Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

Kseniya Lvovsky: Fjala e lamtumirës

11 korrik 2013


Kseniya Lvovsky, Përfaqësese e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore, Shqipëria Fjala e lamtumirës Tirana, Shqipëria

Siç përgatitet për t’u mbajtur

Mirëdita dhe faleminderit që keni ardhur.

Qëllimi i kësaj konference është t’ju informoj mbi atë çfarë ka bërë Banka Botërore së fundmi në Shqipëri dhe gjithashtu do të doja ta shfrytëzoja këtë mundësi për të dhënë disa përshtypje dhe fjalë lamtumire mbi eksperiencën time në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë mbi përparësitë për të ardhmen. 

Sikurse mund ta dini, Banka Botërore e mat progresin e vet me vite fiskale, të cilat mbarojnë në 30 qershor. Ne sapo kemi mbyllur vitin tonë fiskal 2013, kështu që kjo është një mundësi e mirë për të bërë bilancin.  Ky ka qënë një vit sfidues për ekonominë e vendit, si dhe për fqinjët e Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor. Ndikimet e krizës së tejzgjatur dhe recesioni janë ndjerë më shumë se më parë, me rritjen ekonomike që ka shënuar rekordin më të ulët, deficitin e të ardhurave buxhetore, kreditë e këqija që kanë vazhduar të rriten dhe me sektorin privat, i cili ka pasur vështirësi për financime.  Për më tepër, për Shqipërinë, pati një mori problemesh të sektorit energjetik, të cilat  përkeqësuan presionet e rëndësishme ekonomike dhe fiskale në pjesën më të madhe të vitit.

Në një aspekt më pozitiv, edhe gjatë kësaj kohe, partneriteti ynë me Shqipërinë ka shënuar një sërë arritjesh dhe unë do të doja të përmendja vetëm disa prej tyre:

  • Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me institucione të tjera, mundi të ndërmerrte masa të rëndësishme, të cilat forcuan elasticitetin e sektorit financiar, që funksionuan relativisht mirë nën këto rrethana. Do të doja të vlerësoja bashkëpunimin e mazhorancës dhe opozitës për kalimin e një sërë ndryshimesh të procedurave të kodit civil që lidhen me sektorin bankar. Kjo ishte shumë e rëndësishme. Pavarësisht presioneve, sektori bankar mbeti i fuqishëm dhe veprimet e Bankës së Shqipërisë kanë qenë të shpejta dhe të lavdërueshme.  
  • Gjatë vitit të fundit, shtatë projekte të financuara nga Banka Botërore përfunduan duke sjellë ndryshime të dukshme. Për shembull: më shumë se 110 km rrugë lokale dhe dytësore të reja dhe të përmirësuara, shërbime sociale më të mira, siç janë:  spitale të pajisura dhe menaxhuara më mirë dhe një arkiv modern pensionesh, infrastrukturë më e fuqizuar për menaxhimin e fatkeqësive, mbi 20 shkolla të reja apo të zgjeruara që përmbushin standardet e BE-së, laboratorë shkencorë dhe kompjuterik në universitetet publike, investime në zonën e liqenit të Shkodrës, të cilat kanë rritur vlerat e saj mjedisore dhe turistike, si dhe rritje e qasjes së publikut ndaj informacionit mjedisor dhe konsultimeve. 
  • Ka pasur progres të rëndësishëm edhe në projektet dhe programet në zbatim, të cilat mbështesin investimet, reformat dhe institucionet, të rëndësishme këto për rritjen e qëndrueshme afatgjatët të Shqipërisë. Sa për të përmendur disa prej tyre: Porti i rehabilituar i Sarandës, sistemet e adresave të përfunduara në disa qytete, përmirësimi i kullimit në një numër zonash të përmbytura, modernizimi i shërbimit të regjistrimit të tokës në Tiranë, me shërbime të përmirësuara në mënyrë të dukshme në kohë dhe cilësi, sikurse vlerësohet nga pyetësorët e klientëve. Një program për të mbështetur punësimin e të rinjve me bashkitë e Tiranës dhe Durrësit prodhoi të diplomuarit e parë. Në maj 2013, Shqipëria u shpall në përputhje me standartet ndërkombëtare për transparencën e industrisë nxjerrëse, e cila është një arritje e mirë.   
  • Gjithashtu janë bërë efektive dy projekte investimesh dhe dy programe të asistencës teknike, të financuara nga grante me një vlerë totale prej rreth 100 milionë dollarësh.  Këto programe mbështesin përmirësime në administrimin e asistencës sociale, menaxhimin e ujitjes dhe burimeve ujore, përdorimin me bazë komuniteti të burimeve natyrore dhe planifikimin dhe ekzekutimin e buxhetit. Ne presim t’i zbatojmë me sukses ato me qeverinë e re.

