Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

Reforma e pensioneve në Shqipëri

2015-10-20


World Bank Group

Reforma e pensioneve në Shqipëri ndihmoi të moshuarit që jetonin pa një pension. Kjo reformë lëvizi një tavan të vjetëruar, dhe tashmë punonjësit mund të përfitojnë pensione në përputhje me atë që atë që kontribojnë në sistem.

Qytetarja Sose Kamberaj thotë që çdo qindarkë është një ndihmë në vendin e saj, ku çmimet vazhdojnë të rriten.

Më në fund, marrja e një pensioni pas shumë vitesh pa një të tillë, ishte një lehtësim i madh, thotë Kamberaj, e cila është 76 vjeç dhe jeton në qytetin e Vlorës.

“Ky pension me ndihmon të kujdesem për veten time. Më parë nuk merrja asgjë. Nuk ia dilnim dot vetëm me pensionin e tim shoqi. Tani ne mundemi,” thotë ajo.    

Ndryshimet më të fundit në sistemin e pensioneve në Shqipëri bënë të mundur që Sosja dhe mijëra shqiptarë të tjerë të përfitojnë ato që quhen “pensione sociale.” Këto pensione janë menduar t’u vijnë në ndihmë njerëzve mbi 70 vjeç, të cilët kanë punuar dhe kontribuar për më pak se 15 vjet, ose kanë punuar, por nuk kanë kontribuar në planin e mëparshëm kombëtar të pensionit.


" Nuk ia dilnim dot vetëm me pensionin e tim shoqi. Tani ne mundemi. "

Sose Kamberaj

pensioniste (76)

Kompensimi është pjesë e një reforme të gjerë pensionesh që synon të mundësojë që shqiptarët të përballojnë më mirë vështirësitë ekonomike. Qeveria e Shqipërisë e kreu reformën me mbështetjen teknike të Bankës Botërore.

Me anë të kësaj reforme, është hequr tavani i shumës maksimale që mund të merrnin pensionistët. Kjo mundëson që ajo shumë që marrin si pension, është në përputhje me shkallën e kontributit të tyre në sistemin shtetëror të pensioneve.

Image
Elida duke biseduar me pensionistë të tjerë në qytetin e Fierit.
“Reforma e pensioneve e 2015 ka sjellë ndryshime të mira. Nëse unë do të kisha dalë në pension sipas sistemit të vjetër, do të kisha përfituar 24,500 Lek, ndërsa tani unë marr 29,300, pra 3,800 Lek më shumë,” thotë Elida Qyrana, e cila ka punuar si inxhiniere ndërtimi për më shumë se 30 vjet në qytetin e Fierit.


Image

Pensionistët e rinj, si ky ish-mësues i shkollës së mesme, kanë përfituar nga ndryshimet e ligjit për pensionet që ka hequr  tavanin, dhe pensioni i tyre tani, llogaritet bazuar në vitet e punës dhe kontributin e tyre.


Përveç se ka ofruar menjëherë pensione më të mira, reforma e pensioneve pritet që në periudhë afatgjatë ta bëjë planin e pensionit të vetëfinancueshëm, në krahasim me planin që financohet kryesisht nga shteti.

Kjo po bëhet e mundur duke rritur gradualisht moshën e pensionit nga 60 në 65 për gratë, për ta barazuar atë me moshën e burrave. Sipas kësaj reforme, njerëzit që kanë punuar në profesione të vështira – siç janë minierat – do të kenë mundësi të dalin në pension më shpejt, 55 vjeç.

“Nevoja për të ndërmarrë reforma për pensionet ishte urgjente sepse skema ishte e rënduar me borxhe, me 40 përqind të paguar nga buxheti i shtetit,” thotë Vjollca Braho, Drejtoreshë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

“Bazuar në të gjitha studimet, besohet se deri në 2038, shteti nuk do të financojë më pjesën e kontribuesve,” thotë ajo.

25 vjeçari Ardit Alia është menaxher në fabrikën e mobiljeve të familjes së tij në Tiranë. Ai thotë se premtimi që do të marrë një pension më të lartë duke paguar në sistem që herët e motivon atë për të kontribuar çdo muaj tani.

Ai ua thotë edhe punonjësve të tij të bëjnë të njëjtën gjë.

“Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se sa më shumë që ata të paguajnë në të, aq më shumë do të marrin. Më thjesht se kaq… "thotë ai.


Image

Premtimi për një pension më të lartë nëse kontribon herët në sistem, është faktor motivues për shqiptarët në moshë pune, gjë që në periudhë afatgjatë, pritet ta bëjë sistemin e pensioneve të vetëfinancueshëm.