Kjo faqe në:

Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

Fjala e znj. Tahseen Sayed, Menaxhere e Bankës Botërore për Shqipërinë ne Workshopin teknik për shqyrtimin e politikës farmaceutike

Tahseen Sayed, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri

Shqyrtimi i Politikave Farmaceutike në Shqipëri

Tirana, Shqipëria

2014-07-16

Siç përgatitet për dorëzim

Gjatë dekadave të kaluara Shqipëria ka bërë përparime në përmirësimin e shëndetit. Jetëgjatësia e pritur arriti 77 vjeç në vitin 2011 (80 për gratë dhe 74 për burrat) dhe krahasohet në mënyrë të favorshme me vendet e tjera të rajonit. Gjithsesi, disa tregues kyç të performancës janë të ndryshëm, si p.sh. vdekshmëria e foshnjore dhe e të sapolindurve ishin 18 dhe 11 për 1,000 lindje respektivisht, që është pak më e lartë se statistikat e krahasueshme për vende të tjera në Europën Juglindore.          

Një çështje kritike është se mbrojtja financiare e familjeve kundrejt pagesave nga xhepi është relativisht e dobët dhe cilësia e kujdesit mbetet një shqetësim domethënës. Në vitin 2013 shpenzimet publike në Shqipëri për shëndetësinë ishin të një vlerë prej 2.6 përqind të PBB-së, nivel ky më i ulëti ndërmjet vendeve të rajonit. Shpenzimet nga xhepi zinin deri në 55 përqind të shpenzimeve totale për shëndetësinë (më e larta kjo ndërmjet vendeve të rajonit) prej të cilave 45 përqind ishin shpenzuar për produkte farmaceutike.

Minstria e Shëndetësisë ka nisur reforma të mëdha për sektorin e shëndetësisë. Banka Botërore po punon ngushtë me të për të përgatitur një program mbështetjeje në kuadrin e një Projekti të ardhshëm të Reformës në Shëndetësi, që kërkon (i) të përmirësojë efikasitetin dhe cilësinë e ofrimit të shërbimeve spitalore; (ii) përmirësimin e sistemit të informacionit për menaxhimin shëndetësor (HMIS); dhe (iii) përmirësimin e Sistemit të Financimit Shëndetësor duke përfshirë hartimin dhe përdorimin në projekte pilot të politikave novatore farmaceutike. Ministria ka nisur gjithashtu një reformë ambicioze në sektorin farmaceutik me synimin që t’i bëjë shpenzimet më racionale, të përmirësojë vendimarrjen për rimbursimet dhe të rrisë aksesin në barna. Disa masa të reformës janë zbatuar tashmë:reduktimi i marzheve të shitjes me shumicë e pakicë dhe heqja e TVSH-së për barnat që nga prilli 2014.

Qëllimet e reformës farmaceutike janë të njëjta me ato të reformës së sektorit të shëndetësisë: barazi dhe akses, cilësi dhe efikasitet. Gjithsesi, për shkak të diferencave në financim dhe në ofrimin e shërbimeve, disa probleme si pabarazia mund të jenë më të vështira brenda sektorit farmaceutik.

Banka Botërore ka dhënë asistencë teknike për shqyrtimin e Politikave Farmaceutike duke sjellë përvojën e vendeve të tjera. Workshop-i sotëm është organizuar që të diskutohen gjetjet me ju.

Ndërsa përherë e më tepër kuptohen përfitimet nga shpenzimet për barna, prova kyçe është që kjo të zbërthehet në politika për veprim. Kur shpenzimet nuk menaxhohen ato mund të  bëhen probleme fiskale për brezat e ardhshëm ndërsa kur shpenzimet jnë shumë të vogla ato sjellin rrezikun që popullsia e Shqipërisë ndërsa plaket të jetë më pak e shëndetëshme dhe më pak produktive. Shpenzimet për barnat japin përfitime sociale dhe ekonomike që duhet të njihen në çdo diskutim për politika të ardhme ose vendime për shpenzimet.Një sfidë kyçe e politikës publike  është se si të sigurojë mirëqenien e shqiptarëve duke mbajtur një nivel të përshtatshëm të kontrollit fiskal. Barnat e reja ofrojnë kura të reja të vlefshme dhe përmirësime të kurave ekzistuese. Kjo mund të reduktojë incidencën e problemeve me kurat ekzistuese dhe koston e përgjithshem të kujdesit.

Më lejoni të ndaj me ju tri çështje kyçe farmaceutike që vihen në dukje në materialin për shqyrtimin e politikave:

  • Së pari, krahasimet e çmimeve me çmimet në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (Serbia, Maqedonia, Kroacia) tregojnë se Shqipëria, sidomos nëse merret në konsideratë konteksti i saj ekonomik, ka potencial të madh për të reduktuar çmimet e barnave.
  • Së dyti, kufizimet nga ana a furnizimit ende mbeten një pengesë e madhe për realizimin e uljeve të mëdha për çmimet e barnave, gjë që i bën barnat e shtrenjta të paarritshme për një grup të madh të popullsisë. Provat tregojnë se spitalet vazhdimisht ballafaqohen me mungesë barnash dhe se prokurimi i barnave për spitalet ende mbetet një sfidë.
  • Së treti, masa të mundshme rregullatore si për ofertën dhe për kërkesën mund të zbatohen për një afat të shkurtër/mesëm. Objektivi do të ishte reduktimi i nivelit të lartë të bashkëpagesave, krijimi i kursimeve dhe sigurimi i vlerës në këmbim të parave për shpenzimet publike të shëndetësisë për barna, rritja e aksesit ndaj barnave që shpëtojnë jetën, kontrolli i rritjes së shpenzimeve për barnat dhe garantimi i dhënies së barnave me recetë në mënyrë racionale.

Cilat do të ishin disa masa për të shkuar drejt zgjidhjes së këtyre problemeve? Një prioritet kryesor është zhvillimi i një kuadri të gjithanshëm që përfshin aspekte teknike të përcaktimit të çmimeve dhe të politikës së rimbursimit duke përfshirë rregullat për lëshimin e recetave dhe shpërndarjen e barnave. Kjo do të shmangte humbjen e burimeve të pakta dhe do t’i lejonte qeverisë të kontrollonte rritjen e shpenzimeve farmaceutike. Materiali i hartuar jep rekomandime si për aspektin e ofertës, ashtu edhe për atë të kërkesës dhe këto do të prezantohen sot për diskutim. Zbatimi i suksesshëm do të kërkonte i) bazë të mirë ligjore, ii) vullnet politik, iii) kapacitetin për të imponuar zbatimin e rregullave, iv) aftësitë për të menaxhuar dhe v) sisteme për grumbullimin e të dhënave për të matur si të dhënat standarde, ashtu edhe ato që kanë të bëjnë me ndikimin e një mase të caktuar.

Banka Botërore mbetet e angazhuar dhe është në dispozion për të dhënë asistencë të vazhdueshme teknike ndërsa Shqipëria hedh hapa për të reformuar këtë pjesë të rëndësishme të sektorit të shëndetësisë.