Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

Fjala e znj. Tahseen Sayed ne ceremonine e nënshkrimit të Projektit të Përmirësimit të sistemit të kujdesit shëndetësor

24 mars 2015


Tahseen Sayed Në ceremonine e nënshkrimit të Projektit të Përmirësimit të sistemit të kujdesit shëndetësor Tiranë, Shqipëria

Siç përgatitet për t’u mbajtur

I dashur Ministër Cani,

I dashur Ministër Beqaj,

Përfaqësues të Ministrisë së Financës dhe Ministrisë të Shëndetësisë,

Zonja dhe Zotërinj!

Jam shumë e lumtur që sot ndodhem këtu me ju në ceremoninë e nënshkrimit të Projektit të Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor Shqiptar. Nënshkrimi i një projekti është një moment kënaqësie, duke qenë se është pika kulmore e një procesi të gjatë përgatitor dhe hapi i parë drejt zbatimit dhe ofrimit të rezultateve për qytetarët e vendit. Megjithatë, nënshkrimi i sotëm është me rëndësi të posaçme për dy arsye: ky është projekti i parë që po nënshkruhet midis Qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Botërore në vitin 2015; dhe projekti i parë që po nënshkruhet në praninë e zotit Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv i Bordit të Bankës Botërore, i cili po bën vizitën e tij të parë në Shqipëri. Dëshiroj ta falënderoj zotin Pagano për pjesëmarrjen e tij në këtë ngjarje dhe që po ndan me ne këtë fryt të partneritetit tonë me Shqipërinë. 

Në fillim, do të doja të shprehja vlerësimin tim të thellë për Ministrin e Shëndetësisë për rolin e tij udhëheqës në drejtimin e reformave në sektorin e shëndetësisë dhe për kujdesin e tij personal, i cili bëri të mundur që ne të arrijmë në këtë fazë. Nuk ndodh shpesh që të shohim një Ministër Shëndetësie të angazhohet personalisht dhe të drejtojë diskutimet teknik. Faleminderit zoti Ministër!

Banka Botërore është një partner i vjetër i Shqipërisë. Angazhimi ynë për më tepër se dy dekada ka mbuluar sektorë të ndryshëm, duke përfshirë shëndetësinë, dhe ka arritur rezultate të mira në shumë fusha. Ne mbetemi shumë të angazhuar për ta mbështetur Shqipërinë në qëllimin e saj për të siguruar një rritje të shpejtë dhe përfshirëse, e cila do të kontribuonte në uljen e varfërisë dhe rritjen e begatisë së përbashkët për qytetarët e vendit. Sikundër mund ta dini, aktualisht jemi duke përfunduar Kuadrin e ri të Bankës Botërore të Partneritetit me Shqipërinë, e cila do të përcaktojë programin tonë të mbështetjes gjatë pesë vjetëve të ardhshme.

Një nga fushat kyçe të këtij kuadri partneriteti të ardhshëm është rritja e mbështetjes sonë për reformat e qeverisë, të cilat synojnë forcimin e qeverisjes, barazisë dhe cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike. Ne besojmë se kjo fushë plotëson dhe thellon reformat më të gjera makro-ekonomike dhe strukturore që po zbatohen me vendosmëri nga Qeveria. Përmirësimi i ofrimit të shërbimeve publike është jashtëzakonisht me rëndësi. Projekti që po nënshkruajmë sot është veçanërisht i nevojshëm, duke qenë se shërbimet shëndetësore prekin jetën e çdo qytetari. Përmirësimi i sigurimit, barazisë dhe cilësisë së shërbimeve të shëndetit publik përkthehet kështu në përmirësime të prekshme në jetën e çdo qytetari. Lajmi inkurajues për Shqipërinë është se rezultatet në shëndetësi, duke përfshirë jetëgjatësinë, janë relativisht të larta krahasuar me vendet fqinje. 

Megjithatë, cilësia e kujdesit shëndetësor kërkon përmirësime të mëdha. Ky sektor përballet gjithashtu me probleme të qeverisjes, që lidhen kryesisht me pagesat informale mjaft të përhapura. Shpenzimet publike në shëndetësi vuajnë nga mungesa e efikasitetit dhe nga pabarazitë. Shqetësim të veçantë përbën mbrojtja e dobët e familjeve nga shpenzimet personale. Pagesat personale janë ndër më të lartat në rajon, duke përbërë 55 për qind të shpenzimeve të përgjithshme për shëndetësinë.

Ne jemi shumë të inkurajuar nga angazhimi i madh i qeverisë për të ndërmarrë reforma shumë të nevojshme në disa fusha kyç, duke përfshirë sistemet e financimit të shëndetësisë, shërbimet spitalore, produktet farmaceutike dhe zgjerimin e mbulimit shëndetësor. Ndërkohë kanë nisur përpjekjet për përmirësimin e shërbimeve dhe financimin e kujdesit shëndetësor.  Projekti që nënshkruam sot do të mbështesë qeverinë në reformën e saj në sektorin e spitaleve dhe programin që lidhet me të, për të përmirësuar financimin e shëndetësisë, si edhe monitorimin dhe menaxhimin e shërbimeve. Ai do të sigurojë gjithashtu mbështetje për përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e barazisë dhe pabarazive rajonale me qëllim që të mbrohen të varfrit dhe të pambrojturit.

Për mua është shumë kënaqësi që edhe partnerë të tjerë të zhvillimit po bashkojnë përpjekjet e tyre për të mbështetur sektorin, duke përfshirë Bashkëpunimin Zviceran për Zhvillim, Bashkëpunimin Italian për Zhvillim, Bashkëpunimin Austriak dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB). 

Në emër të Bankës Botërore, do të doja të shprehja vlerësimin tim shumë të madh për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe angazhimin teknik të ekipit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në veçanti, ekipin e këtij projekti, për punën e palodhur të përgatitjes së tij. Dua po ashtu të falënderoj ekipin e Bankës Botërore për mbështetjen që i ka dhënë këtij procesi me një angazhim të jashtëzakonshëm, si dhe për sjelljen këtu të ekspertizës nga pjesë të ndryshme të botës.

Duhet gjithashtu të falënderoj Ministrinë e Financave për mbështetjen e saj të fortë dhe Ministrin e Financave për udhëheqjen e tij të vazhdueshme.

Ju uroj zbatim të suksesshëm të këtij projekti të rëndësishëm.


Kontaktet e mediave
Në Tiranë
Anna Ana Gjokutaj
tel : +(355-42) 284125
agjokutaj@worldbank.org

Api
Api

Welcome