Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP 24 tetor 2017

Diagnostika e vendeve të punës në Kosovë: strategjia për punësim të synojë më shumë vende pune, vende pune më të mira, qasje më të lehtë në vende pune

PRISHTINË, 24 tetor 2017 - Perspektivat e dobëta të firmave për rritje, shkalla e lartë e joformalitetit dhe nivelet e ulëta të pjesëmarrjes në tregun e punës janë kufizimet kryesore për krijimin e vendeve të punës në Kosovë, sipas një raporti të ri të Bankës Botërore të diskutuar në tryezën e rrumbullakët me zyrtarë qeveritarë, akademikë, institute, shoqata biznesi dhe përfaqësues të donatorëve dhe organizatave joqeveritare në Kosovë. 

Përveç zvogëlimit të pikëngecjeve në infrastrukturë, siç është energjia dhe konektiviteti, raporti Diagnostika e vendeve të punës në Kosovë nxjerr në pah mjedisin e dobët afarist dhe rregullator, dhe tërësinë e dobët dhe të papërputhshme të shkathtësive të punëtorëve dhe vendeve të punës, si kufizime që mund të frenojnë zgjerimin e firmave ose të shkurajojnë formalizimin e firmave joformale.

Shumica e firmave në Kosovë janë mikro (me më pak se 10 punonjës), me norma më të ulëta të mbijetesës, qarkullim të kufizuar, novacion të ulët dhe perspektiva të kufizuara të rritjes. Ato përbëjnë një pjesë të madhe të punësimit privat formal.

“Ndërsa kohortat e reja - dhe më të mëdha - të rinisë i bashkohen fuqisë punëtore, reformat që synojnë përvetësimin e rregullave të duhura, dhe zhvillimin e shkathtësive të duhura, për të promovuar krijimin e vendeve të punës, do të ndihmojnë në uljen e përjashtimit të të rinjve dhe do të vendosin në funksion dividendën ekonomike”, tha Monica Robayo Abril, ekonomiste pranë Praktikës së Përgjithshme për Varfëri dhe Barazi në Grupin e Bankës Botërore.

Kosova gëzon një pjesë në rritje të popullsisë në moshë pune, një bonus demografik ky që ofron mundësi. Të rinjtë (nën 15 vjeç) përbëjnë 25.7 për qind të popullsisë, ndërsa ata të moshës së punës (15-64 vjeç) përbëjnë 67.6 për qind. Përpjesëtimi i popullsisë në moshë pune ndaj vartësve në Kosovë parashikohet që të rritet. Vetëm 8 për qind e popullsisë së Kosovës sot janë të moshuar, në krahasim me 19 për qind në vendet e BE-së.

Mirëpo, rritja e fuqishme ekonomike e Kosovës gjatë dekadës së kaluar nuk u lidh me krijimin energjik të vendeve të punës. Mungesa e mundësive për punësim pasqyrohet në normat e larta të shkallës së pasivitetit dhe papunësisë dhe shanse të pakta të tranzicionit nga papunësia në punësim. Papunësia në mesin e të rinjve në vitin 2015 ishte mbi 57 për qind, ndërsa shkalla e pasivitetit në mesin e grave ishte 78.6 për qind.

Sipas raportit, cilësia e ulët e arsimit dhe mospërputhjet e shkathtësive parandalojnë popullatën joaktive nga marrja dhe mbajtja e vendeve të mira të punës. Në raport gjithashtu vihet në pah se sistemet ekzistuese për ofrimin e kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit nuk janë në dispozicion të gjerë, janë tepër të shtrenjta dhe kanë të ndërthurura elemente frenuese për pjesëmarrjen e femrave në fuqinë punëtore.

“Krijimi i më shumë vendeve të punës është jetik, por është gjithashtu e rëndësishme që të përmirësohen shkathtësitë dhe t’i mundësohet rinisë dhe grave në Kosovë që të konkurrojnë në mënyrë më efektive për mundësitë e reja të punësimit”, tha Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën.

Grupi i Bankës Botërore është duke e mbështetur Kosovën në përmirësimin e kushteve për rritje dhe punësim të përshpejtuar të prirë nga sektori privat me anë të Kornizës së Partneritetit të Vendit për 2017-2021 (link), që synon ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj drejt rritjes më të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të orientuar kah eksporti në mënyrë që qytetarëve të saj t’i ofrojë më shumë mundësi për një jetë më të mirë.


DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2018/ECA/21

Kontakt

Uashington
John Mackedon
+1 (202) 4581358
jmackedon@worldbank.org
Prishtinë
Lundrim Aliu
+381-38-224-454 -1107
laliu1@worldbank.org
Api
Api