Kjo faqe në:

DEKLARATA PËR SHTYP

Banka Botërore jep 7.3 milionë Euro për të mbështetur menaxhimin e qëndrueshëm të tokës dhe përfitimet e komunitetit në zonat rurale

2014-07-08

UASHINGTON,  8 korrik 2014— Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi sot një financim prej 7.3 milionë Euro nga IBRD për Projektin e Shërbimeve Mjedisore në Shqipëri, nga i cili do të përfitojnë fermerë, shoqata të pyjeve, grupe dhe individë në 310 komuna rurale dhe në 2980 fshatra të vendit.

Kostoja totale e projektit është 16.8 milionë Euro dhe bashkë-financohet nga një Fond Besimi prej 7.3 milionë Euro nga Qeveria Suedeze dhe një Fond Besimi prej 2.2 milionë Euro nga Global Environmental Facility (GEF).

Objektivi i zhvillimit të projektit është që të mbështesë menaxhimin e qëndrueshëm të tokës dhe të rrisë të ardhurat e komuniteteve në zonat e larta rurale të prirura për të pasur erozion. Ai kërkon të krijojë mundësi për mënyra alternative të sigurimit të jetesës dhe të kontribuojë në shfrytëzimin e qëndrueshëm të produkteve të pyjeve dhe të kullotave.

 “Reduktimi i varfësirë rurale dhe zhvillimi i burimeve natyrore, sidomos i burimeve pyjore është një prioritet i rëndësishëm i qeverisë. Sektori shqiptar i pyjeve ka një potencial shumë të madh për të mbështetur rritjen ekonomike kombëtare, punësimin në zonat rurale dhe ruajtjen e mjedisit”, u shpreh Tahseen Sayed, Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

Ndërhyrjet e projektit do të promovojnë qëndrueshmërinë financiare, ekonomike dhe institucionale të përdorimit të tokës dhe menaxhimin e burimeve natyrore. Ato do të ndihmojnë gjithashtu që të ndërtohen kapacitetet e fermerëve shqiptarë, të organizatave të komunitetit dhe të institucioneve qendrore dhe të pushtetit vendor për të përdorur me efikasitet financimet e BE-së. Do të krijohen mundësi të barabarta që gratë dhe grupet e cënueshme të marrin pjesë në shërbimet mjedisore.

Projekti do të kontribuojë gjithashtu, në ruajtjen e burimeve ujore dhe në qëndrueshmërinë e menaxhimit të burimeve ujore duke pakesuarr sedimentet në lumenj dhe diga si pasojë e degradimit të tokës. Pritet që më shumë se një milion njerëz të përfitojnë në mënyrë indirekte nga përmirësimi i furnizimit me ujë dhe cilësisë së tij, si dhe reduktimit të përmbytjeve.

 “Projekti mbështetet mbi përvojën e fituar nga projektet e mëparëshme të financuara nga Banka Botërore, të cilat kanë kontribuar ne mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e pyjeve të komunitetit dhe sekuestrimin e karbonit, tha Drita Dade, Specialiste e Lartë e Bankës Botërore për Menaxhimin e Burimeve Natyrore dhe Drejtuese e Projektit. “E reja e ketij projekti qëndron në krijimin e një sistemi informacioni për menaxhimin e pyjeve dhe futjen e skemave konkurruese te granteve për të përmirësuar menaxhimin e përdorimit të tokës dhe për t’u dhënë komuniteteve mundësi alternative për sigurimin e jetesës”.

Që kur Shqipëria u antarësua në Bankën Botërore në vitin 1992, vendit ka perfituar prej 82 projekteve me vlerë totale prej më shumë se 1.8 miliardë USD kredi dhe grantesh nga IDA dhe IBRD. 

Kontaktet e mediave
DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2015/015/ECA