Kjo faqe në:

OPINION

Gjinia dhe kreditë: A ka njëanshmëri gjinore në dhënien e kredive?

Thorsten Beck

All About Finance

2013-04-15

Kontaktet e mediave
Në Tiranë

Ana Gjokutaj
tel : tel : +(355-42) 280 655

Sikurse tregojnë teoria dhe studimet empirike, identiteti i grupit që mund të jetë familja, etnia ose gjinia, është një parashikues i fuqishëm i preferencave sociale. Në mënyrë të veçantë, njerëzit favorizojnë anëtarët brenda grupit kundrejt atyre jashtë grupit. Ky lloj favorizimi mund të ketë pasoja pozitive ose negative. Nga njëra anë mund të çojë drejt transaksioneve inefiçente dhe mundësive të humbura. Nga ana tjetër, identiteti i grupit mund të lidhet me besimin, reciprocitetin dhe efikasitetin për shkak të normave dhe gjykimit të përbashkët. Në kërkimet e kohëve të fundit, me Patrick Behr dhe Andreas Madestam ne shqyrtojmë dhe vlerësojmë këto hipoteza duke ekzaminuar një formë të rëndësishme të identitetit të grupit, gjininë, si dhe pasojën e preferencave që njerëzit kanë ndaj njerëzve me të njëjtën gjini me ta në tregun e kredive. Kemi përdorur transaksione mikrokredish, pasi ato janë ideale për të testuar hipoteza të ndryshme, duke u mbështetur shumë në punën tonë te transaksionet mes punonjësve të kredidhënies dhe huamarrësve.

Duke shfrytëzuar një bazë të madhe të dhënash tabulare për transaksione huash nga një institution mikrokreditimi në Shqipëri, shqyrtojmë nëse përputhja e gjinisë së punonjesit të kredidhënies me atë të huamarrësit ka ndikim te gjasat që huamarrësit të kthehen te huadhënësi për kredi të tjera. Në mënyrë specifike kemi një bazë të dhënash për deri në 7300 persona që kanë marrë kredi për herë të parë dhe informacionet e hollësishme në lidhje me kushtet e kredive, pagesat e prapambetura dhe karakteristikat e huamarrësve. Më me rëndësi është fakti se kemi informacion mbi gjininë e huamarrësve dhe të punonjësve të kredidhënies sikurse edhe informacion për përvojën e mëparëshme të këtyre të fundit. Përveç këtyre përdorim variacionet në konkurrencën në tregun financiar dhe në numrin e të punonjësve të kredidhënies të punësuar në secilën nga degët e bankave përgjatë një periudhe të caktuar kohore për të vlerësuar variacionin e mundësisë së njëanshmërisë së përdorimit të kompetencave të punonjësve të kredidhënies ndaj personave të së njëjtës gjini.

Vlerësimi i efektit të preferencave të gjinisë së njëjtë me atë të subjekteve paraqet dy sfida. Së pari, nëse huamarrësit meshkuj ose femra me karakteristika të caktuara kanë më shumë gjasa që t’u caktohen punonjës të kredidhënies me gjini të njëjtë ose të kundërt me ta, efekti i vërtetë i gjinisë së këtyre të fundit  do të ishte i njëanshëm. Së dyti, nëse tipare të pavëzhguara të huamarrësve lidhen me gjininë e huamarrësit dhe nëse këto mund të vihen re nga punonjësit e kredidhënies, por jo nga studiuesit, nuk është e qartë nëse një koecifient domethënës mbi gjininë vjen si pasojë e njëanshmërisë së punonjësve të kredidhënies apo si pasojë e tipareve të pavëzhgueshme.

