Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

Reforma e Pensioneve në Shqipëri

29 prill 2014


Tahseen Sayed, Manaxhere e Zyrës, Banka Botërore, Shqipëri Konferenca për Reformën e Pensioneve në Shqipëri Tirana, Shqipëria

Siç përgatitet për t’u mbajtur

Ju falenderoj për ftesën për të marrë pjesë në këtë event me rëndësi të madhe dhe në kohën e duhur, kur Qeveria e Shqipërisë po fillon konsultimet mbi Dokumentin e Politikave për Pensionet. Sistemi i pensioneve në Shqipëri ka nevojë për reforma që do të adresojnë midis çështjeve të tjera, edhe pasojat e ndryshimeve demografike. Popullsia po plaket. Edhe tani, kur Shqipëria është ende e re, në sistemin e saj të pensioneve janë shfaqur probleme, të cilat do të rrezikonin të binin në varfeëri të rinjtë e sotëm kur ata të jenë në moshë të vjetër. Ndaj reformat nevojiten për të mbrojtur të moshuarit e sotëm dhe ata në të ardhmen.

Image

Vendet në të gjithë rajonin janë duke reaguar kundrejt ndryshimeve demografike duke reformuar sistemet e tyre të pensioneve. Tri janë fushat kryesore që dalin në plan të parë.  Së pari, reformat në këto vende përfshijnë rritjen e moshës së pensionit. Vende si Mali i Zi, Polonia, Greqia, Italia dhe Spanja kanë rritur kohët e fundit moshat e daljes në pension në 67 vjec. Rritja e moshës së daljes në pension është propozuar edhe per Shqipërinë.  Së dyti, vendet në tranzicion u përpoqën të rrisnin pjesëmarrjen në sistemin e pensioneve të popullsisë në moshë pune. Megjithatë, të gjitha këto vende kanë kuptuar se kjo rritje nuk po ndodh aq shpejt sa do duhej për të parandaluar rënien në varfëri të një pjese të të moshuarve në të ardhmen. Për këtë arsye disa prej ketyre vendeve po krijojne pensionet sociale. Dhe së treti,  këto vende po përpiqen të gjejnë mënyrën më të mirë për të ofruar pensione të përshtatshme, por edhe të mjaftueshme.

Duke njohur nevojën kritike për reformimin e sistemit të pensioneve, Qeveria Shqiptare dhe akademikë e specialistë vendas kanë bërë shumë hulumtime e punë të rëndësishme mbi këtë çështje. Banka Botërore ka dhënë mbështetje teknike si dhe ka drejtuar punën analitike të bërë në këtë fushë përgjatë viteve të fundit. Unë jam e kënaqur që po krijohet konsensus mbi nevojën e kesaj reforme si dhe për çështjet thelbësore të saj. Aktiviteti i sotëm paraqet para jush disa opsione të Qeverisë për dialog dhe konsultime të mëtejshme.

Ndërsa diskutojmë sot opsione të veçanta të reformës së pensioneve në Shqipëri, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se kjo është një çështje thelbësore për rajonin. Mbi këtë bazë, Banka Botërore kohët e fundit përfundoi një raport rajonal mbi pensionet, të titulluar "Piramida e pëmbysur”, i cili nënvizon disa nga çështjet e ngjashme në të gjithë rajonin. Më lejoni të ndaj me ju tri gjetjet kryesore.

Së pari, vëmë re se Europa po plaket. Në vitin 2010, 15% e popullsisë ishte mbi moshën 65 vjeç. Deri në vitin 2050, 27% e popullsisë, pothuajse dyfishi, pritet të jetë mbi moshën 65. Shqipëria, duke e krahasuar sot, është e re me vetëm 12% të popullsisë mbi moshën 65 vjeçare. Por numri i të moshuarve në Shqipëri pritet të rritet më shumë se dyfish, deri në 25%, në vitin 2050. Sot, pothuajse një në tetë shqiptarë është mbi moshën 65 vjeç, ndërkohë që në vitin 2050 dy në tetë shqiptarë do të jenë mbi këtë moshë. Kjo ka dy implikime për Shqipërinë. Kjo do të thotë se plakja në Shqipëri do të ndodhë edhe më shpejt se në disa nga vendet më të vjetra dhe Shqipëria parashikohet të ketë popullsi më të madhe me moshën mbi 65 vjeç se sa vende si Franca, Suedia, Serbia dhe Mali i Zi.

Gjetja e dytë e rëndësishme e raportit është se popullsia në moshë pune, e cila aktualisht financon përfitimet për të moshuarit, po pakësohet. Shqipëria pritet të ketë një tkurrje të popullsisë në moshë pune prej 14% në periudhën 2010-2050, ndërkohë që  ka patur një rritje prej 91% të popullsisë në moshë pune nga 1970 në 2010, të cilët pritet të kenë dale apo dalin në pension gjatë periudhës që popullsia në moshë pune tkurret.

Konstatimi i tretë vë në pah një problem të veçantë midis vendeve në tranzicion që kaluan nga ekonomia e planifikimit të centralizuar në ekonominë e tregut. E kam fjalën këtu për rritjen e tregut informal të punës. Me një përqindje të madhe të popullsisë në moshë pune që nuk paguan kontribute, mbeten akoma më pak punonjës në sistem për të mbështetur të moshuarit e sotshëm. Por më e rëndësishmja është që kur punëtorët me pak ose aspak kontribute në sistemin e pensioneve të arrijnë moshën e pensionit, ata kanë gjasa të mos kenë të drejtën ta përfitojnë atë. Kjo ngre mundësinë që një numër i konsiderueshëm të moshuarish të përballen me varfëri në të ardhmen. Në Shqipëri, vetëm 35% e popullsisë në moshë pune kanë paguar kontributet në vitin 2012. Cilat janë pasojat në të ardhmen me uljen e kontributeve të pensioneve? Parashikohet që diku midis 30 dhe 50 për qind e të moshuarve nuk do të kenë pensione,  krahasuar me sot kur pothuajse të gjithë të moshuarit marrin një pension. Kjo është një çështje serioze. Nëse nuk merren masas, të moshuarit e ardhshëm do të jenë në rrezik serioz për të rënë në varfëri.

Këta pak shembuj  flasin për nevojën kritike për të reformuar sistemin e pensioneve me qëllim  mbrojtjen e të moshuarve të ardhshëm.

Banka Botërore ka kënaqësinë të marrë pjesë në këtë aktivitet duke mbështetur këtë proces konsultativ, ku qeveria ndan propozimet e saj me palët e interesuara dhe publikun e gjerë. Është e rëndësishme që reforma e pensioneve të vazhdojë me mbështetje dhe konsensus të gjerë. Politikat e Pensioneve dhe reformat do të kene pasoja për brezat sot dhe ata të ardhshëm. Ndaj është e nevojshme vazhdimësia e politikave, me mbështetje të gjerë të reformës, në mënyrë që të rrënjoset besimi tek punonjësit që përfitimet do të jenë aty për ta, kur të dalin në pension.

Ne kemi dhënë mbështetje teknike për Qeverinë dhe kemi ndarë eksperiencat e vendeve të rajonit dhe vendeve të tjera. Ekipi ynë teknik është i gatshëm për të vazhduar angazhimin dhe për të ofruar mbështetje të mëtejshme teknike kur të jetë e nevojshme. Ju urojmë sukses në procesin e konsultimeve që çon drejt finalizimit të reformës së sistemit të pensioneve.

Kontaktet e mediave
Tirana
Ana Gjokutaj
tel : +355 4 2 280 650/1
agjokutaj@worldbank.org

Api
Api

Welcome