Skip to Main Navigation
HISTORIA E PËRZGJEDHUR 13 shkurt 2019

Shqipëri: Qeveria ndihmohet në uljen e kostos së huamarrjes

Image

Punëtorë në ndërtimin e një rruge të re. Foto në Shqipëri: Albes Fusha / Banka Botërore


Pikat kryesore

  • Për Shqipërinë, zhvillimi i tregut të brendshëm për letrat me vlerë të qeverisë është një prej reformave të ndërmarra nga autoritetet, në kuadër të arritjes së synimit të rritjes së vazhdueshme ekonomike dhe aspiratave për integrim në Bashkimin Evropian (BE).
  • Banka Botërore dhe autoritetet shqiptare kanë filluar një projekt pilot novator për zhvillimin e një tregu sekondar për letrat me vlerë të qeverisë.
  • Rezultatet e projektit pilot janë inkurajuese, sepse është rritur qarkullimi afarist në tregun dytësor dhe ka një normë referencë pesëvjeçare në kurbën e yield-it të letrave me vlerë të qeverisë shqiptare.

A është e mundur që një vend të shkojë përtej kufizimeve që rrjedhin nga fakti se është vend i vogël, për të krijuar kështu një treg të diversifikuar kapitali? Me projektin pilot të kohëve të fundit për zhvilluesit e tregut, Shqipëria po teston mundësinë e thellimit të tregjeve të brendshme. Për herë të parë në historinë e Bankës Botërore, ky projekt pilot synon të ndihmojë në tregtimin e letrave me vlerë të qeverisë në tregun sekondar, duke futur në përdorim një qasje të përshtatur për zhvillimin e tregjeve shqiptare të kapitalit.  

Me një popullsi prej 2,9 milionë banorë, Shqipëria është rritur, nga vendi më i varfër në Evropë në fillim të viteve ‘90, në një vend me të ardhura mesatare në vitin 2008. Megjithatë, rritja ekonomike u ngadalësua shumë në vitin 2013 për shkak të krizës ekonomike që po kalonin partnerët kryesorë tregtarë, çka solli rritje të borxhit publik dhe akumulimin e detyrimeve buxhetore të prapambetura. Gjithashtu, rritja e nivelit të kredive nën standard ushtronte një trysni shtesë mbi sistemin bankar. Si rezultat, qeveria shqiptare miratoi një program të gjerë reformash për të trajtuar dobësitë strukturore në ekonomi, çka çoi në përshpejtim të rritjes dhe zvogëlim të risqeve.

Me një raport borxh/PBB në nivelin 66% dhe me 53% të stokut të borxhit në monedhën vendase, Shqipëria mbështetet shumë në tregun e brendshëm. Por kjo ka koston e vet dhe përbën risk sepse tregu dytësor për obligacionet qeveritare nuk është mjaft i thellë për të lejuar që çmimet e letrave me vlerë të përputhen me vlerën e tregut. Mundësimi i zbulimit të çmimeve të vërteta në tregjet e kapitalit mund ta ndihmojë Shqipërinë të promovojë efikasitetin dhe të nxisë konkurrencën në sistemin financiar për ta mbështetur qeverinë për rritjen e burimeve afatgjata me kosto më të ulët.

Vendosja e prioritetit te zhvillimi i tregut të brendshëm të letrave me vlerë të qeverisë

Prej vitit 2014, autoritetet shqiptare dhe Banka Botërore po punojnë për forcimin e tregut të obligacioneve qeveritare dhe për menaxhimin e borxhit publik, në kuadër të Nismës për Reformimin dhe Fuqizimin e Sektorit Financiar (FIRST). Kur Shqipëria iu bashkua në vitin 2017 programit të Menaxhimit të Borxhit dhe Risqeve Shtetërore (GDRM), një nismë e Thesarit të Bankës Botërore me mbështetjen e Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), zhvillimi i tregut të brendshëm të letrave me vlerë të qeverisë vazhdoi të jetë prioritet. Autoritetet dëshironin të vazhdonin zbatimin dhe të rrisnin përfshirjen në mënyrë më aktive të pjesëmarrësve të tregut në zhvillimin e tregut të brendshëm.

