PRISHTINË, 6 qershor 2022 – “Duke shtuar ritmin e reformave kyçe, Kosova mund ta përshpejtojë rritjen ekonmomike dhe brenda njëzet viteve të ardhshme të arrijë standardet aktuale të jetesës së vendeve të Bashkimit Evropian si Letonia, Estonia, Lituania, Republika Çeke dhe Sllovenia”, pohohet në Memorandumin e ri Ekonomik të Bankës Botërore për Kosovën, i prezantuar sot.
Gjatë 25 viteve të fundit, të hyrat për kokë në Kosovë janë rritur më shumë se 10 herë - nga rreth 400 dollarë amerikanë në vitin 1995 në mbi 4,000 dollarë amerikanë në vitin 2022. Përkundër këtij progresi, të hyrat për kokë ende janë vetëm sa 12 për qind e vlerës përkatëse në shtetin anëtar mesatar të BE-së, ose 20 për qind e vlerës në vendet e lartëcekura që Kosova mund të aspiroj.
“Me reformat e duhura, Kosova mund të përgatitet për një të ardhme më produktive”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën. “Nëse shfrytëzohen në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur, përparësitë ekonomike të Kosovës mund të jenë katalizator për përshpejtimin e rritjes në mënyrë që të arrihen standarde më të larta jetese”.
Sipas raportit, përmes një pakete të reformave që ruajnë stabilitetin makroekonomik dhe qeverisjen e shëndoshë, sjellin rritjen e produktivitetit të ndërmarrjeve, rritjen e produktivitetit të fermave, rritjen e kapitalit njerëzor dhe nxitjen e eksporteve, konkurrencës dhe investimeve private (veçanërisht investimeve të huaja direkte), Kosova mund të arrijë mbylljen e hendekut me shtetet e ngjashme [Evropiane].
Një sektor privat më dinamik është thelbësor për arritjen e standardeve më të larta të jetesës në Kosovë, por vendi përballet me disa sfida. Mungesa e vendeve të punës është një pengesë e madhe për rritjen. Vetëm 2 në 5 persona në moshë pune janë aktualisht pjesë e tregut të punës dhe 1 në 4 persona nuk munden të gjejnë punë. Rritja e produktivitetit në biznes dhe në bujqësi është e ulët. Produktiviteti i punës është vetëm sa një e treta e një kompanie mesatare të BE-së, kurse ferma mesatare do të mund të ofronte të njëjtën sasi prodhimi duke përdorur 70 për qind më pak inpute. Biznesi dominohet nga ndërmarrjet e vogla që shpesh nuk ia dalin të rriten dhe të mbijetojnë. Veç kësaj, ende ka barriera ndaj fuqizimit ekonomik të grave. Vetëm 20 për qind e grave marrin pjesë aktive në tregun e punës, ndërkohë që edhe pjesëmarrja e grave në ekonomi si ndërmarrëse është e kufizuar.
Me rritjen e shpenzimeve për arsim duhet të përmirësohet edhe cilësia e kapitalit njerëzor, thekson raporti. Kosova shpenzon 4.6 për qind të BPV-së dhe 16 për qind të shpenzimeve totale të qeverisë për arsim, një përqindje e përafërt me atë të vendeve të ngjashme. Megjithatë, vetëm 23 për qind e fëmijëve parashkollorë janë në rrugën e duhur për sa i përket shkathtësive të pritshme të shkrim-leximit dhe numërimit.
Raporti nënvizon se afërsia me tregjet madhore në Evropë dhe popullata e re në moshë ofrojnë një mundësi për rritje, ndërkohë që po përmirësohen lehtësimi i tregtisë dhe lidhshmëria logjistike. “Afërsia me një treg të madh dhe të pasur, tatimet dhe kostot e ulëta të punës, sektori financiar i qëndrueshëm dhe likuid, si edhe lidhjet e forta me diasporën, mund ta ndihmojnë rritjen edhe më shumë,” tha Richard Record, Krye-ekonomist i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.