NJOFTIME PËR SHTYP

Raporti i të Bërit Biznes e identifikon Kosovën si një nga dhjetë reformuesit më të mëdhenj në mbarë botën

29 tetor 2013



Prishtinë, 29 tetor 2013 — Qe dy vjet me radhë, raporti i Grupit të Bankës Botërore i të Bërit Biznes ka njohur përpjekjet reformuese të Kosovës për përmirësimin e klimës për investime. Nga 189 vendet e studiuara, Kosova tash radhitet e 86-ta, në krahasim me vendin e 96-të që kishte në vitin 2013 dhe 126-të në vitin 2012. Raporti që mat lehtësinë e të bërit biznes ka kapur reformat në tri nga dhjetë treguesit, në lidhje me (i) fillimin e një biznesi; (ii) sigurimin e lejeve ndërtimore; dhe (iii) regjistrimin e pronës. Kështu, Kosova është në mesin e 10 reformuesve më të mëdhenj në mbarë botën. 

Raporti të Bërit Biznes 2014, me nëntitull Të kuptuarit e rregulloreve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ka njohur reformat që kanë lehtësuar regjistrimin e bizneseve duke krijuar zyra ku ofrohen të gjitha shërbimet në një vend (one-stop-shops) për ndërmarrjet afariste. Si rrjedhojë, ndërmarrësit tash mund të sigurojnë një certifikatë biznesi, numrin fiskal të kompanisë dhe certifikatën e saj të TVSH-së në një procedurë të vetme, duke shkurtuar kohën për të përmbushur këto kërkesa nga 52 në 12 ditë. Këto reforma janë mbështetur nga kontributet e donatorëve të Programit për Politika Zhvillimore për Punësim të Qëndrueshëm të dhëna vitin e kaluar. Për të lehtësuar regjistrimin e pronës, Kosova ka futur në përdorim një sistem të noterisë dhe procedura të kombinuara për hartimin dhe legalizimin e marrëveshjeve të shitblerjes. Në të njëjtën kohë, shërbimet kadastrale kanë rritur efikasitetin e vet  pas kompjuterizimit dhe konsolidimit të bazave rajonale të të dhënave pronësore. Raporti vë në pah se Kosova ka lehtësuar kërkesat për leje ndërtimore duke futur në përdorim tarifa të bazuara në kthim të kostos për lëshim të lejeve ndërtimore. 

Rezultatet e të Bërit Biznes janë njohje e përpjekjeve të Kosovës të bëra gjatë viteve të fundit për të adresuar vështirësitë kyçe në klimën e saj afariste,” tha Jan-Peter Olters, shef i Bankës Botërore në Kosovë. “Me një përqendrim të vazhduar në agjendën reformuese,” ai shtoi më tej, “elemente kyçe tashmë janë themeluar për të shpejtuar regjistrimin e bizneseve, për të formalizuar aktivitetet ekonomike, për të promovuar zhvillimin e një sektori të bizneseve të vogla dhe të mesme dhe –në fund- për të përmirësuar gjendjen në tregun e punës.”

Singapori i prin listës së vendeve për lehtësinë e të bërit biznes. Vendet që i bashkëngjiten atij në listën e 10 ekonomive me rregulloret më të përshtatshme për biznes janë RPA e Hong Kongut, Kina, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Danimarka, Malajzia, Republika e Koresë, Gjeorgjia, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar. Përveç radhitjes globale, për çdo vit të Bërit Biznes raporton ekonomitë të cilat kanë bërë përmirësimet më të mëdha në krahasim me treguesit e vitit paraprak. 10 ekonomitë që i prijnë kësaj liste këtë vit janë (renditja sipas përmirësimeve): Ukraina, Ruanda, Federata Ruse, Filipinet, Kosova, Xhibuti, Bregu i Fildishtë, Burundi, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Guatemala. Megjithatë, ende mbesin sfida: pesë nga përmirësuesit kryesorë këtë vit — Burundi, Bregu i Fildishtë, Xhibuti, Filipinet dhe Ukraina – ende janë në gjysmën e fundit në ranglistën globale për lehtësinë e të bërit biznes. 

Raporti gjen se ritmi i reformës rregullative në Evropë dhe në Azinë Qendrore mbetet i fuqishëm, me 19 ekonomi që janë në jetësim e sipër të 65 reformave për të përmirësuar rregullimin afarist vitin e fundit.   