Para kryerjes së një transformimi të plotë të sistemit, Banka Botërore dhe palët kryesore të interesit (Ministria e Financave dhe Ekonomisë - MFE, Banka e Shqipërisë - BSH dhe Shoqata Shqiptare e Bankave - AAB) ranë dakord se do të ishte më e sigurt nëse puna fillohej me një zbatim pilot. Kur të shihej suksesi i projektit pilot, do të ishte më e lehtë të shtrihej në pjesën tjetër të tregut; nëse nuk do të ishte i suksesshëm, mund të nxirrte në pah pengesat e rëndësishme.

Struktura e projektit pilot për zhvilluesit e tregut

Obligacioni referencë: MFE përzgjodhi një obligacion 5-vjeçar me kupon fiks, për të krijuar një obligacion referencë. Brenda harkut të disa muajve, duke emetuar të njëjtin obligacion shpesh, projekti pilot kishte për qëllim të rriste vëllimin në mënyrë që të nxiste rritjen e tregtimit, për ta kthyer, si përfundim, një obligacion likuid. Gjatë një periudhe gjashtëmujore, do të ndërtohej një treg me vlerë 12 deri në 13 miliardë lekë. E drejta për të marrë pjesë në ankand iu dha zhvilluesve të tregut, të cilët nënshkruan kontratë me MFE-në.

Zhvilluesi i tregut: Pesë banka ranë dakord të marrin pjesë në projektin pilot për të vepruar si zhvillues tregu. Bankat u angazhuan të blinin minimumi tre për qind të emetimit total të gjashtë muajve. Në këtë mënyrë ato do të siguronin që të kishin obligacione të mjaftueshme për zhvillimin e tregut dytësor. Përveç kësaj, ato ranë dakord të kuotonin çmime për obligacionin bazuar në përpjekjet më të mira, të merrnin pjesë në fiksimin e përditshëm duke kuotuar çmime të ekzekutueshme për një periudhë të caktuar (30 minuta në ditë) në një orë të paracaktuar dhe të raportonin vëllimet agregate të tregtimit në BSH/MFE në mënyrë të përjavshme/të përditshme.

Ankandi: Ekipi i përbashkët përfitoi nga rasti i projektit pilot për të zbatuar disa rekomandime të cilat Banka Botërore i kishte dhënë prej një kohe të gjatë, nëpërmjet ndryshimit të rregullave të ankandit. Ofertat janë dorëzuar në mënyrë elektronike dhe ankandet janë vendosur si ankande me çmime të shumëfishta pa asnjë kufizim mbi numrin e ofertave. Sistemi e ka kufizuar shpërndarjen maksimale për një pjesëmarrës dhe e ka ulur ndjeshëm pjesën e ofertave jo konkurruese. Të gjithë investitorët mund të dorëzonin oferta nëpërmjet tregtarëve kryesorë, dhe janë zhvilluar ankande të njëpasnjëshme deri sa obligacioni arriti madhësinë e synuar të referimit.

Instrumenti i huadhënies së letrave me vlerë: MFE-ja e krijoi këtë instrument për të mbështetur zhvilluesit e tregut të cilët do të kishin nevojë për letra me vlerë për të përmbushur detyrimet e tyre për kuotim të përditshëm, nëse do të kishte kërkesë për tregtim në tregun sekondar.

Komunikimi: Një element kyç i projektit pilot ka qenë komponenti i komunikimit, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë që ka vënia në dispozicion gjerësisht e informacioneve përkatëse. Komunikimi me tregun filloi që më parë, në lidhje me emetimin e planifikuar, dhe rezultatet u komunikuan menjëherë pas ankandit. Gjithashtu, ekipi zhvilloi takime të rregullta me të gjitha palët e interesit, për të diskutuar mbi progresin e projektit pilot.

Rezultatet e projektit pilot

Shqipëria e ka nisur projektin pilot më 17 korrik 2018. Në periudhën nga data 17 korrik deri më 14 dhjetor 2018, në tregun sekondar janë tregtuar 2,5 miliardë lekë obligacione, ku blerësit ishin nga bankat, administruesit e fondeve të investimeve dhe të fondeve të pensioneve etj.

