Skip to Main Navigation
OPINION 8 mars 2019

Pa gratë nuk mund të ketë prosperitet ekonomik për Kosovën

Shpesh habitem në Kosovë me dallimin ndërmjet kornizës së përgjithsme moderne ligjore dhe rregullatore dhe ndikimit të saj në praktikë, veçanërisht në krijimin e mundësive ekonomike për të gjithë.

Asnjë shembull nuk e ilustron këtë më mirë se sa analiza e statistikave të punësimit në baza gjinore. Barazia gjinore është një komponentë kritike e rritjes ekonomike. Gratë janë gjysma e popullsisë dhe kanë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur në krijimin e një bote më përparimtare.

Një raport i paradokohshëm i Bankës Botërore – Gratë, Biznesi dhe Ligji 2019 – analizon të dhëna unike për ligjet dhe rregulloret që kufizojnë mundësitë ekonomike të grave nëpër botë. Raporti gjen se legjislacioni i Kosovës – edhepse jo i përsosur – nuk ka ndonjë rol të fortë në kufizimin e mundësive të grave për punësim dhe ndërmarrësi, meqë Kosova radhitet relativisht lartë në vendin e 32-të në mesin e 187 vendeve të analizuara.

Mirëpo në një vend me nivele të larta dramatike të papunësisë për të dy gjinitë, vetëm rreth 12 përqind e grave, të cilat përbëjnë rreth 50 përqind të popullsisë së Kosovës, janë të punësuara, krahasuar me rreth 46 përqind të burrave. Hendeku gjinor në punësim është më i lartë për grupmoshën 35-44 vjeç, apo për personat në moshën kulmore për riprodhim. Përveç kësaj, Kosova ka një nga normat më të ulëta të grave punëkërkuese në botë, 20 për qind në vitin 2017. Kjo është dukshëm nën normën e pjesëmarrjes së burrave në fuqinë punëtore në Kosovë, rreth 65 për qind, dhe paraqet normën më të ulët të pjesëmarrjes së grave në vendet e Ballkanit Perëndimor, që mesatarisht është 41 për qind.

Përmirësimi i pjesëmarrjes së grave në tregun e punës duhet të jetë prioritet i lartë jo vetëm për shkak të barazisë, por edhe për shkak të ndikimit pozitiv ekonomik për vendin në përgjithësi. Studimet kërkimore sygjerojnë se ndryshimet në normat e aktivitetit në tregun e punës në mes të burrave dhe grave përbëjnë humbje të mundshme ekonomike prej rreth 28 për qind të të Ardhurave Nacionale Bruto (GNI), që paraqet shkallën më të lartë në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nëse ligjet dhe rregulloret nuk janë fajtori kryesor për këtë situatë, atëherë duhet shikuar tek faktorët tjerë për të shpjeguar përjashtimin e grave nga tregu i punës.

Rezultatet e arsimit janë të varfra për të gjithë fëmijët në Kosovë, mirëpo ka dallime të rëndësishme gjinore në të arriturat arsimore, sidomos në zonat rurale. Përkundër përmirësimeve në mesin e gjeneratave të reja, gratë në Kosovë kanë nivele dukshëm më të ulëta të arsimimit sesa burrat. Rreth 50% e grave në moshë pune kanë të kryer vetëm arsimin e mesëm të ulët ose më pak. Arsimi është jashtëzakonisht me rëndësi për pjesëmarrjen e grave në tregun e punës. Norma e punësimit për burrat me nivelin më të ulët të arsimit është 30%, ndërsa për gratë është vetëm 5%. Gjithashtu, ka më shumë gjasë që grave t’u mungojë përvoja e punës në krahasim me burrat. Është e hatashme që 70% e grave në grupmoshën 25-29 vjeç nuk janë as në punësim dhe as në shkollim apo trajnim. Në mënyrë që këtyre grave të reja t’u ofrohet mbështetje, ekziston nevoja për të ndërhyrë me politika menjëherë pas diplomimit apo madje edhe përpara për të hapur mundësi për të mbledhur përvojë.

Aftësia për të kërkuar punë për gratë varet po ashtu edhe nga ajo se a lejon mjedisi ndarjen e përgjegjësive për përkujdesje ndaj fëmijëve dhe të moshuarve, që kryesisht u bie si barrë grave. Normat tradicionale shoqërore në Kosovë përgjegjësinë familjare ua japin pothuajse ekskluzivisht grave, ndërsa qasja tek kujdesi cilësor dhe i përballueshëm ndaj fëmijëve dhe të moshuarve është shumë e kufizuar, sidomos jashtë kryeqytetit dhe në zonat rurale. Si rezultat, më shumë se 50 përqind e grave joaktive në Kosovë i deklarojnë obligimet personale apo familjare si arsyen kryesore për shkak të së cilës nuk punojnë jashtë shtëpisë. 

