I dashur Ministër Haxhinasto, Drejtori i Policisë Rrugore z. Tole, Presidenti i Avis-it, z Haxhia, Menaxheri i TAP-it për Shqipërinë dhe Greqinë, z. Roberts, pjesëmarrës të nderuar,
Dua t’ju falënderoj për ftesën për t'iu bashkuar kësaj konference të rëndësishme. Unë mendoj se tema e sigurisë rrugore në Shqipëri dhe standardet e BE-së është shumë e rëndësishme për nxitjen e standardeve më të mira të sigurisë në vend. Rrugët janë një aset i rëndësishëm publik dhe sigurojnë lidhje thelbësore për lëvizjen e mallrave, shërbimeve dhe levizjen e njerzve. Ato kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës duke rritur lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve. Ato u ofrojnë komuniteteve akses dhe lidhje brenda vendit dhe ne shtete të ndryshme.
Rrjeti rrugor në Shqipëri përbën një ndër asetet publike me vlerë më të lartë, i vlerësuar në rreth 6 miliard dollarë amerikanë, me rritje të konsiderueshme gjatë dekadës së fundit. Sot, shqiptarët janë të lidhur mirë me njëri-tjetrin dhe me vendet fqinje. Siç e dini, para krizës financiare globale të 2008-ës, Shqipëria kishte eknominë me rritje më të shpejtë në Evropë me normën e mesatare të rritjes në rreth 6 për qind.
Rritja e lartë ekonomike nxitej nga konsumi i lartë familjar dhe aktiviteti ekonomik në vend. Shqipëria ka parë po ashtu rritje të vëllimit të trafikut, rritje të lëvizjes së automjeteve private dhe lëvizjes komerciale, dhe një rritje gjegjëse në rrjetin e rrugëve kombëtare. Fokusi ka qenë tek zhvillimi i infrastrukturës së re dhe ka pasur tendencë për t’i dhënë më pak prioritet menaxhimit të qëndrueshëm të aseteve dhe mirëmbajtjes, që përbëjnë një kërkesë kyçe që kontribuon po ashtu tek siguria rrugore.
Në Shqipëri, shpenzimet periodike zinin mesatarisht vetëm 10 për qind të shpenzimeve totale të transportit gjatë periudhës 2007-2011, ose rreth 3 milion dollarë amerikanë, dhe kjo shumë është rreth 30 për qind e asaj që nevojitet për mirëmbajtjen rutinë dhe gjatë dimrit. Shqipëria shpenzon mesatarisht 3.000 euro/km për rrjetin rrugor kombëtar, shumë e cila është e pamjaftueshme dhe e ulët në krahasim me vendet e tjera në rajon (që e kanë këtë tregues nga 5.000 dollarë amerikanë deri në 7.000 euro/km). Përveç kësaj, ka monitorim të parregullt të kushteve të rrugës, pak informacion mbi volumet e trafikut, ose ngarkesat e akseve, ose pikave problematike. Po ashtu, ka nevojë për rinovimin e inventarit të rrugëve dhe trajtimin e problemeve të sigurisë. Rritja e volumet e trafikut, shpenzimet e pamjaftueshme të mirëmbajtjes kanë çuar në një përkeqësim të rrjetit rrugor duke rritur rreziqet e aksidenteve.
Edhe pse numri i aksidenteve ka rënë gjatë viteve të fundit, Shqipëria ende krahasohet në mënyrë të pafavorshme me vendet e rajonit apo shtetet anëtare të BE-së me më shumë se 70 vdekje për 100.000 automjete, ndërsa ky raport është 41.3 në Mal të Zi, 13.8 në Greqi 32.9 në Serbi, ose 7 në Gjermania, 8.5 në Francë, dhe 6.2 në Mbretërinë e Bashkuar. Për më tepër, numri i të plagosurve rëndë është rritur. Sipas Studimit Global të Barrës së Sëmundjeve, dëmtimet nga trafiku rrugor renditen në vendin e pestë, ndërmjet sëmundjeve/shkaqeve të tjera, si shkaku kryesor për vitet e humbura. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është se grupet me të ardhura të ulëta mund të jenë veçanërisht të ndjeshme ndaj ndikimeve dytësore të traumave rrugore. Për shembull, trajtimi mjekësor i një të aksidentuari mund të vazhdojë për shumë vite, apo edhe për të tërë jetën. Pa një burim të sigurt dhe të qëndrueshëm të të ardhurave, familjet e varfëra të prekura kanë paaftësi në rritje për ta kapërcyer traumën. Banka Botërore ka kryer një Analizë mbi Ndikimin Social të Varfërisë për të vlerësuar ndikimet e vdekjeve dhe aksidenteve rrugore tek të varfërit. Studimi arrin në përfundimin se në Shqipëri barra më e lartë e lëndimeve dhe vdekjeve bie në mënyrë jopërpjestimore mbi të varfërit - këmbësorët, pasagjerët e autobusëve dhe fugonave, dhe çiklistëve.