Më e rëndësishme është se ky projekt i ka ndihmuar të gjitha palët kryesorë të interesit. I ka dhënë mundësi MFE-së të modernizojë programin e emetimit të obligacioneve të referimit; ka ndihmuar në komunikimin midis BSH-së dhe MFE-së nëpërmjet komunikimit dhe raportimit të përditshëm; i ka ndihmuar zhvilluesit e tregut t'i harmonizojnë procedurat e tyre të ofertimit me praktikat standarde të ofertimit të ankandit, të zhvillojnë mjete raportimi dhe të përmirësojnë komunikimin me investitorët. Mbështetja e njësisë menaxhuese në vend (CMU) qe me rëndësi kritike për suksesin e projektit pilot për zhvilluesit e tregut. Duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet, CMU e ndihmoi zbatimin e programit.

Projekti po fillon të japë efekte të tjera pozitive në treg. Ai po ndihmon në zvogëlimin e shqetësimeve mbikëqyrëse të likuiditetit, për shkak të mungesës së tregut sekondar aktiv, për fondet e investimeve vendase, të cilat në mënyrë dërrmuese investojnë në obligacione qeveritare. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vendosur kërkesa të forta për amortizues likuiditeti mbi fondet e investimeve. Dhe nga krijimi i një tregu aktiv likuiditeti po përfitojnë drejtpërsëdrejti fondet e investimeve që janë duke blerë tani obligacione referencë, ose në të ardhmen në kuadër të marrëveshjes me zhvilluesit e tregut. Një tjetër ndikim pozitiv është rritja e tregtimit të letrave të tjera me vlerë të qeverisë, me maturim të mbetur të ngjashëm me obligacionet pesëvjeçare referencë. Kjo dëshmon ndikimin pozitiv që ka projekti në treg përmes ofrimit të një rruge për aktorët e tregut për një mundësi reale të bazuar në treg për zbulimin e çmimeve.

Në të ardhmen

Palët shqiptare të interesit dhe Banka Botërore i vlerësuan rezultatet e Pilotit në mes të muajit dhjetor 2018. Në bazë të suksesit të fazës pilot, u arrit konsensusi për të rritur numrin e letrave me vlerë të referimit, investitorëve, bankave. “Shqipëria po bën hapat e duhur për zhvillimin e tregut të brendshëm”, tha Cigdem Aslan, Nëpunëse e Lartë Financiare, nga Thesari i Bankës Botërore. “Sa më i thellë të jetë tregu i brendshëm, aq më e vogël është kostoja e huamarrjes për qeverinë, dhe aq më i vogël bëhet risku, për shkak të zgjatjes së afatit të maturimit”. Përfitimet e mundshme për qytetarët shqiptarë janë të shumta. “Në të ardhmen, nëse korporatat duan të marrin hua nga tregjet e brendshme në monedhën vendase, ata mund të përdorin letrat me vlerë të qeverisë si pikë referimi për çmimet e tyre,” tha Zsolt Bango, Specialist i Lartë i Sektorit Financiar nga Praktika Globale për Financat, Konkurrencën dhe Novacionin, Banka Botërore. CMU-ja vendase ka të njëjtin mendim. “Projekti e ka potencialin ta zvogëlojë ekspozimin në valutë të korporatave, të mbështesë zhvillimin e tregut vendas të kapitalit dhe të mobilizojë kursimet e brendshme,” përfundoi Keler Gjika, Specialist i Sektorit Financiar dhe bashkë-udhëheqës i projektit në zyrën e Bankës Botërore në Tiranë.


"Zhvillimi i tregut sekondar, që ka qenë i pakapshëm për kaq shumë vjet, pavarësisht nga përpjekjet e herëpashershme të Ministrisë së Financave dhe Bankës Qendrore, tani po bëhet realitet me përfitime të mëdha potenciale për kursimtarët, investitorët dhe qeverinë."
Erjon Luçi,
Zëvendësministër, MFE, Shqipëri

Api
Api