Skip to Main Navigation
Fjalime dhe tekstet e fjalimeve 31 janar 2020

Fjala përshëndetëse e Maryam Salim, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri

Image

E nderuar Ministër Manastirliu,

Të nderuar përfaqësues të qeverisë, agjencive të ndryshme, shoqërisë civile dhe partnerëve për zhvillim,

Zonja dhe Zotërinj,

Do doja të falenderoja edhe Mario Marianin nga Delegacioni i BE-së që me prezencën e tij ndihmoi të përmirësohej balanca gjinore në këtë aktivitet.  Dhe më duhet të pranoj që balanca gjinore në këtë audiencë është përmirësuar, por mund të jetë edhe më mirë herën tjetër. Do ishte mirë që herën tjetër ajo të përmirësohej edhe mes kameramanëve që mbulojnë aktivitetin.

Faleminderit për ftesën që më çuat për të përshëndetur prezantimin e Raportit të parë të Indeksit të Barazisë Gjinore në Shqipëri. Jam e lumtur dhe krenare që Banka Botërore dhe partnerë të tjerë për zhvillim mbështetën Qeverinë e Shqipërisë për ta përfunduar këtë raport gjatë 2019 dhe që ta prezantojmë sot.

Indeksi i Barazisë Gjinore është vetë një komponent i një program më të madh të qeverisë për të përmirësuar barazinë gjinore ndaj mundësive ekonomike në Shqipëri, program, i cili po mbështetet nga Banka Botërore dhe Agjencia Franceze e Zhvillimit. Siç mund ta dini, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë nënshkroi së fundmi me Bankën Botërore në Vjenë marrëveshjen e huasë për një mbështetje buxhetore për çështjet gjinore. Ky është program i parë i kësaj natyre për Bankën Botërore!

Indeksi i Barazisë Gjinore do të ndihmojë Qeverinë e Shqipërisë, qytetarët dhe shoqërinë civile të identifikojnë arritjet e bëra, mangësitë në dimensionet e ndryshme të barazisë gjinore, si dhe të monitorojnë progresin për mbylljen e hendekut gjinor. Ai do të jetë gjithashtu i dobishëm për të matur progresin me vendet fqinje.

Aftësia për një monitorim më të mirë të rezultateve rrit edhe shkallën e përgjegjshmërisë së qeverisë përkundrejt politikave që zbatohen. Ai duhet përdorur edhe për të monitoruar programet e mbështetura nga Banka Botërore dhe partnerë të tjerë për zhvillim.

Ky indeks duhet përdorur dhe treguar vemendje ndaj tij, Të dhëna të ngjashme në përdorim në raporte të njohura tashmë sic është p.sh. Të bësh biznes, që Banka e përgatit çdo vit. Ne të gjithë jemi të interesuar për performancën e biznesit, ekonomisë dhe sektorit financiar. Megjithatë, pa vëmendjen e duhur ndaj çështjeve gjinore nuk mund të kemi progresin që dëshirojmë.

Jam e sigurt se do të mësoni më shumë në prezantimet që do të mbahen sot sesi paraqitet Shqipëria në Indeksin e Barazisë Gjinore, ndaj dhe do doja të theksoja faktin e rëndësishëm se ky Indeks ka një ndikim mbi dialogun gjithësektorial. Është e nevojshme të arrihet progres real në barazinë gjinore, sepse vetëm një koordinim ndërsektorial do të jepte rezultate të qenësishme dhe të qëndrueshme.

Indeksi duhet përdorur në programet që ju hartoni dhe gjithashtu ka rëndësi edhe për ne në Bankën Botërore, ndërsa po përgatisim Kuadrin e ri të Partneritetit me Shqipërinë.

Do t’ju nxisja të shihni raportin me hollësi dhe përdorur atë si për hartimin e politikave ashtu dhe në dialogun me palët e interesuara.

Uroj që kur të prezantohet raporti i dytë i Indeksit të dëshmojë për progresin që do të arrihet.

Faleminderit dhe pres me interes të dëgjoj diskutimet tuaja. 

Api
Api