Qeveria e ka njohur urgjencën e trajtimit të këtyre çështjeve dhe është përqëndruar në ruajtjen e aseteve dhe sigurisë rrugore. Ajo ka rritur vëmendjen për reformat e sigurisë rrugore, ka miratuar një Strategji të Sigurisë Rrugore dhe Planin e saj të Veprimit, si dhe ka miratuar kontrolle të detyrueshme të sigurisë rrugore për të gjitha rrugët e reja. Përveç kësaj, më shumë vëmendje i kushtohet inspektimeve të automjeteve dhe korrigjimit të njollave të zeza (me më shumë rrezikshmëri). Strategjia Kombëtare e Sigurisë Rrugore 2011 - 2020 është në përputhje me Strategjinë Rajonale të Rrugëve, e zhvilluar nga Observatori i Transportit i Evropës Juglindore (SSETO), e cila ka si qëllim të përmirësojë sigurinë rrugore në vend duke e bërë atë të krahasueshme me nivelet e vendeve me performanceë më të mirë në BE-së, si dhe të krijojë një tendencë pozitive në rënie të vazhdueshme të numrit të vdekjeve dhe lëndimeve. Objektivi i Qeverisë është të ulë numrin e viktimave nga trafiku rrugor me 50 për qind deri në vitin 2020 krahasuar me vitin bazë 2009, që do të thotë ulja në 50 viktima / 100.000 automjete.
Banka Botërore i ka mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në sektorin e transportit. Gjatë dy dekadave të fundit, Banka ka ofruar 200 milion dollarë që kanë ndihmuar për të ndërtuar, riparuar ose mirëmbajtur më shumë se 1700 km rrugë nacionale dhe rurale. Aktualisht, është duke u zbatuar një Projekt për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë e Rrugëve i Bazuar në Rezultate, me vlerë rreth 80 milion dollarë, me qëllim mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për mirëmbjatjen e kushteve të rrugëve dhe përmirësimin e sigurisë të rrjetit rrugor kombëtar, forcimin e praktikave të qëndrueshme dhe efikase të menaxhimit dhe të sigurisë të aseteve rrugore.
Projekti do të mbështesë sigurinë rrugore duke forcuar kapacitetet e Këshillit Ndërministerial për Sigurinë Rrugore, duke futur kurse trajnimi për akreditimin e kontrollit të sigurisë rrugore, duke mbështetur fushatat mediatike, dhe përmirësimin e Sistemit të informacionit për aksidentet. Disa praktika të mira të pranuara ndërkombëtarisht, të tilla si identifikimi i një agjencie udhëheqëse për të drejtuar përpjekjet për sigurinë rrugore dhe përgatitja e një Strategjie Kombëtare dhe një Plani Veprimi janë hapat e duhura për t’u ndërmarrë. Kërkohen përpjekje shumë më të bashkërenduara në drejtim të shpërndarjes së burimeve financiare dhe njerëzore të afta, monitorim aktiv dhe mobilizim dhe motivim i institucioneve përkatëse, përveç transportit dhe policisë, për të zbatuar bashkërisht Planin e veprimeve.
Siguria rrugore është një përgjegjësi e përbashkët, e cila nuk i takon vetëm një institucioni, ose vetëm Qeverisë. Ajo duhet të përfshijë të gjithë përdoruesit, OJQ-të, profesionistët dhe industrinë. Kjo ngjarje është një kontribut i rëndësishëm për axhendën e sigurisë rrugore dhe një shembull se si ngjarje publike të sponsorizuara nga sektori privat mund të rrisin ndërgjegjësimin. Unë shpresoj se kjo konferencë do të japë rekomandime për të përmirësuar më tej standardet e sigurisë rrugore në Shqipëri, bazuar në praktikat më të mira rajonale dhe të vendeve të tjera të BE-së.