Firmoset marrëveshja për Projektin e Investimeve për Sektorin e Ujit
TIRANË, 16 janar 2014 – Qeveria e Shqipërisë dhe Banka Botërore firmosen sot marrëveshjen për huanë për Projektin e Investimeve për Sektorin e Ujit, në shumën 85.3 milionë dollarë amerikanë. Në emër të Republikës së Shqipërisë marrëveshja u firmos nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe për Bankën Botërore nga Përfaqësuesja e Përhershme e saj në Shqipëri Tahseen Sayed. Ceremonia u mbajt në Bashkinë e Durrësit në praninë e Kryeministrit Edi Rama, Drejtoreshës së Bankës Botërore për Evropën Juglindore Ellen Goldstein, Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, krerëve të pushtetit vendor si dhe të ekipit që përgatiti projektin. Ky projekt u aprovua nga Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve më 20 dhjetor 2013.
Ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve në qytetin bregdetar të Durrësit si dhe përmirësimin e performancës financiare të ndërmarrjes së ujësjellësit të këtij qyteti. Projekti synon të përmirësojë dhe zgjerojë rrjetin ekzistues të ujësjellës-kanalizimeve në Durrës, qytetin e dytë më të madh, një nga destinacionet kryesore turistike dhe portit kryesor në vend. Kjo do të arrihet përmes investimeve në rrjetin e ujësjellësit dhe ndërtimit të tubacioneve për transportin e ujit që lidhin fshatrat me sistemin e ujësjellësit të qytetit dhe ul humbjet në rrjetin e shpërndarjes së ujit. Ky projekt, gjithashtu, do të mbështesë investime në rrjetin e kanalizimeve dhe rritjen e kapacitetit të transferimit nga zona bregdetare turistike në impiantin ndërtuar rishtazi të trajtimit të ujërave të zeza.