Fahrije Hoti buzëqeshë mbi kavanozet e mbushura me ajvar dhe me speca të gjelbër të futur në ajkë në shtëpinë e shndërruar në ndërmarrje për përpunimin e specave. “Jemi ndërmarrja e vetme në Kosovë që udhëhiqet dhe përbëhet 100% vetëm prej femrave", thotë Hoti, një fermere 44-vjeçare. Hoti, e cila e udhëheqë kooperativën bujqësore në Krushë, ka arsye për të qenë krenare. Kooperativa u ka ndihmuar 40 punëtoreve të saj që të rindërtojnë jetën e tyre pas luftës tragjike në Kosovë gjatë vitit 1998-99.
Më 26 mars 1999, në njërin nga krimet më të këqija të luftës, pasi që Krushës i ishte vënë zjarri, gratë dhe fëmijët kishin ikur ndërsa mbi 200 meshkuj, të moshës 12 deri 90 vjeçare, ishin grumbulluar dhe vrarë. Rreth 500 fëmijë nga Krusha - përfshirë edhe vajzën tri vjeçare dhe djalin tre muajsh të Hotit - humbën baballarët e tyre. Pas kthimit në fshat pas përfundimit të luftës, gratë u ballafaquan me një obligim të madh - rindërtimin vetanak të jetës së familjeve të tyre. “Vendosëm që t'i ktheheshim jetës, punës," Hoti thotë. Të vejat filluan të kultivojnë të mbjellat, të punojnë tokën dhe të kryenin të gjitha punët që i kishin bërë burrat e tyre. Hoti mbolli speca mirëpo ishte e vështirë t’i shiste ato në treg pasi që dalja në rrugë si e ve e re konsiderohej e papërshtatshme në komunitetin e saj të vogël. E ballafaquar me nevojën për të ardhura, asaj i erdhi ideja që t'i bënte specat turshi.
Në vitin 2005, me ndihmën e disa OJQ-ve ndërkombëtare dhe donatorëve, Hoti dhe disa gra të tjera filluan përpunimin dhe konservimin e produkteve të tyre për dimër. Pesë vite më vonë, ato e shndërruan shoqatën e tyre të grave të veja në një biznes të regjistruar, dhe kështu lindi Kooperativa Krusha. Tani, produktet e tyre shiten në rreth 200 shitore në tërë Kosovën si dhe eksportohen edhe në Zvicër.
Vitin e kaluar, Kooperativa Krusha fitoi një grant për bashkë-financim prej 15.500 Euro nga Projekti për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i cili zbatohet nga Qeveria e Kosovës dhe mbështetet nga një kredi e Bankës Botërore në vlerë prej 20.5 milion dollarëve amerikan, si dhe një granti ekuivalent prej 9.28 milion dollarëve, që jepet nga Qeveria e Danimarkës. Ato i investuan këto fonde në makineri për pjekjen e specave, bure, enë për përgatitje e ajvarit, makineri për bluarjen e specave dhe lakrës, dhe një kazan për përpunimin e specave. “E kemi dyfishuar prodhimin e ajvarit nga specat prej 20,000 kilogramëve në gati 40,000 kilogram si rezultat i pajisjeve të reja që i kemi marrë,” Hoti thotë. “Puna është bërë shumë më e lehtë me makinat e reja për përpunimin e specave, mirëpo për shkak të rritjes së kapacitetit ne e rritëm edhe numrin ë të punësuarave nga 25 sa ishin vitin e kaluar në 43 sa janë tani", shtoi ajo.
Jan-Peter Olters, Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, theksoi se kooperativa mund të jetë një frymëzim për të tjerët. "Kooperativa Krusha është një shembull veçanërisht inkurajues se si potenciali i madh i Kosovës, por shpesh i fjetur, mund të zhbllokohet, bilës edhe në rrethanat më të vështira me një kombinim të iniciativave private dhe mbështetjes, të cilat mundësojnë përmirësim të ambientit institucional gjithëpërfshirës".