Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

RRITJA EKONOMIKE—NJË ZGJEDHJE E NDËRGJEGJSHME

2015-12-29

Jan-Peter Olters Pristina, Kosova

Siç përgatitet për t’u mbajtur

Çarjet gjithnjë e më të thella në ambientin e brishtë politik të Kosovës rrezikojnë të ngufasin vrullin ekzistues zhvillimor. Mospajtimet joekonomike përgjatë vijave ndarëse politike lënë në hije faktin se dallimet ideologjike në objektivat zhvillimore për objektivat zhvillimore nuk janë aq të patejkalueshme sa e paraqet kriza aktuale. Hartimi – dhe zotimi për një strategji afatgjate zhvillimore është një proces jo i rregullt i cili merr kurajë nga (i) zotimi i atyre që janë në pushtet se do të përfshijnë opozitën, bizneset, sindikatat e punëtorëve, akademinë, shoqërinë civile dhe publikun e gjerë në një dialog përfshirës për parimet themelore të një modeli ekonomik gjithëpërfshirës; (ii) pajtimi i partive jashtë qeveritare për një diskutim të tillë mbi qasjet më të përshtatshme me homologët të cilëve shpesh nuk u besohet për shkak të dallimeve në ideologji dhe/ose mungesës (së perceptuar) të kompetencës ose integritetit; dhe (iii) pranimi nga firmat ose ekonomitë familjare – përkundër pritjeve pak a shumë të theksuara për përmirësime në të ardhmen – i paqartësive që do të vijnë bashkë me transformimet shoqërore dhe ekonomike. Vendimi kolektiv i vendit në favor të përshpejtimit të zhvillimit presupozon një konsensus kombëtar thelbësor dhe një zotim të përgjithshëm për të mos rënë pre e joshjeve për përfitime taktike afatshkurtra.

Në këto përpjekje, Kosova nuk është vetëm. Nuk është e pazakonshme që elektorati në demokracitë e dala nga konflikti, në tranzicion dhe në zhvillim – duke u gjendur në procesin e rikrijimit të infrastrukturës së tyre, kornizave ligjore dhe institucionale – priren të fillojnë me qëndrime të polarizuara, në dukje të papajtueshme për atë se cila është rruga më e mirë për të ecur përpara.  

Kjo është një e vërtetë pothuaj universale, ka qenë e vërtetë edhe për Gjermaninë Perëndimore në fillim të viteve 1950-ta. Duke qenë i bankrotuar moralisht dhe politikisht, i shkatërruar ekonomikisht, vendi kishte nevojë për një fillim të ri. U deshën të kalonin tetë vite pas shtetësisë më 1949 para se të fillonte të krijohej konsensusi thelbësor për prioritetet zhvillimore. Wohlstand für alle (prosperitet për të gjithë) ishte libri i botuar më 1957 përmes të cilit Ludwig Erhard (në atë kohë Ministër i Ekonomisë në Gjermaninë Perëndimore) e popullarizoi ekonominë sociale të tregut dhe ja doli të sigurojë pranimin gradual të saj si shtylla ekonomike e vendit.

Fillimisht i shpikur nga Shkolla e Freiburgut nga Walter Eucken dhe Alfred Müller-Armack, koncepti i ekonomisë sociale të tregut, në të cilin konkurrenca dhe iniciativa e lirë kanalizohen nga shteti i cili përcakton, zbaton dhe respekton rregullat drejt një qëllimi të përgjithshëm për rritjen e barazisë sociale, që synon të kombinojë efikasitetin e ekonomisë së lirë të tregut me qëllimin social të shprehur në mënyrë eksplicite për kufizimin e rezultateve të tregut në secilin anë të shpërndarjes së të ardhurave. Sipas mendimit të Erhardit, parakusht për arritjen e një rezultati të tillë ishte fokusimi i vazhdueshëm dhe dedikimi ndaj prodhimtarisë vendore—që në vetvete është parakusht i domosdoshëm për rritjen pagave dhe rritjen e standardit jetësor:

“Përmes konkurrencës, progresi dhe fitimet ... mund te rishpërndahen dhe, në të njëjtën kohë, mund të ruhet ambicia personale për performancë dhe arritje. Një element i qenësishëm i bindjes se është vërtetë e mundshme që të rritet prosperiteti në ketë mënyrë është qëllimi [dhe premtimi] për të ndarë me punëtorët frytet e prodhimtarisë së rritur në formë të rritjeve përkatëse dhe të përhershme të pagave.”

Është e qartë se ekonomia sociale e tregut nuk është i vetmi model ekonomik që u ka mundësuar vendeve të arrijnë nivele të larta të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për kokë banori. Në fakt, vet modeli ka më pak rëndësi se sa përkushtimi i përgjithshëm ndaj politikave përkatëse dhe objektivave të tyre. Një vështrim i shkurtër i listës së ekonomive botërore me të ardhurat më të larta tregon se parimet e organizimit të tyre sillen nga modelet e dirigjuara, që mbizotërojnë në vendet e suksesshme të Azisë juglindore, e deri te shtetet nordike të mirëqenies, ekonomitë sociale të tregut të Evropës perëndimore, dhe modelet dukshëm më të pakufizuara anglosaksone. Asnjëri prej këtyre modeleve nuk është të duhura në vetvete, ato duhet të jenë të duhura në një kontekst të caktuar dhe në rrethana të duhura.

