Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

Fjala e Tahseen Sayed gjatë nënshkrimit të Projektit për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore të Bazuar në Rezultate

10 prill 2015


Tahseen Sayed

Siç përgatitet për t’u mbajtur

I dashur Ministër Cani,

I dashur Ministër Haxhinasto,

Përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe Autoritetit Shqiptar të Rrugëve,

Zonja dhe Zotërinj!

Jam e lumtur që jam sot me ju në ceremoninë e nënshkrimit të Projektit për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore të Bazuar në Rezultate, projekti i dytë i asistuar nga Banka Botërore që po nënshkruajmë me Qeverinë e Shqipërisë gjatë këtij viti. I jam mirënjohëse Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, për udhëzimet gjatë përgatitjes së projektit, dhe Ministrit të Financave, për mbështetjen e tij të vazhdueshme. Banka Botërore ka një angazhim prej më shumë se dy dekadash në sektorin e transportit të Shqipërisë me rezultate shumë të suksesshme me dy projektet e transportit dhe projektet rrugore të përfunduara gjatë viteve të fundit. Në fakt, në shumë fusha këto projekte i kanë tejkaluar objektivat e tyre fillestare. Ky projekt i ri mbështetet në përvojën e kësaj ekperience pozitive.

Në sektorin e transportit, rrugët dhe autostradat janë mënyrat kryesore që realizojnë transportin rrugor në Shqipëri. Rrugët ofrojnë lidhje jetike për lëvizjen e mallrave dhe të njerëzve dhe përbëjnë një aset kyç publik duke mbështetur rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Qeveria është e angazhuar të trajtojë sfidat kryesore në sektorin e transportit, veçanërisht në tri fushat e mëposhtme: së pari, duke lënë pas planifikimin dhe buxhetimin ad-hoc dhe duke lëvizur drejt programeve të menaxhimit të investimeve publike në transport që prioritarizohen siç duhet dhe që kanë burimet e nevojshme për të kontribuar për stabilitetin dhe rritjen makro-fiskale; së dyti, duke kontribuar për konsolidimin e suksesshëm fiskal nëpërmjet sigurimit të mos akumulimit më të pagesa të prapambetura në sektorin e rrugëve; nga totali i 17 milardë lekësh të pagesave të prapambetura për investimet kapitale të akumuluara në të shkuarën, rreth 15 miliardë, ose 85% e vlerës së përgjithshme i përkisnin sektorit të rrugëve; dhe, së treti, duke ribalancuar burimet ndërmjet investimeve të reja dhe menaxhimit/mirëmbajtjes së aseteve rrugore. Vlera e aseteve rrugore të Shqipërisë vlerësohet në rreth 6 miliardë dollarë amerikanë. Në të shkuarën, buxheti për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e këtij aseti të vyer kombëtar ka qenë  vetëm 10 përqind e totalit të shpenzimeve. Ndihemi të inkurajuar nga përpjekjet e Qeverisë për të nisur reformat aq shumë të nevojshme në sektor, veçanërisht në këto fusha. Miratimi i Planit të Buxhetit Afatmesëm 2015-2017, ku përcaktohen përparësitë lidhur me investimet e reja, përbën hap të rëndësishëm në këtë drejtim. Do të jetë po aq e rëndësishme të sigurohen financimet përgjatë të gjithë jetës së projektit në mënyrë që investimet e reja të financohen siç duhet.

Përmirësimi dhe mirëmbajtja e rrjeteve ekzistuese rrugore u vjen në ndihmë komuniteteve duke ofruar akses më të mirë tek shërbimet sociale dhe shëndetësore, ndërtesat arsimore dhe tregjet. Përdoruesit e rrugëve në të gjithë vendin përfitojnë nga përmirësimet e infrastrukturës rrugore, për arsye se atyre u duhet më pak kohë për udhëtim dhe më pak kosto operative për automjetet. Për më tepër, sfidë kritike është siguria në rrugë, e cila mbetet një çështje e rëndësishme sociale dhe publike në Shqipëri. Niveli i aksidenteve rrugore me pasoja fatale për jetën është të paktën dy herë më i lartë se ai në vendet fqinje dhe dhjetë herë më i lartë se në vendet e Evropës Perëndimore. Qeveria ka përcaktuar një objektiv ambicioz dhe synon të ulë numrin e vdekjeve për shkak të aksidenteve rrugore deri në 50% deri në vitin 2020, duke promovuar zbatimin e Strategjisë për Sigurinë Rrugore dhe Planin e saj të Veprimit dhe miratimin e auditeve të detyrueshme për sigurinë rrugore për të gjitha rrugët e reja.

Projekti për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore të Bazuar në Rezultate do të ndihmojë Qeverinë në fushat e sipërpërmendura. Ai do të mbështesë përmirësimin dhe mirëmbajtjen e 1300 kilometrave rrjeti rrugësh kombëtare duke planifikuar kontrata 5-vjeçare mirëmbajtjeje të mbështetura në performancë. Shpresojmë që ai të kontribuojë për ndryshim e mentalitetit në menaxhimin e aseteve dhe të ruajë asetet e vyera të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, ai do të përmirësojë reformat sektorale, përfshirë dhe asistimin e Qeverisë për të përfunduar Strategjinë Sektorale të Transportit, duke mbështetur kalimin tek programet fiskale të shëndetshme të investimeve publike në përputhje me kuadrin buxhetor afatmesëm. Ashtu siç dëshmohet dhe nga emri i projektit, suksesi do të matet nëpërmjet arritjes së rezultateve. Projekti mbështet përmirësimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit kombëtar të rrugëve nëpërmjet kontratave të mirëmbajtjes të mbështetura tek performanca. Gjatë zbatimit do të vihen në dispozicion financime, pasi dhe kur, të jenë përmbushur objektivat dhe rezultatet e performancës për të cilat është rënë dakord. Ky është mekanizëm i ri financimi që përdoret për herë të parë në një projekt infrastrukture në Shqipëri. Jemi optimist që ai do të japë fryte për popullin shqiptar.

Në përmbyllje më lejoni të falenderoj dhe të shpreh vlerësimin tim të thellë për ekipet e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe Autoritetin e Rrugëve të Shqipërisë për dedikimin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me ta gjatë përgatitjes së projektit. Jam e sigurt që ekipi do të dëshmojë të njëjtin angazhim dhe kontroll edhe gjatë zbatimit të projektit. Falenderoj po ashtu ekipin e Bankës Botërore për punën e madhe, për mbështetjen teknike dhe për punën e mirëkoordinuar me Qeverinë gjatë përgatitjes së këtij projekti të përqendruar tek rezultatet.

Presim me padurim zbatimin e suksesshëm të projektit dhe vijimin e bashkëpunimit të ngushtë në vitet në vijim. Shpresoj që, ashtu si edhe në projektet e mëparshme të transportit, edhe ky projekt të përfundojë me rezultate të larta duke i tejkaluar objektivat fillestare!


Api
Api

Welcome