Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

Fjala e Tahseen Sayed në konferencën Sistemi i pensioneve vullnetare në Shqipëri - zgjerimi i mbulimit

8 tetor 2015


Tahseen Sayed, Country Manager for Albania “Sistemi i pensioneve vullnetare në Shqipëri - zgjerimi i mbulimit” Tirana, Shqipëria

Teksti

Është kënaqësi e madhe për mua të marr pjesë në këtë konferencë të rëndësishme sot. Më bëhet qejfi që jam ulur në të njëjtin podium me ministrin Klosi, zëvendësministren Irena Beqiraj dhe me zotin Dan Pescaru nga Autoriteti rumun i Mbikëqyrjes Financiare. Dëshiroj të falënderoj organizatorët, Autoritetin shqiptar të Mbikëqyrjes Financiare dhe, në veçanti, zonjën Enkeleda Shehi, si partnerë të vyer.

Sot në panel theksohen disa elemente kyçe të reformës së suksesshme të pensioneve: mbështetës të fortë, bashkëpunimi i efektshëm dhe mësimi nga përvojat ndërkombëtare. Në këtë konferencë marrin pjesë aktorët kryesorë të cilët, përmes një pune të bashkërenduar, mund të ndihmojnë në zgjerimin e mbulimit me pension privat në Shqipëri. Do të dëgjojmë për disa prej sukseseve të para si edhe do të diskutojmë për sfidat e rëndësishme që duhen trajtuar për të ngritur një sistem më të mirë pensionesh që të ofrojë siguri financiare për burrat dhe gratë shqiptare, kur këta të moshohen dhe të dalin në pension.


Image

Do të dëgjojmë për rezultatet e vrojtimit të kryer nga INSTAT, do të dëgjojmë zërin e punëdhënësve në Shqipëri dhe do të dëgjojmë nga sektori i pensioneve private. Do të theksohen edhe mësimet më kryesore nga shumë reforma të suksesshme të pensioneve. Në këto mësime përfshihen: nevoja për të dhëna të mira; një panoramë e qartë se ku ndodheni, për të ndihmuar në përcaktimin e rrugës që do të ndiqet; ndërtimi i reformave në bazë të kontributit të palëve të interesit, pra të punonjësve dhe punëdhënësve; nevoja për të zhvilluar një dialog produktiv me sektorin e pensioneve; sigurimi i një kuadri rregullator dhe mbikëqyrës të qartë dhe të sigurt i cili mundëson zhvillimin e një tregu të gjallë; dhe paraqitja e një sfide për këtë sektor ekonomik për të siguruar që pensionet të përbëjnë një investim me leverdi dhe për t’u dhënë mundësi njerëzve të marrin përfitimet e strategjive afatgjata të mirë-hartuara të investimeve.

Më lejoni, tani, të përmend disa sfida. Shqipëria, si shumë vende të tjera, përballet me sfida të thella demografike—rënie e shkallës së lindjeve, rritje e jetëgjatësisë së pritshme dhe forca të mëdha shtytëse për migrimin dhe migrimin. Sot thuajse 1 në çdo 8 shqiptarë është mbi 65 vjeç. Deri në vitin 2050, kjo shifër do të dyfishohet—që do të bëjë që Shqipëria të ketë një përqindje të moshuarish më të madhe se vende të tilla si Franca, Suedia, Serbia dhe  Mali i Zi. Këto çështje janë dokumentuar për Shqipërinë dhe vendet e tjera në një sërë raportesh të Bankës Botërore, si “Inverting Pyramid—Piramida e përmbysur” dhe “Golden Aging—Mosha e artë”.

Një mënyrë për t’iu qasur kësaj sfide është duke pasur një sistem pensionesh të diversifikuar, me pensione të forta publike dhe private në mënyrë që njerëzit të mos gjenden përpara një rënieje të papërballueshme në të ardhurat e tyre kur të dalin në pension. Pensionet publike dhe private, krahas tregjeve të mira të punës dhe mbështetjes familjare, luajnë një rol kyç në ofrimin e sigurisë në moshë të shkuar. Qeveria e Shqipërisë ka filluar tashmë rrugën e reformave thelbësore të pensioneve publike. Ajo po kërkon t’i përmirësojë më tej pensionet me këtë përpjekje të re për zgjerimin e mbulimit të pensioneve private, ndërkohë që Shqipëria ka nevojë të hedhë tani themelet e një sistemi të diversifikuar pensionesh ku rëndësi kritike kanë si pensionet publike ashtu edhe ato private. Megjithëse sot më pak se 15% e popullsisë është mbi 65 vjeç, çështja e pensioneve të denja është diçka që i interesin 100% të brezit të sotshëm.

Fokusi i zgjerimit të mbulimit të pensioneve private dhe përmirësimit të mbikëqyrjes së këtij sektori ka dalë nga procesi i vlerësimit të sektorit financiar në vitin 2013. FSAP, siç quhet  ky proces, ka shqyrtuar disa prej rezultateve afatgjata më kryesore të një sistemi të mirë pensionesh që do të ofronte të ardhura të mjaftueshme për pension pleqërie me mbulim të gjerë, në mënyrë efikase, të sigurt dhe të qëndrueshme. Në të theksohej nevoja për të zgjeruar mbulimin e pensioneve private nga një bazë shumë e ulët, si edhe fushat e përmirësimit të rregullimit dhe mbikëqyrjes për përmirësimin e sigurisë. Në të evidentohej nevoja për uljen e kostove dhe përmirësimin e ecurisë së investimeve në periudhën afatgjatë, në mënyrë që sistemi të mund të ishte më efikas.

