Kjo faqe në:

DEKLARATA PËR SHTYP

Banka Botërore ndihmon në dyfishimin e furnizimit me ujë për qarkun e Durrësit

2014-01-16

Firmoset marrëveshja për Projektin e Investimeve për Sektorin e Ujit

TIRANË, 16 janar 2014 – Qeveria e Shqipërisë dhe Banka Botërore firmosen sot marrëveshjen për huanë për Projektin e Investimeve për Sektorin e Ujit, në shumën 85.3 milionë dollarë amerikanë. Në emër të Republikës së Shqipërisë marrëveshja u firmos nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe për Bankën Botërore nga Përfaqësuesja e Përhershme e saj në Shqipëri Tahseen Sayed.  Ceremonia u mbajt në Bashkinë e Durrësit në praninë e Kryeministrit Edi Rama, Drejtoreshës së Bankës Botërore për Evropën Juglindore Ellen Goldstein, Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, krerëve të pushtetit vendor si dhe të ekipit që përgatiti projektin. Ky projekt u aprovua nga Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve më 20 dhjetor 2013.

Ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve në qytetin bregdetar të Durrësit si dhe përmirësimin e performancës financiare të ndërmarrjes së ujësjellësit të këtij qyteti. Projekti synon të përmirësojë dhe zgjerojë rrjetin ekzistues të ujësjellës-kanalizimeve në Durrës, qytetin e dytë më të madh, një nga destinacionet kryesore turistike dhe portit kryesor në vend. Kjo do të arrihet përmes investimeve në rrjetin e ujësjellësit dhe ndërtimit të tubacioneve për transportin e ujit që lidhin fshatrat me sistemin e ujësjellësit të qytetit dhe ul humbjet në rrjetin e shpërndarjes së ujit. Ky projekt, gjithashtu, do të mbështesë investime në rrjetin e kanalizimeve dhe rritjen e kapacitetit të transferimit nga zona bregdetare turistike në impiantin ndërtuar rishtazi të trajtimit të ujërave të zeza.

Qeveria i ka dhënë përparësi sektorit të ujit dhe dhe sidomos në zonën e Durrësit. “Ky është një transformim që fillon sot dhe që, në një kohë të afërt, qytetarët dhe banorët e gjithë kësaj zone do të mund ta prekin si një transformim real në jetën e tyre të përditshme, pasi nga mesatarisht 6 orë ujë në ditë, banorët e kësaj zone do të kenë furnizim të rregullt me ujë”, tha Kryeministri Rama. “Nga ana tjetër, kjo zonë me potencial turistik, që është treguar gjithmonë si vendi i turizmit, nuk do të jetë më një zonë, ku për turp, ujërat e zeza derdhen në det dhe ku njerëzit notojnë mes detit dhe ujërave të zeza. Është një histori së cilës ne jemi të vendosur t’i japim fund dhe do t’i japim fund një orë e më parë. Një kapitull ku ky problem do të ngjajë sikur nuk ka ekzistuar kurrë, sepse do të mbetet në të shkuarën”.

“Investimet e projektit pothuaj do ta dyfishojnë furnizimin me ujë në Durrës duke mbuluar nevojat për ujë në të gjithë rajonin deri në 2030, tha Ellen Goldstein, Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore. Kjo marrëveshje do të ndërtojë gjithashtu, kapacitete institucionale dhe sisteme më të të mira për të menaxhuar furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Ne mbështesim veçanërisht një partneritet të ri midis pushtetit qëndror dhe atij lokal, në mënyrë që njësitë e pushtetit lokal të fuqizohen përgjatë kohës dhe të menaxhojnë ndërmarrjet e ujit dhe të marrin përgjegjësitë për ofrimin direkt të shërbimeve që lidhen me ujin banorëve të tyre.”

Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore kanë punuar së bashku në disa projekte për furnizimin me ujë dhe menaxhimin e ujërave të ndotura, për të forcuar kapacitetet dhe zbatuar reforma institucionale në këtë sektor. 

Kontaktet e mediave
Në Tirana

Ana Gjokutaj  
tel : + 355 42 280 655

Në Uashington

Kristyn Schrader-King 
tel : +1-202-458-2736

DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2014/ECA/035