NJOFTIME PËR SHTYP

Të ulim cenueshmërinë e bujqësisë shqiptare ndaj ndryshimeve klimatike

2013-12-05



Raporti i Bankës Botërore hedh një vështrim të thellë sfidave dhe mundësive të ndryshimeve klimatike në bujqësi 

UASHINGTON, 5 dhjetor 2013 — Bujqësia është ndër sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë ndaj ndryshimeve klimatike. Pa një plan të qartë për harmonizimin e politikave që lidhen me ndryshimet klimatike, jetesa e popullsisë rurale është në rrezik, sipas një botimi të Bankës Botërore Të ulim cenueshmërinë e sistemeve bujqësore shqiptare ndaj ndryshimeve klimatike.

Libri nënvizon se në shumë shtete, si për shembull në Shqipëri, rreziku i ndryshimeve klimatike përbën një problem të menjëhershëm dhe thelbësor, për shkak se jetesa e pjesës më të madhe të popullsisë rurale varet në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose të tërthorët nga bujqësia.

“Të varfrit në zonat rurale do të preken më shumë për shkak të varësisë së tyre më të madhe nga bujqësia, të mundësisë së tyre relativisht të ulët për t’u përshtatur dhe të përqindjes më të madhe të të ardhurave që ata shpenzojnë për ushqim,” u shpreh William Sutton, autor i librit dhe ekonomist i lartë për bujqësinë në Bankën Botërore. “Për rrjedhojë, ndikimet klimatike mund të cenojnë progresin e bërë në uljen e varfërisë dhe mund të kenë ndikim negativ mbi sigurinë ushqimore dhe rritjen ekonomike në zonat rurale vulnerabël.”

Studimi parashikon ndikimet e ndryshimeve klimatike mbi bujqësinë në të katër fushat agro-ekologjike të Shqipërisë, nëpërmjet ndryshimeve të temperaturave dhe të reshjeve, të cilat janë shumë të rëndësishme për bujqësinë. Sipas raportit, në 40 vitet në vijim, ngrohja mesatare e Shqipërisë do të jetë  rreth 1.5°C, krahasuar me rritjen më pak se 0.5°C të temperaturës gjatë 50 viteve të fundit.

Gjithsesi, mesataret vjetore janë më pak të rëndësishme për prodhimin bujqësor sesa shpërndarja sezonale e temperaturës dhe e reshjeve të shiut. Rritjet e temperaturës parashikohen të jenë më të larta, ndërkohë që reshjet e shiut ulen ndjeshëm, veçanërisht gjatë periudhave në rritje të verës. Rritjet e temperaturave në verë gjatë 40 viteve në vijim mund të shkojnë deri në 4–5°C në zonat veriore të Shqipërisë.

Raporti thotë se ndryshimet sezonale në klimë kanë pa dyshim ndikime të qarta mbi prodhimet bujqësore dhe blegtorale në Shqipëri në rast se nuk do të merren masa për përshtatje, përtej masave që merren nga fermerët, të tilla si ndryshimi i kohës së mbjelljes, në përgjigje të ndryshimeve të temperaturave.

Sutton vëren se ndryshimet klimatike mund të krijojnë edhe mundësi, veçanërisht në sektorin e bujqësisë. Rritjet e temperaturave mund të çojnë në kohëzgjatjen e sezoneve të rritjes, përqendrimet më të larta  të dioksidit të kabonit (CO2) mund të nxinin rritjen e prodhimeve, ndërkohë që në disa zona mund të rritet niveli i reshjeve dhe i burimeve ujore si rezultat i ndryshimeve klimatike.”

Për shembull, ndryshimet klimatike parashikohen të ulin prodhimin e rrushit dhe të ullinjve në Shqipëri me rreth 20 përqind sipas skenarit të ndikimit mesatar të ndryshimeve klimatike. Pavarësisht nga kjo, ndryshimet mund të kenë mundësinë e përmirësimit të prodhimit të drithërave (në rast se nuk rritet dëmtimi nga insektet).

