Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

Operacionet minerale të energjisë: Qëndrueshmëria dhe IHD

3 qershor 2014


Jan-Peter Olters, Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën Konferenca nga Qendra Rajonale për Mjedis dhe Baker Tilly në Kosovë Prishtinë, Kosova

Siç përgatitet për t’u mbajtur

Linjiti—IHD dhe zhvillimi i qëndrueshëm  


Burimet e pasurive natyrore – mund të jenë bekim, ose mund të bëhen mallkim. 

Siç ka treguar historia ekonomike, shumë vende të pasura me burime kanë përfunduar, për fat të keq, të mallkuara, me popullatën duke vuajtur – në vend që të përfitonte – nga nafta me bollëk dhe rezervat me minerale të shtresuara nën sipërfaqen e territorit të tyre. 

Më shumë se fat, rruga që zgjedh një vend është zgjedhje politike që mund të ndikohet nga palë të shumta të interesit në qeveri dhe parlament, në industri dhe në popull në përgjithësi. 

Në Kosovë, bollëku i burimeve natyrore jo të ripërtërishme është realitet – që përfaqëson një përbërës kyç, e poashtu edhe rrezik kyç, të potencialit të Kosovës për zhvillim socio-ekonomik. 

Kosova është shumë e pasur me rezerva mineralesh.

Vetëm 10.9 miliardë ton të rezervave të vërtetuara dhe të shfrytëzueshme të linjitit përfaqësojnë – me nivele të tashme të konsumit – më shumë se 1300 vjet të furnizimit të sigurt.  

Veç kësaj, vendi ka rezerva të bollshme të nikelit, plumbit, zinkut, magnetit dhe mineraleve të tjera të cilat – po të zhvilloheshin – do të mund të jepnin një kontribut madhor për punësimin dhe eksportet. 

Megjithatë, pjesa më e madhe e potencialit të Kosovës, kryesisht ka mbetur e pashfrytëzuar. 

Dhe kjo gjë nuk ka mbetur e pavërejtur. 

Bollëku i burimeve të pashfrytëzuara të Kosovës nga ngjallur interesime komerciale nga një numër i konsiderueshëm i investitorëve, të cilët i janë qasur Qeverisë dhe kanë ofruar propozime për investime në burimet natyrore – që në letër – premtojnë investime të mëdha me përfitime të konsiderueshme për qytetarët dhe Qeverinë. 

Me qëllim të sigurimit të mirëqenies sociale në mënyrë të qëndrueshme, gjë që – në rastin e nxjerrjes së mineraleve – shtrihet në dekada nëse jo shekuj, duhet të jetë rol i qeverisë që të masë me kujdes përfitimet dhe rreziqet e mundshme të çdo investimi, sidomos në nxjerrjen e pasurive, e veçmas, nëse këto janë propozime jo të kërkuara.

Në çdo vend, përfshirë Kosovën, një ministër i përgjegjshëm – në mungesë të një konsensusi kombëtar dhe përkushtimi politik për një strategji të përgjithshme zhvillimore për burimet natyrore – do ta kishte shumë të vështirë të merrte një vendim të arsyeshëm për një plan investues e sidomos, kur duhet të zgjedhë mes propozimeve të investitorëve konkurrues, që në mënyrë tipike përfshijnë një lloj bashkë-kontributi të qeverisë përkitazi me lehtësirat fiskale dhe/ose marrjen përsipër të detyrimeve të njohura dhe/ose të panjohura, të tashme dhe/ose të ardhshme mjedisore. 

Si mundet dikush të masë përfitimet dhe rreziqet e një propozimi të caktuar investues – dhe në raport me të tjerët – nëse objektivat e përgjithshme për zhvillim ekonomik nuk janë të përkufizuara mirë; si mund të menaxhohen rreziqet përkatëse dhe ndikimet sociale?

Pjesërisht për këtë arsye, Parlamenti dhe Qeveria e ardhshme do të kenë mundësi të hartojnë, në periudhë afatmesme deri në afatgjatë, një strategji me politikat përcjellëse që i vënë objektivat e ndërlidhura në kontekst të efekteve anësore (eksternaliteteve) që vendi është i gatshëm t’i pranojë si rrjedhojë – duke u përgjigjur kështu në pyetjen se si Kosova duhet të përfitojë nga rezervat e saj të bollshme të linjitit dhe mineraleve të tjera? 

Nga kërkesat e ndryshme për rezerva të linjitit në Kosovë, të vetmet që janë përfshirë aktualisht në një strategji të Qeverisë janë ato që lidhen me prodhimin e energjisë nga  Kosova A (deri në mbylljen e saj), Kosova B dhe Termocentrali Kosova e Re (kur ai të zëvendësojë termocentralin 50-vjeçar, Kosova A). 

Nga këndvështrimi i Qeverisë, menaxhimi i kërkesave të ndryshme të burimeve natyrore të Kosovës është bërë dukshëm më i vështirë pas ndryshimit të ligjit për minierat vitin e kaluar, me mos-aplikimin e procedurave konkurruese tenderuese, jo vetëm për “garantimin e sigurimit të energjisë” por edhe për të mundësuar “investime të konsiderueshme të drejtpërdrejta.”