Kosovarët kanë debatuar (dhe nganjëherë kanë luftuar) për elementet thelbësore të modelit të tyre ekonomik, përfshirë edhe rolin e paraparë të sektorit privat. Në një sfond ku vetëm rreth 27 për qind e kosovarëve të moshës së punës janë në marrëdhënie pune me pagë, vendi nuk mund t’ia lejojë vetes vazhdimin e mëtejshëm të krizave politike. Trendet ekzistuese të rritjes ekonomike janë shumë të brishta dhe kërkojnë pakujdesje të mëtutjeshme. Në disa prej sektorëve zhvillimorë të Kosovës (bujqësi, përpunim të ushqimit dhe TIK), është duke u rritur pjesa relative e produkteve dhe shërbimeve konkurruese made in Kosova, duke ngritur shkallën e rritjes së atyre sektorëve mbi mesataren e ekonomisë – duke krijuar kështu llojin e zhvillimit endogjen që ka mbetur i pakuptueshëm deri më tani për sektorët e tjerë kryesorë të ekonomisë së Kosovës.

Çelësi i suksesit në nxitjen e rritjes së shpejtë ekonomike për “zënien e hapit” është mundësia për të importuar standarde dhe teknologji që janë më afër kufirit inovativ në vendet e tjera. Përveç shkëmbimit dhe bashkëpunimit akademik si rezultat i integrimit ndërkombëtar të sistemit arsimor të Kosovës, instrumenti kryesor i politikave përbëhet nga tërheqja e investimeve të jashtme të nivelit, fushëveprimit dhe cilësisë së lartë që rrisin prodhimtarinë vendore në sektorët kyç të ekonomisë së saj. Që kjo të materializohet, një vend duhet të ofrojë një ambient në të cilin investitorët mund të krijojnë besimin për një periudhë kohore sa më të gjatë që të jetë e mundur. Kjo është veçanërisht e vështirë për qeveritë, pasi që instrumentet e politikave janë indirekte dhe, në variantin më të mirë, ndihmojnë që të ndryshohen për të mirë perceptimet e investitorëve të mundshëm.  

Në ketë përpjekje, një udhërrëfyes i mundshëm mund të jetë Raporti i Rritjes Ekonomike i Komisionit për Rritje Ekonomike dhe Zhvillim, që është rezultat i aktivitetit më gjithëpërfshirës që është përpjekur të nxjerr pesë pikat kryesore të ngjashmërisë ndërmjet trembëdhjetë vendeve që ia kanë dal të mbajnë shkallën e rritjes ekonomike mbi 7 për qind për një periudhë mbi 25 vjeçare. Një performancë e tillë e rritjes ekonomike do të pesëfishonte të ardhurat.

Tipari i parë i përbashkët ka qenë stabiliteti makro-ekonomik, që paraqet një horizont të sigurt të planifikimit për investitorët privat që u mundëson atyre të llogarisin, për tërë kohëzgjatjen e një projekti investues, kostot e ndërlidhura, të ardhurat shtesë, dhe fitimet i pritshme neto. Tipari i dytë kryesor ka të bëj me funksionimin e ekonomisë së tregut, në të cilën vetëm konsideratat për çmimin dhe cilësinë e përcaktojnë suksesin apo dështimin ekonomik të kompanive që konkurrojnë në treg dhe individëve që ofrojnë talentin, aftësitë dhe përvojat e tyre në tregun e punës. Së treti, vendet me rritje të lartë ekonomike, vazhdimisht kanë hequr dorë nga konsumi aktual me qëllim të sigurimit të niveleve të larta të kursimeve dhe investimeve. Raporti mbi Rritjen Ekonomike theksoi se kjo do të kërkojë – qoftë në mënyrë të nënkuptuar ose shprehimisht – një “pakt themelor ndërmjet të tashmes dhe të ardhmes”.

Elektorati duhet të besojë se qeveritë e njëpasnjëshme, edhe nëse udhëhiqen nga parti të ndryshme politike, do të respektojnë premtimet për shpërblimet e ardhshme dhe t’i ndajnë ato në mënyrë përfshirëse. Ky orientim drejt kthimeve të pritshme përtej çdo mandati të ndonjë qeverie kërkon qeveri të aftë, të besueshme dhe të përkushtuar, si të tashme ashtu edhe të ardhshme, duke ua theksuar politik-bërësve mesazhin kryesor të Raportit mbi Rritjen Ekonomike se “rritja ekonomike nuk ndodh vetvetiu”. Dhe në fund, ekonomitë e suksesshme janë të hapura dhe të gatshme për të importuar idetë, teknologjinë dhe dijen nga pjesa tjetër e botës dhe për të shfrytëzuar kërkesën ekzistuese në tregjet botërore.

Deri më sot, Kosova ka mbuluar vetëm një pjesë të shkurtër në rrugën e saj të zhvillimit. Por siç ka thënë para gati 2,000 vjetësh Lucius Annaeus Seneca në “Letrat Morale” të tij, “Ignoranti, quem portat petat, nullus suus ventus est—“Nëse njeriu nuk e di se drejt cilit port po lundron, asnjë erë nuk do t’i shërbejë si duhet.” Kosovarët janë të prirë të pajtohen për vizionin e zhvillimit, edhe nëse kjo nuk përkthehet në konsensus për instrumentet më të përshtatshme. Me një strategji zhvillimore që përfshin disa dekada të ardhshme (dhe përpjekjet e përbashkëta në zbatimin e saj), vendi duhet të jetë në gjendje të përballojë edhe erërat që fryjnë në drejtim të kundërt dhe të çajë përpara në drejtim të kundërt me erën. Nuk është e thënë që progresi të vij në vijë të drejtë. 

-----------------

*Rritja ekonomike—një zgjidhje e ndërgjegjshme! (Growth—A Conscious Choice!), Koha Ditore, No. 6645 (29 dhjetor 2015), faqe 11. 

Api
Api