Së fundi, gjatë vitit të fundit fiskal, ne kemi thelluar angazhimin në dialogun e politikave, mbështetjen analitike dhe këshillimin teknik. Shumë prej jush keni qenë këtu për prezantimin e dy Raporteve Rajonale Ekonomike për Evropën Juglindore; ne gjithshtu kemi organizuar Tryezën e Rrumbullakët për Politikat Fiskale, programin tonë REPARIS,  që synon të forcojë dhe sjellë në përputhje me procedurat e kontabilitetit të BE-së ka pasur progres shumë të mire. Gjithashtu kemi dhënë kontributin tonë në Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike, si dhe kemi bërë një analizë për mundësinë e reformës së pensionve. E përsëris, ne shpresojmë të vazhdojmë të ofrojmë një këshillim të shumanshem teknik dhe analitik. Ne po i kushtojmë më shumë vëmendje punës rajonale, për të ndihmuar vendet të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të krahasojnë qasjet ndaj njëri-tjetrit. Aktiviteti ynë rajonal gjatë viteve të fundit përfshin studime analitike dhe rekomandime mbi krijimin e vendeve të punës, financimin e sektorit të shëndetësisë, strategjisë së inovacionit dhe forcimin e kapaciteteve për monitorim dhe vlerësim. Fokusi ynë në aktivitetet rajonale do të vijojë në të ardhmen.  

Kjo ishte një përmbledhje e shkurtër e asaj çka kemi arritur gjatë vitit të kaluar. Le të flasim tani për të ardhmen. Më lejoni së pari të uroj shqiptarët për zgjedhjet historike. Kjo ishte një dëshmi se shqiptarët janë të angazhuar për demokracinë dhe i përkasin Evropës.  Këto zhvillime të fundit janë gjithashtu një trashëgimi e qeverisë së kaluar, gjatë mandatit të së cilës pati arritje të rëndësishme. Ne kemi punuar shumë mirë me partnerët tanë qeveritarë dhe në emër të Bankës Botërore, do të doja të shprehja mirënjohjen time për bashkëpunimin e shkëlqyer.   

Dëshiroj të uroj mazhorancën e re për fitoren e rëndësishme dhe u uroj atyre sukses në përmbushjen e kësaj përgjegjësie të madhe. Banka Botërore është e gatshme të ndihmojë qeverinë me një axhendë të madhe reformash në çdo mënyrë të mundshme dhe kolegët e mi dhe unë gjatë kohës së mbetur në Shqipëri, presim të punojmë së bashku. Ne kemi filluar tashmë diskutimet tona për përparësitë ekonomike kyçe.  

Më lejoni të theksoj vetëm tri fusha prioritare që unë i shoh si themelore për një Shqipëri Evropiane dhe do ta nxisja qeverinë e re të fokusohet në to:

  • T’i jepet më shumë vëmendje transparencës së vendim-marrjes dhe të të dhënave
  • Të sigurojë pavarësi të vërtetë për institucionet e pavarura
  • Të forcojë dhe të sigurojë zbatimin e ligjit – dhe me këtë dua të them, zbatimin dhe forcimin pa diskriminim të ligjit, sepse pak gjëra janë më përkeqësuese për zbatimin e ligjit sesa perceptimi se ai zbatohet në një mënyrë selektive dhe të pandershme. 
  • Për kredibilitetin e institucioneve publike, është gjithashtu e rëndësishme të ketë një administratë profesionale dhe të depolitizuar. Shqipëria ka qënë me fat gjatë viteve të fundit, duke tërhequr profesionistë shumë të trajnuar, shumë prej të cilëve janë diplomuar në universitetet më të mira ndërkombëtare dhe do të jetë shumë e rëndësishme mbajtja e personelit të kualifikuar dhe që ka punuar mirë për shqiptarët. Unë e konsideroj këtë një provë të vertetë për angazhimin e qeverisë për integrimin në BE dhe i uroj asaj ta kalojë me nder këtë provë. 

