Skip to Main Navigation
Fjalime dhe tekstet e fjalimeve 14 qershor 2019

Fjalimi i Maryam Salim: Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Autoritetit të Prokurimit Publik dhe Inspektoratit të Punës

Jam e kënaqur të marr pjesë në këtë aktivitet të veçantë, nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Autoritetit të Prokurimit Publik (APP) dhe Inspektoratit të Punës. Ky Memorandum Mirëkuptimi do rrisë ndërgjegjësimin në rradhët e operatorëve ekonomikë lidhur me detyrimet e tyre për të respektuar Kodin e Punës dhe për t'i trajtuar punonjësit e tyre në mënyrë të drejtë pavarësisht gjinisë së tyre dhe karakteristikave të tjera.

Grupi i Bankës Botërore dhe Agjencia Franceze për Zhvillim janë shumë të përkushtuara për nxitjen e përgjegjësisë së korporatave dhe po mbështesin në mënyrë aktive qeverinë shqiptare në përpjekjet e tyre për të promovuar mosdiskriminimin. Ne e përgëzojmë APP-në dhe Inspektoratin e Punës për këtë arritje shumë të rëndësishme.

Konceptet e mosdiskriminimit dhe mundësive të barabarta në punë kanë qenë pjesë e aspiratave të komunitetit ndërkombëtar për shumë vite me rradhë. Këto koncepte janë të rrënjosura në parimet universale që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe barazinë. Ato janë të rrënjosura edhe në besimin se të gjitha vendimet për punësimin duhet të bazohen tek aftësia e punonjësit për të kryer një punë të caktuar dhe jo tek karakteristikat e tyre personale, përfshirë gjininë, racën, ngjyrën, fenë, përkatësinë etnike, aftësinë e kufizuar, moshën, orientimin seksual e të tjerë.

Diskriminimi e dëmton biznesin. Ai e kufizon grupin e mundshëm të punonjësve dhe të aftësive dhe mund ta izolojë një kompani nga komuniteti ku vepron.

Diskriminimi mund të ndodhë haptazi, si për shembull nëpërmjet ngacmimit dhe viktimizimit, por më zakonisht ai shfaqet në vendimet jo të drejtpërdrejta që lidhen me punën, siç janë qasja te trajnimet, shpërblimi, orët e punës dhe orët e pushimit, pushimet e paguara, leja e lindjes, etj.

 Legjislacioni për mbrojtjen nga diskriminimi ekziston në shumicën e vendeve, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Në të vërtetë, në Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë janë parashikuar një sërë nenesh të qarta për mosdiskriminimin që të gjithë punëdhënësit janë të detyruar t'i respektojnë. Por fatkeqësisht, shumë punëdhënës nuk arrijnë t'i zbatojnë këto dispozita, gjë që i pengon punonjësit për të zhvilluar potencialin e tyre të plotë dhe biznesin për të dalë me fitim.

Politika e prokurimit publik mund të jetë një mjet i fuqishëm për të promovuar trajtimin e barabartë të punonjësve. Prokurimi publik përbën rreth 7.5% të PBB-së së Shqipërisë, ose rreth 700 deri 800 milionë dollarë të shpenzimeve publike vjetore. Në Agjencinë e Prokurimit Publik janë regjistruar më shumë se 200 mijë firma vendase dhe të huaja.

Si i tillë, prokurimi publik ka shërbyer si një instrument i suksesshëm për zbatimin e kërkesave të punës si paga minimale dhe kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore.

Aktualisht, APP-ja është duke përditësuar dokumentet standarde të ofertimit (për tenderat me vlerë 8 milion lekë e sipër) me qëllim përfshirjen e vetëdeklarimit ku specifikohet se të gjitha kontratat e punës që lidhen me tenderin janë në përputhje me dispozitat e ligjit për mosdiskriminim dhe barazinë gjinore dhe që i përmbahen parimit të pagesës së barabartë për punë me vlerë të barabartë.

Përveç kësaj, përmes Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar sot, APP-ja po forcon bashkëpunimin e saj me Inspektoratin e Punës për të rritur shkëmbimin e informacionit në lidhje me shkallën e respektimit te legjislacionit të punës nga ana e firmave që përfitojnë nga kontratat e prokurimit publik.

Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare i dërgon bizneseve një sinjal të fortë dhe mesazh të qartë që, nëse duan të bashkëpunojnë me institucionet shtetërore, punëdhënësit, së pari, duhet të sigurojnë respektimin e ligjit dhe trajtimin e punonjësve të tyre në mënyrë sa më të barabartë.

Në Shqipëri diversiteti më i madh në tregun e punës do të sillte përfitime të mëdha ekonomike. Për shembull, pjesëmarrja e kufizuar e grave në tregun e punës i kushton atyre mesatarisht rreth 25 vite punësimi gjatë jetës së tyre kundrejt 16 viteve në mesin e punonjësve të krahasueshëm në BE. Nëse gratë do të kishin nivele të ngjashme punësimi si burrat, PBB-ja vjetore e Shqipërisë mund të ishte deri 17% më e lartë.

Faleminderit që na krijuat mundësinë për organizimin e ceremonisë për nënshkrimin e këtij memorandumi dhe presim me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë në lidhje me këtë agjendë.

Image

 

Api
Api