Sipas botimit, rreziqet e ndryshimeve klimatike mbi bujqësinë në Shqipëri nuk mund të trajtohen në mënyrë efektive, si dhe nuk mund të përfitohet në mënyrë efektive nga mundësitë që mund të sjellë ky ndryshim pa pasur një plan të qartë të harmonizimit të politikave bujqësore me ndryshimet klimatike, duke zhvilluar kapacitetet e institucioneve kyçe bujqësore dhe duke bërë investimet e nevojshme në infrastrukturë, shërbime mbështetëse dhe përmirësime të ndryshme në ferma. Zhvillimi i këtij plani përfshin në mënyrë ideale kombinimin e analizave sasiore me cilësi të lartë, konsultim me aktorët kyç, në veçanti me fermerët dhe ekspertët vendorë të bujqësisë, dhe investime si në burimet njerëzore dhe në kapitalin fizik.

"Ky libër ofron një hartë për identifikimin e rreziqeve dhe kuptimin më të mirë të mundësive. Ai identifikon zgjidhje praktike për prezantimin e asaj cfarë njihet si “bujqësia që i përgjigjet në mënyrë të zgjuar ndryshimeve klimatike” për fermerët në Shqipëri" u shpreh Dina Umali-Deininger, Menaxhere e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural për rajonit e Evropës dhe Azisë Qendrore të Bankës Botërore. "Ai dëshmon që zgjidhjet janë ato masa që e rrisin rezistencën ndaj ndryshimeve të ardhshme klimatike, nxisin prodhimin aktual pavarësisht nga ndryshimi më i madh klimatik, dhe i kufizojnë çlirimet e gazit serë." 

Botimi “Të ulim cenueshmërinë e sistemeve bujqësore shqiptare ndaj ndryshimeve klimatike: Vlerësimi i ndikimit dhe opcionet e përshtatjes” e zbaton këtë qasje për Shqipërinë me qëllimin e të ardhurit në ndihmë të klimës integruese në vend në politikat, programet dhe investimet bujqësore.

“Përmbytjet e fundit në Shqipëri kanë nënvizuar rreziqet e ndryshimeve klimaterike. Ndryshimet klimatike i kanë venë në dukje më shumë dobësitë në menaxhimin e burimeve ujore në Shqipëri, të karakterizuara nga fragmentarizimi dhe dublikimi i përgjegjësive të lidhura me burimet ujore, si dhe në përfshirjen e aktorëve të përshtatshëm në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me menaxhimin e integruar të ujërave,” u shpreh Tahseen Sayed, Menaxherja e re e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.Nëpërmjet shumë projekteve Banka Botërore po mbështet Qeverinë e Shqipërisë për të trajtuar këto pika të dobta, inter alia, nëpërmjet forcimit të autoriteteve të baseneve ujore, zhvillimit të planeve realiste të menaxhimit të baseneve të lumenjve, rehabilitimit të digave dhe sigurimit të sigurisë së digave, modernizimit të sistemeve të vaditjes dhe përmirësimit të menaxhimit të ujërave dhe të pyjeve në nivelin e komunitetit."

Ky është një ndër katër studimet për vendet i përgatitur nga programi i Bankës Botërore, Ulja e cenueshmërisë ndaj ndryshimeve klimaterike në sistemet bujqësore të Evropës dhe Azisë Qendrore. Shtetet e tjera që përfshihen në seri janë Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Moldavia, dhe Uzbekistani.

Rezultatet nga të katër studimet janë konsoliduar në librin Përtej Horizontit: Si të riformësojnë bujqësinë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore: Ndikimet e ndryshimeve klimatike.

Kontaktet e mediave
Tirana
Ana Gjokutaj
tel : +355 4 2 280 655
agjokutaj@worldbank.org
Uashington
Kristyn Schrader-King
tel : +1-202-458-2736
kschrader@worldbank.org


DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2014/229/ECA

Api
Api