NJOFTIME PËR SHTYP

Rimëkëmbja e rritjes ekonomike në Europën Juglindore u mbështet nga investimet, thuhet në Raportin më të fundit ekonomik të Bankës Botërore

8 prill 2016



VIENË, 8 Prill, 2016—Rritja ekonomike në vendet e Europës Juglindore (EJL6[1]) në vitin 2015 vlerësohet të jetë mesatarisht 2.1 përqind. Kjo rritje ekonomike është shumë më e lartë krahasuar me 0.3 për qind të vitit 2014, kur rajoni u godit rëndë nga përmbytjet. Tashmë pritet që të gjashtë vendet e rajonit të kenë rritje reale të PBB-së, ku Kosova dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë pritet të kenë rritje prej 3.6 dhe 3.7 përqind, respektivisht. Serbia, që është edhe vendi më i prekur nga përmbytjet e vitit 2014, vlerësohet të jetë rritur me 0.8 përqind, shifër kjo më e lartë nga sa ishte parashikuar fillimisht.

Rritja më e lartë ekonomike në vitin 2015 çoi në krijimin e vendeve të reja të punës në sektorin privat, duke sjellë në këtë mënyrë një zhvillim të mirëpritur. Krijimi i vendeve të punës dhe ulja e nivelit të inflacionit ndihmoi në rritjen e të ardhurave të familjeve dhe reduktimin e varfërisë. Niveli mesatar i varfërisë në Shqipëri, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Mal të Zi dhe Serbi u zvogëlua me 2 përqind gjatë viteve 2013 dhe 2015, që do të thotë se rreth 140.000 njerëz në këto katër shtete kanë dalë nga varfëria. Pavarësisht zgjerimit të ekonomisë dhe punësimit, i cili më në fund po reagon ndaj rritjes  ekonomike, norma mesatare e papunësisë në rajon, që mesatarisht është 21.5 përqind, mbetet ende jashtëzakonisht e lartë.

Rritja ekonomike u mbështet fuqishëm nga një rigjallërim i dukshëm i investimeve, veçanërisht të investimeve private, si vendase ashtu edhe të huaja. Eksportet po kontribojnë gjithashtu në këtë rritje. Konsumi i brendshëm, edhe pse është një ndër shtysat e rëndësishme ekonomike në rajon, ka mbetur mbrapa këtyre dy burimeve të rritjes në pjesën më të madhe të vendeve. Kjo zhvendosje nga konsumi, e ndihmuar nga remitancat drejt një rritjeje të mbështetur nga investimet private dhe eksportet, flet për shenjat e para të progresit drejt një ribalancimi gradual, por të nevojshëm të burimeve të rritjes.

“Është inkurajuese të shohësh shenjat e para të kalimit drejt një modeli të rritjes ekonomike të udhëhequr nga investimet dhe eksportet në vendet e EJL6", shprehet Ellen Goldstein, Drejtore e Bankës Botërore për Europën Juglindore. “Ky ribalancim duhet të mbështetet në periudhë afatgjatë përmes thellimit të reformave ekonomike dhe rikthimit të rritjes së produktivitetit, i cili ka qenë në rënie që prej krizës globale.”

Përmirësimi i produktivitetit mbetet një proces thelbësor për nxitjen e rritjes ekonomike në rajon. Sipas raportit, rritja e qëndrueshme ekonomike mund të arrihet duke u fokusuar në një axhendë afatgjatë të reformave, e cila do të mbështetet në pesë shtylla. Këto shtylla janë: eliminimi i faktorëve dekurajues dhe barrierave për punësimin formal, përmirësimi i klimës së biznesit dhe qeverisjes, reduktimi i madhësisë së qeverisë dhe njëherësh përmirësimi i cilësisë së ofrimit të shërbimeve për qytetarët, thellimi i integrimit financiar dhe tregtisë, si dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore.

Edhe pse shenjat për rimëkëmbjen e investimeve dhe rritjes ekonomike janë inkurajuese, mbeten ende rreziqe domethënëse. Rimëkëmbja e ngadaltë në Europë dhe në mbarë botën, paqëndrueshmëria e lartë në tregjet financiare ndërkombëtare, dhe luhatjet në çmimin e naftës përbëjnë rreziqe për perspektivën e rajonit. Numri i madh i kredive të këqija mund të ndikojë gjithashtu në uljen e kreditimit në të ardhmen.  Për zbutjen e këtyre rreziqeve që i kanosen rimëkëmbjes ekonomike, kërkohet zbatim i qëndrueshëm i reformave ekonomike.

[1] Shtetet e EJL6-ës janë: Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJ e Maqedonisë), Mali i Zi dhe Serbia.

Kontaktet:

Në Sarajevë: Jasmina Hadžić, (+387-33) 251-502, jhadzic@worldbank.org

Në Beograd:  Vesna Kostic, (+381-11) 302-3723, vkostic@worldbank.org

Në Tiranë: Ana Gjokutaj, (+355-4) 80-655, agjokutaj@worldbank.org  

Në Prishtinë: Lundrim Aliu, (+381-38) 224-454 #107, laliu1@worldbank.org   

Në Podgoricë: Jasmina Hadžić, (+387-33) 251-502, jhadzic@worldbank.org

Në Shkup: Anita Bozinovska, (+389-2) 3117-159, abozinovska@worldbank.org

Në Uashington:  Elena Karaban, (+1-202) 473-9277, ekaraban@worldbank.org

 

Për Raportet e mëparshme Ekonomike mbi Europën Juglindore, ju lutemi vizitoni: www.worldbank.org/ECA/seerer

Na vizitoni në Facebook: https://www.facebook.com/WorldBankEuropeCentralAsia

Merrini lajmet më të fundit në Twitter: https://www.twitter.com/worldbank

Vizitoni kanalin tonë në YouTube: https://www.youtube.com/worldbank

 

 


DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2016/ECA/118
Api
Api

Welcome