Jam e kënaqur që projekti FIRST me fonde të Bankës Botërore pati mundësi të mbështeste punën e Autoritetit të Shërbimeve Financiare me fokus në 2 fusha specifike. Pjesa e parë mbështet përpjekjet për përmirësimin e rregullimit dhe mbikëqyrjes për një zgjerim solid të mbulimit, ndërsa pjesa e dytë mbështet zhvillimin e një rruge proaktive dhe me vizion të qartë për ndërtimin e këtij mbulimi.

Qeveria ka bërë tashmë disa ndryshime fiskale për t’i rritur stimujt për kursimet në pensione private. Ajo po ndërmerr ndryshime të mëtejshme për të siguruar përmirësime progresive në qeverisje si edhe për të siguruar që legjislacioni të jetë në përputhje me legjislacionin e BE-së. AMF po ndërton një qasje të mbikëqyrjes të fokusuar në risk dhe rezultate, duke mësuar nga përvojat e vendeve të tjera. Kjo qasje është projektuar në atë mënyrë që të rrisë besimin tek sistemi i pensioneve, siç evidentohet në vrojtimin e INSTAT-it, gjë që është një faktor mundësues kyç për zgjerimin e mbulimit.

Me sa jam në dijeni, AMF dhe ekipi i Bankës Botërore kanë marrë shumë informacione të rëndësishme nga shumë prej ju që jeni të pranishëm këtu sot. Kjo konferencë ofron një mundësi për konsultime me bazë më të gjerë dhe për të dëgjuar disa rezultate rigoroze, në mënyrë që të mund të bëhet një vlerësim krahasues i situatës së tanishme dhe të orientohet progresi drejt një mbulimi më të madh. Shpresoj që vrojtimi të kthehet në një ngjarje vjetore, për të ndihmuar në matjen e ecurisë, dhe për të mundësuar një shqyrtim të çështjeve të veçanta.

Jam sidomos e kënaqur që do të dëgjojmë edhe prej punëdhënësve. Në botë, një mbulim i mirë i pensioneve private vullnetare është shpesh rezultat i rolit të punëdhënësve. Punëdhënësit mund të ndihmojnë në zgjidhjen e një sërë çështjesh. Punëdhënësi vepron si kanal për një kontratë “në grup” në mënyrë që shoqëritë e pensioneve t’i ulin tarifat dhe në mënyrë që gjithnjë e më shumë kontribute të përdoren për të rritur kursimet për të ardhmen, çka do të sillte si rezultat që punonjësit dhe punëdhënësit të shohin më shumë përfitime nga pagimi i kontributeve. Megjithëse vrojtimi i INSTAT mbulon vetëm punëdhënësit e sektorit privat, sektori publik si punëdhënës mund të luajë një rol të rëndësishëm në mbulimin me pensione private. Prandaj është e rëndësishme që të dëgjojmë edhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Do të dëgjoni edhe për mënyra të tjera se si të ulen kostot e shpërndarjes dhe shitjes—si, për shembull, nëpërmjet një përdorimi më të madh të sistemit të pagesave në internet dhe celular, siç po veprohet në vende të tjera si Meksika, Kenia dhe India. Gjithëpërfshirja financiare përfiton nga ndërthurja e sistemeve të efektshme dhe efikase me rregullore të hartuara mirë të cilat mund t’i transformojnë tregjet.

Përmirësimi i pensioneve është pjesë integrale e ndërtimit të një ekonomie më të fuqishme dhe më produktive e cila kontribuon në stabilitetin makroekonomik dhe qëndrueshmërinë fiskale. Pensionet private ndihmohen nga zhvillimi i sistemit financiar, krahas nxitjes së këtij sistemi. Pensionet janë, edhe produkt i një tregu të mirë pune, edhe mundësues i funksionimit të mirë të tij. Pensionet i eliminojnë nxitësit negativë kundër punës, duke siguruar që njerëzit t’i marrin me vete pensionet e tyre sa herë që ndërrojë vend pune dhe të mos vuajnë nga zhdukja e të drejtave të tyre për pension nëse kanë shkëputje në jetën profesionale-–ky është një faktor kyç që në të shkuarën e ka përkeqësuar barazinë gjinore në lidhje me rezultatet e pensioneve në shumë vende.

Ndërsa do të diskutoni për sfidat dhe zgjidhjet për zgjerimin e mbulimit të pensioneve private, shpresoj se fokusi do të vihet tek përfitimet afatgjata të cilat japin kontribut në mënyrë të qëndrueshme drejt uljes së varfërisë, rritjes së prosperitetit dhe sigurimit të jetëve më të gjata, më të shëndetshme dhe më të sigurta për burrat dhe gratë e Shqipërisë.

Në mbyllje dëshiroj të falënderoj dhe vlerësoj Teuta Baletën dhe Rinald Gurin, pjesë e ekipit të zonjës Shehi, të cilët kanë punuar në mënyrë të palodhur për këtë konferencë dhe për punën për të cilën do të flitet sot. Me lejoni të falënderoj edhe ekipin e Bankës Botërore—Will Price, John Ashcroft dhe Leendert Van Driel—për përkushtimin e punën e tyre në këtë fushë.

Api
Api

Welcome