Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP24 tetor 2022

Përballë goditjeve të vazhdueshme, Maqedonia e Veriut ka nevojë për politika që mbrojnë më të cenuarit dhe reforma që nxisin rritjen

SHKUP, 24 tetor, 2022 – Performanca ekonomike në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor vazhdon të ndikohet nga lufta në Ukrainë, rritja e lartë e çmimeve të energjisë dhe ngadalësimi i rritjes globale, thuhet në Raportin e rregullt ekonomik të Ballkanit Perëndimor të fundit (#22 në seri). Këto kriza po krijojnë erëra të forta për rajonin, pavarësisht rritjes ekonomike më të mirë nga sa parashikohej në fillim të vitit.  

Në gjysmën e parë të vitit 2022, rritja ekonomike – e nxitur nga konsumi dhe investimet private – rezultoi e fuqishme, duke tejkaluar pritjet. Punësimi arriti nivelet më të larta historike në disa vende nga mesi i vitit 2022 dhe shkalla e punësimit në rajon tani është mesatarisht 46 pikë përqindje, një rritje prej 3 pikë përqindjeje që ishte në mesin e vitit 2021.  

Megjithatë rritja tani ka filluar të ngadalësohet përballë sfidave në rritje. Çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve e kanë shtyrë inflacionin në nivele të papara për shumë vite, duke gërryer fuqinë blerëse dhe sigurinë e biznesit. Tregu i punës po ngurtësohet, me ngadalësimin e punësimit mes të inflacionit të lartë dhe rritjes së pasigurisë. 

“Ndërsa rritja në gjysmën e parë të vitit 2022 rezultoi relativisht e fuqishme, është e qartë se rajoni tani po shkon drejt një stuhie tjetër,” tha Sanja Madzarevic-Sujster, Ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe autorja kryesore e raportit. “Një kombinim i goditjeve po rëndon shumë perspektivën e rajonit. Kushtet më të shtrënguara të financimit global, ngadalësimi i kërkesës së brendshme dhe të jashtme, si dhe pakësimi i sigurisë së biznesit dhe konsumatorit sigurisht që do të ndikojnë në sektorin financiar të rajonit”. 

E ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe nga kriza energjetike, Maqedonia e Veriut përballet me inflacionin më të lartë të të gjitha kohërave, duke gërryer kështu në mënyrë disproporcionale të ardhurat reale të të varfërve. Me hapësirë të kufizuar fiskale, rritje të borxhit publik dhe rritje të kostos së financimit, mbështetja fiskale duhet të synojë familjet dhe firmat më të cenueshme. Në të njëjtën kohë, shtrëngimi i politikës monetare duhet të vendosë një ekuilibër midis frenimit të inflacionit dhe shmangies së frymës mbytëse për aktivitetin ekonomik. 

“Mbështetja e politikave të Qeverisë për shtresat e cenuara ndaj energjisë është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur, por masat duhet të janë të synuara dhe me kufizime kohore për të minimizuar rreziqet fiskale,” shtoi Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. “Në të njëjtën kohë, fokusi duhet të vazhdojë të mbetet tek reformat strukturore të vonuara gjatë në mënyrë që të nxitet rritja dhe të krijohen vende të reja pune”.  

Sipas raportit, reforma të tilla përfshijnë masa për të rritur nivelin e konkurrencës në treg, heqjen e barrierave të hyrjes për biznesin, rritjen e mbajtjes dhe riinvestimit nga investitorët e huaj, uljen e barrierave për pjesëmarrjen e femrave në fuqinë punëtore, përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe ngritjen e standardeve të qeverisjes, duke përfshirë edhe dixhitalizimin. 

Kriza e vazhdueshme gjithashtu, thekson rëndësinë e përshpejtimit të tranzicionit të gjelbër në rajon  nga hidrokarburet e paqëndrueshme drejt prodhimit më të pastër të energjisë elektrike, si dhe modeleve më të gjelbra të prodhimit dhe konsumit, thuhet në raport. 

DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2023/ECA/28

Kontakt

Shkup
Anita Bozinovska

Blogje

    loader image

ÇFARË ËSHTË E RE

    loader image