Learn how the World Bank Group is helping countries with COVID-19 (coronavirus). Find Out

OPINION

Jan-Peter Olters: Arritja e Evropës tash është e mundshme

2013-07-30


Jan-Peter Olters, Menaxher, Zyra e Bankës Botërore në Kosovë Tribuna



Vlerësimet e analistëve për zhvillimin e Kosovës lëvizin ndërmjet vlerësimit se zhvillimi është katastrofik (në rrugë të përkeqësimit) dhe vlerësimit se zhvillimi është i qëndrueshëm (me potencial për shpejtim të konsiderueshëm të rritjes). Statistikat që janë në dispozicion ndihmojnë për të mbështetur cilëndo pikëpamje për gjendjen e ekonomisë – duke filluar nga papunësia e rinisë prej 60 përqind (e tmerrshme), deficiti tregtar prej më shumë se 40 për qind të BPV-së (i keq), dhe të ardhurat mesatare prej 2,700 eurosh (të papranueshme) e deri te pjesmarrja e kredive të këqija me 7.5 për qind në kreditë e përgjithshme (situatë ende e pranueshme), shkallën mesatare të rritjes së BPV-së gjatë periudhës 2008-12 prej 4.2 për qind (e respektueshme), deficiti fiskal prej 1.6 për qind e BPV-së gjatë periudhës së njëjtë pesëvjeçare (e mirë), investimet publike prej 40 përqind të shpenzimeve totale të buxhetit (shumë mirë) dhe borxhi public prej më pak se 8.5 për qind e BPV-së (shembullor). Të gjitha këto shifra janë nga viti 2012, përveç nëse nuk është thënë ndryshe.

Sikurse në cilëndo ekonomi, papunësia dhe varfëria janë indikatorët që mbesin pas. Për këtë arsye, nuk është befasuese se pesimizmi i shumëpërhapur në Kosovë është vetëm pjesërisht i reflektuar në statistikat e publikuara që kanë theksuar – edhe gjatë viteve të krizës – një rritje që ka qenë më e lartë se mesatarja, performansën solide makro-fiskale dhe financiare, si dhe një klimë të përmirësuar të të bërit biznes. Ndryshe nga fqinjët e vet, Kosova ka arritur të mbrojë dhe forcojë themelet e veta ekonomike, duke e vendosur vetveten në një pozitë nga e cila mund të shfrytëzojë më së miri përmirësimet në mjedisin e jashtëm.

Si e tillë Kosova ka bërë hapa të konsiderueshëm drejt mbylljes së hendekut në të ardhura me vendet tjera në Evropën Juglindore dhe në BE. Megjithatë, të ardhurat për kokë banori janë vetëm një e dhjeta e niveleve të BE-së, që nënkupton se paraqitja e varfërisë mbetet e lartë. Është vështirë të gjenden shifra të sakta dhe nuk ekziston një metodë e vetme e saktë për të vlerësuar shkallën e varfërisë. Banka Botërore në Evropë përdor vija të standardizuara të varfërisë, që krijohen për të mundësuar krahasimet ndërkombëtare. Ato vija definojnë kufirin prej 5 dollarëve amerikanë për person (në vlerën e fuqisë blerëse), në të cilin kufi shkalla e varfërisë në Kosovë arrin në 80 për qind. Vija e varfërisë në Kosovë, e kalkuluar nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (me përkrahje të Bankës Botërore) është e përcaktuar, në terme nominale, në 1.72 euro në ditë për person. Ky definicion është po ashtu valid dhe si rezultat ka shkallën e varfërisë prej “vetëm” 29.7 për qind. Mirëpo në fund nuk ka rëndësi se cila metodë përdoret. Tepër shumë kosovarë janë tepër të varfër, dhe përmirësimet në kushtet e jetesës po ndodhin në një ritëm tepër të ngadalshëm. Sipas ndryshores me BE-së të shkallës së tashme të rritjes, që është rreth 3-4 përqind në favor të Kosovës, do të duhen ndërmjet 60 deri në 80 vjet për të arritur standardet e njëjta të jetesës. Mirëpo ky kalkulim tregon se, nëse bëhet zbatimi i politikave të qëlluara ekonomike, Kosova mund të stimulojë rritjen e BPV-së edhe për 2 për qind të tjerë, dhe kështu të shkurtojë kohën e nevojshme për të arritur standardet e jetesës në BE në 40 deri në 45 vjetë.

Këto kalkulime të thjeshta theksojnë faktin se sfida qendrore e politikë-bërjes ekonomike përbëhet nga zhbllokimi i potencialit rritës të Kosovës dhe mundësimi i një klime biznesi dhe mjedisi pune për kosovarët këtu që është i krahasueshëm me atë që e gëzojnë kosovarët që jetojnë dhe punojnë jashtë, për t’i fuqizuar ata drejt arritjes së standardeve të ngjashme të produktivitetit dhe kështu edhe të të ardhurave. Amvisëritë dhe firmat kanë tendencë që të ndjejnë (me të drejtë) se modeli i tashëm i rritjes – kryesisht i bazuar në ndihmat e huaja, remitencat, dhe investimet publike – nuk është i qëndrueshëm në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë dhe do të duhet të përshtatet për të arritur nivele dinamike dhe përfshirëse të rritjes ekonomike gjatë një periudhe të zgjatur kohore.

