Skip to Main Navigation
Fjalime dhe tekstet e fjalimeve 16 prill 2018

Fjala e rastit nga Marco Mantovanelli: Projekti i Efikasitetit të Energjisë dhe Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë në Kosovë

Të nderuar ministra dhe të ftuar,

Siç e dini, Banka Botërore ka aprovuar një kredi prej 31 milionë dollarësh amerikanë për Republikën e Kosovës për të zvogëluar përdorimin e energjisë dhe përdorimin e lëndëve djegëse fosile në ndërtesat publike përmes investimeve për efikasitetin e energjisë dhe energjinë e ripërtërishme; dhe për të përmirësuar mjedisin politik dhe rregullator për energjinë e ripërtërishme dhe efikasitetin e energjisë.

Siç e dimë, sektori i energjisë është me rëndësi kritike për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Duke investuar në efiçiencën e energjisë në ndërtesa publike mund t’i kursehen buxhetit publik rreth 18 milionë euro çdo vit, duke përmirësuar kushtet e operimit dhe nivelet e komfortit të ndërtesave, çka është në të mirën e përdoruesve të tyre. Efikasiteti i energjisë mund të ndihmojë edhe në rritjen e sigurisë së energjisë, duke ulur importet sezonale të energjisë, duke krijuar vende pune, duke zvogëluar ndotjen lokale dhe globale dhe duke ndihmuar në përmbushjen e angazhimeve të Marrëveshjes së Komunitetit të Energjisë.

Banka Botërore është e kënaqur që qeveria e konsideron efikasitetin e energjisë si gur themeli të strategjisë së saj të energjisë, si dhe për partneritetin me Ministrinë për këtë agjendë të rëndësishme.

Teksa projekti pati një fillim të ngadalshëm, jam shumë i kënaqur të raportoj se Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka arritur përparim të dukshëm gjatë dy viteve të fundit, me 12 ndërtesa të përfunduara, 20 nën renovim dhe 25 në fazën e ofertimit. Presim që rreth 55 ndërtesa të përfundojnë deri në fund të këtij viti, duke e rikthyer zbatimin e projektit brenda parametrave të programit.

Të 12 ndërtesat me renovim të përfunduar do të kursejnë rreth 100,000 MWh përgjatë jetës së tyre dhe do të kenë një kursim mesatar të energjisë prej rreth 52%, duke treguar se potenciali i madh i kursimit të energjisë është i arritshëm. Rinovimet kanë sjellë përfitime për rreth 4,000 punonjës dhe përdorues, çka ka çuar në rritje të ndjeshme në nivelet e komfortit të brendshëm dhe shkallë shumë të larta të kënaqshmërisë.

Çdo ndërtesë përfitoi nga një auditim energjie, i cili identifikoi të gjitha masat me kosto efektive, të cilat zakonisht përfshijnë izolimin e kulmeve dhe mureve, zëvendësimin e dritareve dhe dyerve, ndriçimin e sistemeve dhe përmirësimin e sistemeve të ngrohjes. Projekti ka instaluar edhe sisteme diellore për ngrohjen e ujit në 8 ndërtesa dhe ka rilidhur 1 ndërtesë me sistemin e ngrohjes së Termokosit.

Teksa pjesa më e madhe e kredisë u nda për ndërtesat e qeverisë qendrore, Banka Botërore po punon me Ministrinë dhe Komisionin Evropian për të finalizuar planin e përbashkët për të krijuar dhe kapitalizuar një Fond të Ri për Rritjen e Efikasitetit të Energjisë për të mbështetur ndërtesat komunale.

Projektligji për Fondin e propozuar pritet të miratohet nga qeveria muajin e ardhshëm. Ky fond do të sigurojë financim për rinovimet e ndërtesave komunale duke mbledhur kursimet e kostove të energjisë në mënyrë që të paguhen kostot e investimeve, duke krijuar kështu një strukturë të qëndrueshme. Kjo do t'i mundësonte qeverisë që të trajtojë nevojat e më shumë se 1,600 ndërtesave komunale që kanë nevojë për rinovim.

Api
Api