Ndonëse ka për qëllim mbrojtjen e grave, rregullimi ligjor i fushës së punës në Kosovë ka rezultuar me dekurajim për të punësuar gra. Pushimi i lehonisë në Kosovë është relativisht i gjatë në krahasim me botën dhe rajonin dhe barra financiare që lidhet me pushimin e lehonisë kryesisht bartet nga punëdhënësit, dhe jo përmes skemave kontributdhënëse ose me fonde nga qeveria, duke shkaktuar dekurajim për të punësuar gra. Pjesërisht për shkak të kësaj, mbi 60% e grave punojnë me kontrata të përkohshme. Kjo nënkupton se ato vazhdojnë të jenë të cenueshme dhe i nënshtrohen diskrecionit të punëdhënësit për zgjatje të kontratës.

Shkalla e zotërimit të pronës nga gratë në Kosovë është dukshëm më e ulët se ajo e burrave, veçanërisht në zonat rurale dhe kjo kufizon qasjen e grave në asete të tjera financiare. Praktikat mbizotëruese diskriminuese dhe normat shoqërore mund të minojnë qasjen e grave në resurset produktive siç janë regjistrimi i pronës dhe trashëgimia. Si rezultat, për shkak të mungesës së kolateralit, gratë gjithashtu përballen me pengesa në qasjen në tregun financiar, duke pasur kështu ndikim negativ në sipërmarrjen e grave. Në Kosovë shkalla e kredive për blerje të shtëpisë për gratë është 10 herë më e ulët se për burrat. Vetëm 9.5 për qind e firmave kanë një grua si menaxher të lartë dhe vetëm 14 për qind janë në pronësi të grave, shifra që janë shumë më të ulëta se mesatarja rajonale prej 21.1 dhe 32.4 për qind, respektivisht.

Për të trajtuar këto sfida, vendet zakonisht përdorin një kombinim të politikave, incentivave dhe programeve që shënjestrojnë gratë drejtpërdrejt. Në Kosovë, nevojitet një dialog i mëtejshëm për të përcaktuar se cilat politika janë motori më i mirë për këtë ndryshim.

Shërbimet e kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit duhet të bëhen të disponueshme në shkallë më të gjerë. Duhet të përmirësohet arsimimi i grave për të rritur gjasat e tyre për të punuar dhe cilësinë e punësimit të tyre. Përfitimet shëndetësore dhe sociale duhet të ndihmojnë për të zvogëluar cenueshmërinë e grave në rast të sëmundjes ose humbjes së punës. Mund të ofrohen shtysa për sipërmarrjen e grave përmes përfitimeve tatimore dhe familjare. Kreditimi duhet të jetë më i mundshëm në sektorët ku kryesisht punojnë gratë. Pushimi i lehonisë mund të financohet përmes një sistemi kontributdhënës të sigurimeve sociale ose tatimeve në vend financimit kryesisht nga punëdhënësit. Këto janë vetëm disa nga idetë që mund të konsiderohen në Kosovë.

Programi i Grupit të Bankës Botërore në Kosovë synon të promovojë barazinë gjinore në qasjen në vendet e punës dhe mundësitë ekonomike.

Për shembull, kriteret e vlerësimit në  programin e granteve të financuar nga Projekti për Bujqësi dhe Zhvillim Rural japin pikë shtesë nëse aplikuesi është grua. Projekti për Shëndetësi në Kosovë synon përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për nëna dhe shërbimeve të shëndetit riprodhues për gratë. Banka Botërore dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik në Kosovë kanë realizuar projektin Gratë në punë në internet (WoW), i cili ka trajnuar rreth 150 gra të reja, të papunësuara apo pak të punësuara për t’i pajisur me aftësitë që kërkohen nga tregu gjithnjë në rritje i punës në internet.

Projekti për Patundshmëri dhe Kadastër, në partneritet me Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ka realizuar fushata të ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e të drejtave pronësore të grave dhe ka siguruar sisteme të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për të lehtësuar qasjen dhe për të monitoruar të drejtat pronësore të grave. Banka Botërore gjithashtu vazhdimisht kryen dhe promovon studime të thella kërkimore për të kuptuar më mirë barrierat për punësimin dhe mundësitë ekonomike të grave në Kosovë.

Megjithatë, ndërkohë që Banka Botërore dhe agjencitë e tjera të zhvillimit që punojnë në Kosovë duhet të vazhdojnë të bëjnë avokim dhe të punojnë me qeverinë dhe shoqërinë civile për të promovuar reformat e politikave që synojnë rritjen e mundësive ekonomike për gratë, në fund të fundit, ndryshimet në shoqëri nxiten nga veprimet kolektive që bëjnë individët, gra dhe burra. Prandaj, në këtë 8 mars, le të zotohemi që të punojmë së bashku për një vizion të një Kosove me mundësi të barabarta ekonomike për gratë dhe burrat. Siç është thënë tashmë, gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë së Kosovës dhe pa kontributin e tyre për rritjen ekonomike do të jetë e pamundur të krijohet një Kosovë më prosperuese.

Autori është Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

 

Api
Api