NJOFTIME PËR SHTYP

Strategjia e re e Grupit të Bankës Botërore në Kosovë nxit investimet dhe rritjen e orientuar kah eksporti

24 maj 2017


UASHINGTON, 23 maj 2017 — Korniza e Partneritetit të Vendit (KPV) e Grupit të Bankës Botërore (GBB) për Kosovën për periudhën 2017-21 synon që ta ndihmojë vendin për të ecur drejt rritjes më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, të orientuar kah eksporti, në mënyrë që qytetarëve të saj t’u ofrohen më shumë mundësi për një jetë më të mirë.

"Strategjia e diskutuar sot nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Grupit të Bankës Botërore, e mbështetë agjendën zhvillimore të Kosovës duke u fokusuar në tri fusha: përshpejtimi i rritjes së sektorit privat dhe krijimi i vendeve të punës; përmirësimi i ofrimit të shërbimeve publike dhe promovimi i energjisë së besueshme”, tha Ellen Goldstein, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Me këtë strategji të re, Banka Botërore po i mbështetë projektet dhe reformat që do ta përshpejtojnë rritjen dhe do të promovojnë punësimin - veçanërisht për të rinjtë dhe gratë”.

Kosova ka pasur rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike në vitet e fundit. Megjithatë, rritja e drejtuar kryesisht nga konsumi, e nxitur nga remitancat dhe ndihmat e huaja, ka bërë pak për krijimin e vendeve të punës në vend. Për ta ruajtur rritjen e shpejtë dhe të qëndrueshme, me krijimin e vendeve të punës, nevojitet një ribalancim gradual i rritjes në drejtim të shtimit së produktivitetit në vend dhe konkurrencës më të madhe jashtë vendit.

Programi i GBB-së ka kontribuar në përmirësime të dukshme në mjedisin mundësues të biznesit në Kosovë gjatë viteve të fundit. Këto përmirësime ndihmuan që vendi të lëvizte nga pozita e 117-të në renditjen e ‘Të bërit biznes’ në vitin 2012 në vendin e 60-të në vitin 2016, që u arrit përmes përmirësimeve në regjistrimin e biznesit dhe sistemet e kadastrës dhe regjistrimit të tokës. Edhe sistemi financiar i Kosovës u forcua dhe tregoi stabilitet më të madh financiar.

Sipas KPV-së së re, GBB do të vazhdojë që ta mbështesë uljen e barrës administrative për bizneset, si dhe, në tërësi, reformat e politikave të investimeve për të tërhequr në vend investime private dhe IHD me cilësi më të lartë. Nëpërmjet projektit të aprovuar kohëve të fundit, Projektit për konkurreshmërinë dhe gatishmërinë për eksport, Banka Botërore do ta ndihmojë Kosovën edhe në forcimin e certifikimit të produkteve për tregjet e eksportit dhe do ta zhvillojë gadishmërinë e biznesit për eksport. Ajo gjithashtu do ta mbështesë produktivitetin dhe konkurrencën e bujqësisë, një sektor me potencial të mirë për eksport dhe për krijimin e vendeve të punës.

Për t’i trajtuar pengesat që e kufizojnë kontributin më të madh të sektorit privat ndaj rritjes, Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), agjencia e Grupit të Bankës Botërore që e promovon zhvillimin e sektorit privat në vendet në zhvillim, do të vazhdojë që ta mbështesë sektorin privat përmes investimeve dhe punës këshilluese për ta inkurajuar rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.

“IFC do të angazhohet në përpjekjet për ta përmirësuar mjedisin e biznesit dhe qeverisjen korporative, ta joshë pjesëmarrjen e sektorit privat në infrastrukturë dhe në projektet e energjisë dhe të ndihmojë në përmirësimin e qasjes në financa për kompanitë e angazhuara në prodhim dhe shërbime, si dhe prodhuesit bujqësor”, tha Thomas Lubeck , Menaxheri Rajonal i IFC-së për Ballkanin Perëndimor.

GBB-ja gjithashtu do t’i mbështesë autoritetet e Kosovës në përpjekjet e tyre për ta përmirësuar menaxhimin financiar, administratën publike dhe ofrimin e shërbimeve publike. Ajo do ta synojë promovimin e efikasitetit dhe prioritizimin e shpenzimeve publike për ta siguruar shfrytëzimin më të mirë të burimeve të pakta publike. Mbështetja e GBB-së do të fokusohet në menaxhimin e gërshetuar të burimeve publike, të plotësuara me ndërhyrje të synuara për ta rritur cilësinë dhe qasjen në arsim dhe në shërbime shëndetësore. Qëllimi është ta ndihmojë Kosovën për ta kapur dividentin e saj demografik duke krijuar vende pune dhe mundësi ekonomike për të rinjtë.

