Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP 5 mars 2021

Materialet mësimore për familjet nevojtare i japin shtytje zhvillimit gjatë fëmijërisë së hershme në Kosovë, falë mbështetjes nga Banka Botërore

PRISHTINË, 5 mars 2021 – Fëmijëve nga komunitetet e pafavorizuara dhe familjeve nevojtare në Kosovë u janë siguruar libra, lojëra dhe aktivitete të tjera të mësimit në shtëpi, me dorëzimin e rreth 1500 pakove për fëmijë të moshës 0-7 vjeç, si pjesë e mbështetjes së Bankës Botërore për përgjigjen e Kosoves ndaj pandemisë së COVID-19.

Këto aktivitete të mësimit në shtëpi janë duke u plotësuar me video mësime të prodhuara rishtazi, të cilat do të transmetohen çdo ditë përmes një platforme të dedikuar online, disa TV stacioneve lokale dhe mesazheve SMS për afro 50,000 familje në Kosovë, si pjesë e Financimit urgjent për COVID-19 për mbështetjen e zhvillimit gjatë fëmijërisë së hershme.

“Banka Botërore i konsideron investimet në zhvillimin fizik, njohës, gjuhësor dhe socio-emocional të fëmijëve të vegjël - nga periudha para lindjes deri në kalimin e tyre në shkollën fillore - si tejet të rëndësishme për vendosjen e vendit në një rrugë drejt prosperitetit më të madh, gjë që, nga ana tjetër, do të ndihmojë Kosovën të bëhet më produktive dhe më konkurruese në ekonomine globale që po ndryshon me shpejtësi”, thotë Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Objektivi i përgjithshëm i financimit për të mbështetur zhvillimin gjatë fëmijërisë së hershme është të sigurojë që fëmijët e vegjël, të moshës 0-7 vjeç, dhe familjet e tyre mbështeten me shërbime dhe informacione që promovojnë zhvillimin e fëmijëve të vegjël brenda kontekstit të kundërpërgjigjes së qeverisë ndaj COVID-19. Projekti është dizajnuar për të vënë në shënjestër komunitetet e pafavorizuara, për të përmirësuar vetëdijesimin e prindërve, për të zhvilluar strategji përballuese për ofruesit e kujdesit dhe për të ofruar këshilla/aftësi të edukimit interaktiv të bazuar në lojë për ofruesit e kujdesit.

COVID-19 ka sjellë sfida shtesë për zhvillimin gjatë fëmijërisë së hershme në Kosovë – aspekt ky që edhe ashtu ka telashe për shkak të mbulimit të dobët në këtë fushë. Me më pak se gjashtë për qind të fëmijëve që përfitojnë nga arsimi parashkollor, Kosova ka nivelin më të ulët të pjesëmarrjes dhe ofrimit të arsimit parashkollor cilësor në rajon dhe në Evropë. Për më tepër, klasat parafillore të organizuara në shkolla mbulojnë vetëm rreth 90 për qind të fëmijëve të moshave 5-6 vjeç. 

 “Vitet e para të jetës së një fëmije kanë rëndësi të jashtëzakonshme, duke pasur parasysh zhvillimin mrekullisht të shpejtë të fëmijëve të moshave 0-6 vjeç,” thotë Labëri Luzha, Udhëheqëse e Divizionit të Arsimit Parashkollor në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës. “Me partnerë si Banka Botërore, ne jemi në gjendje të mbështetim më mirë zhvillimin e hershëm - jo vetëm të fëmijëve që përfitojnë nga institucionet parashkollore, por edhe të fëmijëve që arsimohen në shtëpitë e tyre”, shton ajo.

1500 pakot u shpërndanë nëpërmjet qendrave lokale për punë sociale në tri komuna të ndryshme në Kosovë: Mitrovicë, Fushë Kosovë dhe Shtime. Këto pako u shpërndanë me synim të veçantë te komunitetet e pakicave etnike rome, ashkali dhe egjiptiane, si dhe pakicat e tjera etnike të regjistruara në arsimin parafillor dhe familjet që përfitojnë nga skemat e ndihmës sociale.

Ky grant për Kosovën u dha nga Partneriteti i Mësimit të Hershëm i menaxhuar nga Banka Botërore. Programi i Bankës Botërore në Kosovë aktualisht mbështet 11 projekte në sektorë të ndryshëm, me gjithsej 281.6 milionë dollarë hua të ofruara me kushte koncesionare. Banka Botërore gjithashtu mbështet Kosovën me financim në formë të granteve dhe me punë analitike.


DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2021/ECA/70

Kontakt

Prishtinë
Lundrim Aliu
+383-38-224-454-1100
wbg-kosovo@worldbank.org
Api
Api