Literatura akademike dhe empirike ka treguar se rritja nuk ndodh vetvetiu. Është një zgjedhje e qëllimshme dhe ka nevojë për guxim për t’u përkushtuar ndaj një strategjie afatgjate të rritjes. Qeveria duhet të angazhojë opozitën, bizneset, sindikatat, botën akademike, dhe publikun në tërësi në një dialog konstruktiv për bazat e një strategjie zhvillimore socio-ekonomike afatmesme dhe afatgjate. Palët joqeveritare duhet të pajtohen për një shkëmbim të tillë të ideve me palët të cilave nuk u besojnë në aspektin e dallimeve ideologjike dhe/ose mungesës së perceptuar të kompetencës/integritetit. Njëjtë i rëndësishëm është edhe pranimi nga ana e firmave dhe amvisërive i ndryshimeve dhe lëvizjeve (sociale) që janë rezultat i periudhave të zgjatura të rritjes, gjatë së cilave prodhimi dhe kompanitë që janë tejkaluar dhe që janë joefikase zëvendësohen me teknologji dhe firma të reja. Politikë-bërësit duhet të pajtohen për mbrojtjen e njerëzve, nëpërmjet politikave (pro-) aktive sociale, e më pak nëpërmjet vendeve të punës, detyrë kjo që është veçanërisht e vështirë gjatë periudhave të zgjedhjeve. Sfidat e politikë-bërësve komplikohen edhe më shumë nga fakti se Kosova, tash për tash, ka mungesë të një “konsensusi themelor” minimal për modelin e përgjithshëm ekonomik, përfshirë këtu edhe për rolet e dëshiruara për sektorin publik dhe atë privat. Mirëpo Kosova nuk është e vetme në këtë situatë. Elektorati në pothuajse secilin vend post-konfliktuoz, në tranzicion, me ekonomi të re, e në procesin e (ri-)vendosjes së kornizave ligjore, institucionale dhe infrastrukturore, e ka për tendencë që të fillojë me pikëpamje të polarizuara sa i përket rrugës “më të mirë” përpara. Bashkë me suksesin fillestar dhe shenjat e prekshme të përparimit vjen edhe një përafrim gradual drejt “modelit nacional ekonomik” dhe pranimit të përgjithshëm të tij.

Në këtë rrugë, Kosova është në një udhëkryq kritik mirëpo është e ndihmuar nga bazat e forta makro-fiskale dhe financiare si dhe nga “ndryshimi seizmik” në marrëdhëniet me BE-në, me fjalët e komisionerit Fule, që ka hapur dyert e mbyllura të negociatave për Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim (MSA). Lidhja ndërmjet këtyre dy karakteristikave është e qartë. Indikatorët e papranueshëm të papunësisë dhe varfërisë të përmendur më lartë janë rezultat i një baze të ngushtë prodhimi në Kosovë, që reflektohet në deficite të larta tregtare dhe që shkakohet nga prodhimi i ultë vendor. Në kohën kur stabiliteti makroekonomik mirëmbahet, sfidat kritike në ekonomi, megjithë përmirësimet e viteve të fundit, mbesin sundimi i ligjit dhe klima e biznesit në të tre nivelet, karshi ligjeve (dhe zbatimit efektiv dhe uniform të tyre), funksionimit të institucioneve publike (dhe kualitetit të shërbimeve publike të ofruara), si dhe gjendjes së infrastrukturës kritike publike (edhe sot edhe në horizontin më afatgjatë). Procesi i MSA-së u ofron politikë-bërësve të Kosovës mundësinë unike për të fokusuar vëmendjen e tyre në politikën ekonomike dhe reformat institucionale që janë qendrore për t’i ndihmuar Kosovës në arritjen e standardeve të përgjithshme për anëtarësim në BE, qeverisjes së fuqishme demokratike dhe ekonominë funksionale dhe konkurruese të tregut.

Edhepse kjo është më lehtë të thuhet se sa të bëhet, sfidat e Kosovës përbëhen nga krijimi i një strategjie dypjesëshe me të cilën (1) do të mirëmbajë themelet e forta makro-fiskale dhe financiare dhe (2) do të lidhë programin e reformave institucionale me procesin e integrimit në BE duke lidhur në mënyrë eksplicite integrimin politiko-ekonomik dhe prioritetet zhvillimore socio-ekonomike. Ky fokusim i qartë do t’i jipte Kosovës një “fokus strategjik” afatgjatë dhe do të shmangte lakminë për “përfitime taktike” afatshkurtëra nga ana e aktorëve kryesorë brenda apo jashtë qevërisë. Përputhja e qëllimeve binjake ekonomike për stimulimin e shkallëve dinamike të rritjes ekonomike dhe nevoja për të ruajtur disiplinën buxhetore dhe stabilitetin makro-fiskal mund të jetë e suksesshme nëse qeveria – apo më gjerësisht – shteti që ajo udhëheq – pajtohet të bëhet më strategjik. Sipas konceptit të shtyrë përpara nga profesori i Universitetit Harvard, Philippe Aghion, një “shtet strategjik” i tillë do të zgjedhte me kujdes fushat apo sektorët (1) ku do të investonte dhe do të rriste përdorimin e fondeve publike, duke shikuar mundësitë për potencialin afatgjatë të vendit për rritje dhe duke zvogëluar shkallët e larta të papunësisë dhe varfërisë, dhe (2) ku të zvogëlonte shpenzimet buxhetore, duke pasur qartas parasysh minimizimin e efekteve negative për rritjen dhe kohezionin social. Kështu, vlerësimi për ekonominë e Kosovës – që ka demonstruar qëndrueshmëri në kohë të krizave ekonomike – si një ekonomi me potencial të konsiderueshëm për shkallë më dinamike të rritjes së qëndrueshme reflekton jo vetëm një shpresë por edhe një strategji për një të ardhme më të mirë. 

Publikuar në Tribuna, Nr.1188 (26 Korrik 2013), fq. 15-16


Kontaktet e mediave
Pristina
Lundrim Aliu
tel : +381-38-224-454 #107
laliu1@worldbank.org

Api
Api