GBB-ja gjithashtu do të vazhdojë që ta mbështesë Kosovën në lehtësimin e furnizimit jo të besueshëm me energji, pengesën më të madhe ndaj përshpejtimit të rritjes, ndaj uljes së varfërisë dhe krijimit të vendeve të punës.

“Banka Botërore, së bashku me partnerët tjerë zhvillimor, është e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën në zgjidhjen e mungesës së energjisë përmes një strategjie gjithëpërfshirëse që e përfshinë rritjen e efiçiencës të energjisë, zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, integrimin në tregjet rajonale të energjisë dhe mbështetjen për gjenerim të ri të energjisë e cila është e besueshme dhe e përballueshme për qytetarët”, tha Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën.

KPV-ja do të ndërtohet mbi progresin substancial të gjertanishëm në zhvillimin e të rinovueshmeve, efiçiencën e energjisë dhe pastrimin e mjedisit në sektorin e energjisë të mbështetur nga programet e GBB-së. Për shembull, Banka ndihmoi në përmbylljen e praktikës 50-vjeçare në prodhimin e energjisë me hedhje të hapur të hirit të thëngjillit të thatë dhe e zëvendësoi sistemin ndotës të trajtimit të hapur të hirit të thatë me një sistem të ri të mbyllur të trajtimit të hirit të lagësht. Aktualisht ajo po e mbështet rehabilitimin e ndërtesave publike për ta përmirësuar efiçiencën e energjisë dhe zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme për investimet e sektorit privat. IFC-ja e ka këshilluar Qeverinë e Kosovës në privatizimin e furnizimit dhe distribucionit së kompanisë elektro-energjetike të Kosovës, e cila deri tani ka gjeneruar mbi 148 milionë euro nga tarifat dhe ulja e humbjeve të distribucionit.

Financimi i Grupit të Bankës Botërore në Kosovë gjatë periudhës së KPV-së vlerësohet të jetë midis 210 dhe 280 milionave dollarë. Kosova është e pranueshme për financim nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) i Grupit të Bankës Botërore, që është fondi për vendet me nevojat më të mëdha për zhvillim. Kreditë IDA ofrohen me kushte koncesionare, me kamatë zero ose shumë të ulët dhe periudha të gjata të kthimit. Banka Botërore ka portofol të vazhdueshëm prej gjashtë projekteve, prej gjithsej 124 miliona dollarë. Pritet që IFC-ja ta mbështesë sektorin privat në Kosovë me deri 60 miliona dollarë gjatë periudhës së zbatimit të KPV-së. IFC-ja aktualisht i ka tre projekte që kapin 7.5 miliona dollarë.

Kjo KPV u informua nga një varg konsultimesh me një spektër të gjerë të hisedarëve – qeveria, parlamenti, shoqëria civile, institutet, akademia, sektori privat dhe partnerët ndërkombëtar zhvillimor.

 

Për më shumë informata rreth punës së Bankës Botërore në Kosovë, vizitoni:

https://www.worldbank.org/en/country/kosovo ose faqen në Facebook World Bank Kosovo

 

Na vizitoni në Facebook: www.facebook.com/WorldBankEuropeCentralAsia

Përditësohuni përmes Twitter: www.twitter.com/worldbank

Kanali jonë në YouTube: www.youtube.com/worldbank

 

Për më shumë informata rreth punës së IFC0së në Kosovë, vizitoni: www.ifc.org/eca

 

Qëndroni të lidhur me IFC:        

www.facebook.com/IFCwbg     

www.twitter.com/IFC_org
www.youtube.com/wbifc
www.ifc.org/SocialMediaIndex

Kontaktet e mediave
Në Prishtinë
Lundrim Aliu
tel : (+381-38) 224-454-1100
laliu1@worldbank.org
Në Uashington
John Mackedon
tel : (+1-202) 458-1358
jmackedon@worldbank.org
Në IFC Begorad
Slobodan Brkic
tel : (+381-11) 3023-750
sbrkic@ifc.org

DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2017/ECA/126

Api
Api

Welcome