Këto çështje i trajtojmë duke shfrytëzuar një përbërës në dukje të rastësishëm të mjedisit institucional të huadhënësit: faktin që personat që marrin kredi për herë të parë u caktohen në mënyrë arbitrare oficerëve të kredisë, kur vetëm sektori dhe viti i aplikimit janë fakorët e vetëm që çojnë në këtë lidhje me një punonjës të caktuar. Në varësi të sektorit dhe të vitit, caktimi rastësor i huamarrësve për punonjësit siguron që karakteristikat e pavëzhgueshme të huamarrësve janë të njëjta për të gjithë oficerët, pavarësisht gjinisë së tyre.

Në mënyrë të veçantë krahasojmë ndryshimin në rezultatet e tregut të kredive për huamarrës meshkuj dhe femra që marrin kredi nga punonjës meshkuj dhe nga punonjës femra.

Duke përdorur teknikën ndryshimi-tek-ndryshimi, vëmë re se:

·          Huamarrësit, me gjini të kundërt me oficerët e kredisë kanë 11% më pak gjasa që të aplikojnë për një kredi tek i njëjti huadhënës për një kredi të dytë, krahasur me huamarrës të cilëve ju caktohen punonjës që kanë të njëjtën gjini me ta.

·          Ky efekt është veçanërisht i dukshëm në rastin e punonjësve të kredidhënies me përvojë të kufizuar me huamarrës të gjinisë tjetër, duke sugjeruar se njëanshmëria eliminohet nëpërmjet të mësuarit në punë që ka lidhje specifike me gjininë. Gjithashtu, vërejmë se ai ekziston vetëm kur punonjësit  e kredisë kanë një shkallë të mjaftueshme kompetencash si pasojë e konkurfencës së ulët nga institucione të tjera financiare dhe degët me numër të vogël të punonjësve të kredidhënies.

·          Personat që marrin kredi për herë të pare, të cilëve ju caktohen punonjësve me gjini të kundërt paguajnë mesatarisht norma interesi 35 pikë më të larta sesa ata huamarrës që iu caktohen oficerëve të së njëjtës gjini me ta. Sërisht, këto efekte janë më të shprehura (rreth një pikë përqindje) kur oficerët kanë më pak përvojë pune me persona të gjinisë tjetër dhe më shumë kompetenca (konkurencë më e dobët e jashtme dhe degë me të vogla).

·          Gjithashtu, huamarrësit që iu janë caktuar punonjësve me më pak ekspozim ndaj gjinisë tjetër dhe një shkallë më të madhe kompetencash, marrin shuma kredish 4-24% më të vogla.

Nëse asimetritë e informacionit ndërmjet punonjësve dhe huamarrësve do të ishin të rëndësishme, variacioni që vëzhgohet në normat e interesit ose në shumat e kredive duhet të reflektohet në rezultate të ndryshme për pagesat e prapambetura. Gjithsesi, rezultatet tona sugjerojnë se ato pagesa janë të pavarura nga përcaktimi i gjinisë punonjës-huamarrës. Mungesa e ndonjë ndryshimi të tillë mbështet ekzistencën e një njëanshmërie fillestare bazuar tek shija sesa nocionin e një hipoteze informacioni ku punonjësit e kredidhënies janë më efikasë kur kryejnë transaksione me huamarrës me gjini të njëjtë me ta sesa kur kryejnë transaksione me huamarrës me gjini të kundërt.

Gjetjet tona kanë ndikime të rëndësishme si për institucionet financiare, ashtu edhe për hartuesit e politikave. Së pari, rezultatet tona duhet të ndikojnë praktikat e burimeve njerëzore për punonjësit e kredidhënies pasi përvoja e tyre në lidhje me gjininë e kundërt ndikon në shkallën e njëanshmërisë ndaj personave me gjini të njëjtë me ta.

Së dyti, nga këndvështrimi i politikave, gjetjet tona mbështesin supozimin se konkurrenca në tregun financiar mund të jetë një instrument i fuqishëm për të reduktuar njëanshmërinë e punonjësve të kredidhënies dhe tek e fundit edhe atë të bankave ndaj huamarrësve të një gjinie të caktuar.