Në Bankën Botërore, ne besonim se dispozitat e mëhershme, më shumë kufizuese, të cilat ishin në përputhje me praktikat ndërkombëtare, i kishin dhënë Qeverisë fleksibilitet të mjaftueshëm për të reaguar në raste të mundshme të krizës, përderisa kushtet e rishikuara  kanë zgjeruar mundësinë e kontratave njëburimore përtej nevojave për të reaguar në një rast krize.

Mundësimi i lejimit të investimeve jokonkurruese nga sektori privat në nxjerrjen e mineraleve për energji, qofshin ato për termocentralet me thëngjill ose për qëllime të tjera do të: 

  • reduktojnë transparencën në menaxhimin e nxjerrjes së pasurive dhe të hyrave natyrore; 
  • presupozojnë mundësinë për të siguruar procesin e duhur në dhënien me koncesion dhe të licencave për aktivitete të industrisë së nxjerrjes; 
  • ndikojnë në funksionimin e mekanizmit themelor për zbulim të çmimit (do të thotë, nevojës për të vërtetuar se koncesionet janë dhënë me çmim të ‘drejtë’), duke rrezikuar kështu perceptimin e publikut për korrupsionin që ka motivuar interesimet për investime dhe/ose dhënien e koncesioneve; dhe
  • ndikojë në perceptimin publik të arsyeshmërisë së baraspeshës mes interesave ekonomike dhe të hyrave të fituara nga investitorët privatë dhe kostos sociale dhe mjedisore që mbartin nga qeveria dhe publiku në përgjithësi. 

Propozimet e paftuara dhe procedurat jokonkurruese tenderuese për projekte të prodhimit të rrymës janë edhe më delikate, jo më pak ngaqë prekin një treg të rregulluar. 

Në raste të tilla, Qeveria do të ketë nevojë të japë një arsyetim dhe të vërtetojë arsyeshmërinë e (i) çfarëdo rritjeje pasuese të tarifave; dhe/ose (ii) detyrimeve të mundshme që qeveria mund të pranojë për lehtësimin e investimeve të tilla. 

Në këtë sfond, ekzistojnë dy qasje kryesore për të siguruar mundësinë e hartuesve të politikave për të marrë një vendim të arsyeshëm në mbështetje ose kundërshtim të një propozimi të caktuar për investime. 

Së pari, ri-kërkimi i proceseve konkurruese tenderuese për të gjitha investimet përveç atyre që parandalojnë krizë të energjisë, i jep publikut, investuesve dhe hartuesve të politikave, siguri për një qasje që përfundimisht është e matur, e arsyeshme dhe e barabartë për shfrytëzimin e burimeve natyrore të Kosovës, duke baraspeshuar interesat e të gjitha palëve të interesit. 

Së dyti, nëse shtegu nuk është zgjedhur, vendi ende mund të mbushë dykuptimësitë që ekzistojnë aktualisht me një vizion që është thuajse i përbashkët – ideale do ishte një konsensus i gjerë – për zhvillimin dhe përfitimin nga pasuritë e burimeve natyrore të tij.

Për të rritur transparencën e përgjithshme dhe për të rritur gjasat që popullata në përgjithësi të përfitojë nga investimet përkatëse, Kosova do të mund të ndiqte shembujt e Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për t’u pajtuar për të zhvilluar industritë e tyre për nxjerrje brenda standardeve të përkufizuara nga Nisma për Transparencë e Industrive Nxjerrëse (Extractive Industries Transparency Initiative (EITI)), një koalicion global i qeverive, kompanive dhe shoqërive civile që punojnë bashkë për të përmirësuar transparencën dhe menaxhimin llogaridhënës të të hyrave nga burimet natyrore. 

Parimet udhëheqëse nga anëtarësia e EITI – forcimi i transparencës për të ruajtur llogaridhënien qeveritare dhe të korporatave – është të kuptuarit se burimet natyrore, siç janë nafta, gazi, metalet dhe mineralet u përkasin qytetarëve të vendit, që kërkojnë të sigurohen – duke shmangur grackat socio-ekonomike të pranishme në këtë sektor – që nxjerrja e këtyre burimeve shpie tek rritja ekonomike dhe zhvillimi ekonomik. 

Në një mjedis të tillë, investimet e propozuara për financim nga sektori privat ose do të jenë ose nuk do të jenë në përputhje me një kornizë të tillë zhvillimore. 

Nëse Kosova ia del të përfitojë nga burimet e saj të pasurisë natyrore në mënyrë të kujdesshme dhe të vazhdueshme, me qëllim të baraspeshimit të mirëqenies sociale, sidomos me kostot mjedisore, burimet e saj të pasurive natyrore kanë çdo mundësi për të qenë  bekim për vendin dhe qytetarët e tij. 

Është e rëndësishme të mos harrohet se për një numër të konsiderueshëm të vendeve, mu kjo pasuri ka shpënë tek ajo që është quajtur ‘mallkim i burimeve”, që i referohet një fenomeni të cilin vendet me pasuri të bollshme të burimeve natyrore jo të ripërtërishme (mineraleve dhe derivateve) përfundojnë me rritë ekonomike më të ulët dhe me rezultate më të këqija zhvillimore se vendet e tjera me më pak burime natyrore. 

Askush nuk do të përfitonte nga kjo e dyta.


Api
Api

Welcome