Fusha e dytë prioritare është të vazhdojë përshpejtimin dhe zgjerimin e reformave strukturore. Kjo është gjithmonë e rëndësishme, por në mënyrë të veçantë në këto kohë sfiduese për Shqipërinë, rajonin dhe botën.

  • Një numër i madh reformash janë në zbatim, disa prej tyre si për shembull sistemi i integruar i planifikimit, datojnë në qeverisjen e mëparshme socialiste, shumë prej tyre janë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe rajonale. Do të jetë e rëndësishme të përshpejtohen reformat të cilat janë provuar ndërkombëtarisht që janë të mira dhe të fokusohet në përshpejtimin e zbatimit të tyre. Disa shembuj të këtyre reformave përfshijnë: asistencën sociale, menaxhimin e burimeve ujore, inspektoriatet. 
  • Sigurisht në disa fusha reformat duhet të zgjerohen. Një nga fushat e prioriteteve ku vendi duhet urgjentisht të ndërmarrë një raund të dytë reformash ështe sektori energjetik. Një fushë tjetër që kërkon një sy të kujdesshëm është rregullimi qeverisjes qendore kundrejt asaj lokale.
  • Këshilla ime më e rëndësishme për qeverinë e re, bazuar në përvojën shumëvjeçare në çështjet e zhvillimit, është të bëjë përzgjedhje strategjike. Një rrezik kryesor për çdo qeveri të re, e cila vjen me një axhendë ambicioze është të mbivlerësojë kapacitetet për të lëvizur në të gjitha drejtimet njëherësh. Është e rëndësishme që të planifikohet ndërhyrja në mënyrë të njëpasnjëshme dhe të fillohet me reformimin vetëm të atyre që janë jashtëzakonisht të nevojshme, duke thelluar reformat e mira siç ishin hartuar më parë.

Fusha e tretë prioritare është konsolidimi fiskal dhe kryerja e pagesave të prapambetura. 

  • Është shumë e rëndësishme të përfundojë procesi i pagesave të prapambetura dhe atyre të vonuara të sektorit privat. Sado ambicioze të jetë axhenda e çdo qeverie, nuk ka hapësirë fiskale për investime të reja të rëndësishme.     
  • Është shumë e rëndësishme të hartohet një program i dedikuar dhe i besueshëm për të krijuar gradualisht hapësirën fiskale.
  • Në këtë kontekst, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet përmirësimit të cilësisë së shpenzimeve publike. Ne jemi duke përgatitur një raport të rëndësishëm, të cilin e quajmë Rishikimi i Financave Publike, i cili do të ofrojë rekomandime në këtë fushë dhe shpresojmë ta ndihmojë Shqipërinë të ecë përpara në këtë drejtim
  • Gjithashtu, ne i rekomandojmë qeverisë së re të marrë në konsideratë futjen e rregullit fiskal, ngritja e një këshilli të pavarur fiskal dhe rinisja e një programi me FMN-në. Këto do ta ndihmojnë Shqipërinë të rifitojë rritjen e qendrueshme.  

Më lejoni së fundi të falenderoj, cilindo me të cilin kam punuar – qeverinë, opozitën, shoqërinë civile, sipërmarrësit, profesionistët, median, komunitetin e donatorëve dhe stafin tim. Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme personale, një nder dhe privilegj. Pavarësisht se ku do shkoj më pas, unë do të mbetem një mike e Shqipërisë dhe do ta mbaj gjithmonë në zemër dashurinë për këtë vend. 

Sinqerisht i uroj popullit shqiptar të jetojë në lartësinë e aspiratave të veta dhe të vazhdojnë t’i provojnë botës dhe vetes së tyre sa komb i mrekullueshëm janë.  

Faleminderit! 


Kontaktet e mediave
Tirana
Ana Gjokutaj
tel : +355 4 2 280 650
agjokutaj@worldbank.org

Api
Api

Welcome