se të ndodhë ndonjë gjë; b) të sigurohemi që ndërtesat e reja që po ndërtohen të bëhen sipas standardeve rigoroze dhe me materiale cilësore; dhe c) të zhvillohen shpejt mekanizma të sigurimeve që mbrojnë popullsinë shqiptare nga humbjet financiare dhe materiale në rast se këto ngjarje ndodhin. Për shembull, tani po diskutohet për një sigurim të ri të detyrueshëm të banesave ndaj tërmeteve që synohet të zbatohet në Shqipëri.
Përveç kësaj ne duhet të ngremë sisteme që të kenë reagim të shpejtë për të gjitha aspektet që janë identifikuar në strategji. Për këto dy lloje rreziqesh, ne gjithashtu duhet të rrisim gatishmërinë dhe reagimin ndaj emergjencave, duke përfshirë monitorimin, parashikimin, paralajmërimin, kërkimin dhe shpëtimin, shërbimet e zjarrit dhe përmirësimin e pajisjeve të reagimit. Një rol të madh në këtë kanë edhe bashkitë.
Por për fat të keq sic u pa dhe dy vitet e fundit ka edhe rreziqe të tjera ndaj të cilave Shqipëria është e ekspozuar dhe që mund të mos i dime, si p.sh. pandemia e COVID-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës. Të dyja këto janë goditje erdhën nga jashtë por ndikuan si popullsinë dhe ekonominë, e fundit duke rritur çmimet e ushqimeve, dhe të energjisë. Të gjitha këto janë risqe që kanë një ndikim të rëndësishëm kudo dhe nuk ka asnjë mënyrë që të mund të parashikojmë se cilat rreziqe si këto mund të ndodhin në të ardhmen. Dhe e vetmja gjë që mund të bëhet në këto raste është ajo që të parët tanë na kanë thënë "kurseni për një ditë të keqe”. Duhet të kursejmë si vend që të kemi mjetet financiare për të ndërhyrë kur ndodh diçka që s’mund ta parashikonim dhe të ndihmojmë ata që kanë nevojë. Për qeverinë, kjo do të thotë të forcojë qëndrueshmërinë financiare, domethënë të sigurohet që të ketë hapësira financiare që mund të zbusin goditjet. Duhet gjithashtu të zhvillojmë mekanizma për të mbrojtur popullsinë nga goditjet, si sigurimi ndaj tërmeteve për familjarët apo sigurimi i fermerëve për humbjet në rast fatkeqësish. Pra, ka shumë gjëra që duhen kryer, ka shumë ide të mira prandaj duhet t’i përvishemi punës.