Të Bërit Biznes 2014: Të kuptuarit e rregulloreve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme tregon se përpjekjet për të forcuar institucionet ligjore dhe për të reduktuar kompleksitetin dhe koston e proceseve rregullative janë shpaguar për ndërmarrësit në Evropë dhe në Azinë Qendrore. Rajoni e ka kaluar Azinë Lindore dhe Paqësorin si rajonin e dytë më të përshtatshëm për biznese pas ekonomive me të hyra të larta në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomike (OECD). Raporti gjen se që nga viti 2009, 92 për qind e ekonomive në Evropë dhe Azinë Qendrore kanë përmirësuar proceset e tyre për nisjen e një biznesi, një përqindje më e lartë se në çdo rajon tjetër. Falë këtyre përpjekjeve, sot është rajoni më i lehtë për hyrje në biznes, para ekonomive me të hyra të larta të OECD-së. Si përgjigje ndaj krizës financiare, 73 për qind e ekonomive të rajonit kanë reformuar procedurat për paaftësi për të paguar gjatë periudhës së njëjtë dhe 85 për qind e kanë lehtësuar pagesën e taksave. 

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2004 ishte motivues i madh për disa ekonomi në rajon,” tha Augusto Lopez-Claros, drejtor në Analiza dhe tregues globalë, të Grupit të Bankës Botërore. “Raporti jonë gjen se këto ekonomi kanë vazhduar në një shteg të reformave ekonomike dhe institucionale gjithëpërfshirëse dhe ambicioze edhe pas hyrjes në BE, duke siguruar që ato të mund të garojnë me partnerët e tyre më të zhvilluar dhe të hyra më të larta. Veç kësaj, raporti gjen se ka lajme inkurajuese nëpër Evropë dhe Azi Qendrore. Nga 20 ekonomitë që e ngushtojnë zbrazëtirën me praktika më të mira rregullative, kryesisht që nga viti 2009, nëntë janë në rajon: Armenia, Gjeorgjia, Kosova, Ukraina, Bjellorusia, Federata Ruse, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Moldavia dhe Polonia.”

Rreth vargut të raporteve të të Bërit Biznes  

Raporti i përbashkët prijatar i Bankës Botërore dhe IFC të Bërit Biznes analizon rregulloret që aplikohen për bizneset e një ekonomie gjatë ciklit të ekzistencës së tyre, përfshirë operacionet e fillimit të biznesit, tregtinë përtej kufijve, pagesën e taksave dhe zgjidhjen e pamundësisë për të paguar. Ranglista e përgjithshme e lehtësisë për të bërë biznes bazohet në 10 tregues që mbulojnë 189 ekonomi. Të Bërit Biznes nuk mat të gjitha aspektet e mjedisit afarist që u interesojnë firmave dhe investitorëve. Për shembull, ai nuk mat cilësinë e menaxhimit fiskal, aspekte të tjera të stabilitetit makroekonomik, nivelin e shkathtësive të fuqisë punëtore ose aftësinë ripërtëritëse të sistemeve financiare. Të gjeturat e tij kanë nxitur debate për politikat në mbarë botën dhe kanë mundësuar një varg në rritje të hulumtimeve se si rregulloret në nivel të firmave lidhen me rezultatet ekonomike nëpër ekonomi. Raporti i këtij viti shënon edicionin e 11-të të vargut të raporteve globale të të Bërit Biznes dhe mbulon 189 ekonomi. Për më shumë informacione rreth raporteve të të Bërit Biznes luteni të vizitoni doingbusiness.org dhe të na bashkoheni në doingbusiness.org/Facebook.

Rreth Grupit të Bankës Botërore 

Grupi i Bankës Botërore është një nga burimet më të mëdha në botë i financimeve dhe njohurive për vendet në zhvillim. Ai përbëhet nga pesë institucione të ndërlidhura ngushtë: Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) dhe Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA), të cilët së bashku e formojnë Bankën Botërore; Korporatën Ndërkombëtare të Financave (IFC); Agjencinë Multilaterale për Garantim të Investimeve  (MIGA) dhe Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhje të Mosmarrëveshjeve rreth Investimeve (ICSID). Secili institucion luan një rol të veçantë në misionin për të luftuar varfërinë dhe për të përmirësuar standardet jetësore për njerëzit në botën në zhvillim. Për më shumë informacione, luteni të vizitoni www.worldbank.org, www.miga.org dhe www.ifc.org.

Kontaktet e mediave
Kontaktet për media rajonale IFC – Evropë Jugore
Slobodan Brkic
tel : +381 (11) 30-23-750
sbrkic@ifc.org
Banka Botërore – Evropë dhe Azi Qendrore
Kristyn Schrader-King
tel : +1 (202) 458-2736
kschrader@worldbank.org
Banka Botërore – Kosovë
Lundrim Aliu
tel : +381 (0)38- 224-454
laliu1@worldbank.org

DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2014/ECA

Api
Api

Welcome