Skip to Main Navigation
Results Briefs3 korrik 2025

Transformimi i institucioneve për shërbime gjithëpërfshirëse dhe zhvillim njerëzor në Shqipëri

The World Bank

Mësimi me ndihmën e SmartLabs nuk është vetëm argëtues, por edhe një përgatitje e shumë e mirë për gjeneratën e ardhshme.

AKSHI

PËRMBLEDHJE

Banka Botërore po mbështet Qeverinë e Shqipërisë në përdorimin e transformimeve më të avancuara institucionale dhe të sektorit publik për të përmirësuar shërbimet publike, për të rritur kapitalin njerëzor dhe për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës. Programi për Rezultate “Përmirësimi i Qasjes së Barabartë në Shërbime Publike me Cilësi të Lartë përmes GovTech” po forcon qasjen e barabartë dhe cilësinë e disa shërbimeve të përzgjedhura, veçanërisht për grupet më të cenueshme, si të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, gratë me arsim të ulët dhe shtresat më të varfra.

Rezultatet Kryesore

  • Institucione Efektive dhe Gjithëpërfshirëse. Institucione më efektive dhe gjithëpërfshirëse po përmirësojnë shërbimet për të gjithë qytetarët, po përgatisin brezin e ri për tregun e punës dhe po nxisin zhvillimin njerëzor dhe ekonomik.
  • Përdorimi i Shërbimeve. Deri në vitin 2025, aplikimet për shërbime përmes portalit dhe aplikacionit e-Albania janë rritur me 40%. Deri në vitin 2029, përdorimi i tyre pritet të rritet me 60% për popullatën e përgjithshme dhe me mbi 15% për grupet vulnerabël, si të varfrit, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe gratë.
  • Cilësia e Shërbimeve. Deri në vitin 2025, janë hartuar, miratuar dhe zbatuar standarde të reja për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të përzgjedhura. Deri në vitin 2029, pritet që koha e ofrimit të shërbimeve të ulet me 20% dhe 90% e përdoruesve të jenë “shumë të kënaqur” me shërbimet digjitale.
  • Zhvillimi Njerëzor. Deri në vitin 2025, janë krijuar 216 SmartLabs në shkolla dhe janë projektuar pesë Qendra Inovacioni për të Rinj, me synimin për të trajnuar të rinjtë. Deri në vitin 2029, pritet që 35,000 nxënës të shkollave fillore të kenë përmirësuar aftësitë digjitale dhe numerike, ndërsa 4,000 të rinj do të përfitojnë aftësi digjitale për tregun e punës në ekonominë digjitale.
  • Modernizimi i Qeverisjes Vendore. Deri në vitin 2025, janë identifikuar shërbimet lokale prioritare dhe është ngritur një grup pune ndërinstitucional për të mbikëqyrur procesin e modernizimit të shërbimeve të qeverisjes vendore. Pritet që deri në vitin 2029, 10 shërbime prioritare për qytetarët dhe bizneset që mbulojnë 61 bashki, të transformohen në shërbime elektronike, ndërsa bashkitë do të rrisin transparencën dhe efikasitetin e investimeve vendore për zhvillim të qëndrueshëm.
Teknologjia ka transformuar mënyrën se si mësojmë. Falë SmartLab, nxënësit kanë mundësinë të eksplorojnë, krijojnë dhe mësojnë përmes përvojës praktike. Ata angazhohen në projekte interaktive, zhvillojnë ide të reja dhe i paraqesin ato me vetëbesim dhe entuziazëm. Mësimi është jo vetëm argëtues, por edhe një përgatitje e shkëlqyer për të ardhmen e tyre në një botë gjithnjë e më digjitale. Interesi i nxënësve për teknologjinë është i jashtëzakonshëm!
Image
Aurela Ramadani
Mësuese e Matematikës dhe TIK Shkolla 9-vjeçare “Vaçe Zela”, Tiranë
SmartLab është fantastik për shkollën tonë! Ne gjithmonë kemi mësuar nga librat, por tani mësimi është më tërheqës dhe interaktiv. Nxënësit mezi presin të vijnë këtu dhe të punojnë në projekte. Përdorim programe si PowerPoint, CodeMonkey dhe mjete të tjera digjitale që e bëjnë mësimin më emocionues. Teknologjia është tashmë pjesë e çdo aspekti të jetës sonë, dhe më pëlqen shumë që po transformon edhe mënyrën se si mësojmë!
Image
Kamila Bami
Nxënëse, Klasa VIII B Shkolla 9-vjeçare “Vaçe Zela”, Tiranë

Sfidat

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar një program ambicioz reformash institucionale në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Europian (2022–2030). Ky program synon të përmirësojë efikasitetin e sektorit publik, të rrisë cilësinë e shërbimeve publike dhe të nxisë zhvillimin njerëzor dhe ekonomik. Edhe pse është bërë përparim i konsiderueshëm, mbeten ende sfida për të:

  • Rritur përdorimin dhe cilësinë e shërbimeve digjitale për të përmirësuar lehtësinë në përdorim, shpejtësinë dhe efikasitetin e ofrimit të tyre.
  • Shfrytëzuar mjetet e reja mësimore dhe digjitale për të përmirësuar shërbimet që lidhen me zhvillimit njerëzor, si në arsimin fillor dhe në aftësitë profesionale.
  • Përmirësuar aksesin dhe përdorimin e shërbimeve digjitale nga grupet e cënueshme të prekura nga hendeku digjital, si të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.
  • Përmirësuar sistemet dhe kapacitetet e qeverisjes vendore për të ofruar shërbime më të shpejta dhe efikase.
  • Modernizuar më tej prokurimin publik dhe menaxhimin financiar duke përdorur teknologjitë më të fundit për të rritur efikasitetin, kthimin ekonomik dhe transparencën.

Qasja

Për të adresuar këto sfida zhvillimi, Banka Botërore po mbështet me një financim prej 145 milionë dollarësh përmes një Programi Inovativ për Rezultate (PforR) – Përmirësimi i Qasjes së Barabartë në Shërbime Publike me Cilësi të Lartë përmes GovTech. Qëllimi është përmirësimi i aksesit të barabartë dhe i cilësisë së shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset, duke kombinuar reformat në administratën publike me strategji të ndryshimit të sjelljes dhe përdorimin e teknologjive digjitale për të bërë proceset qeveritare më të shpejta, efikase, transparente dhe të orientuara drejt nevojave të përdoruesve. Programi fokusohet në katër fusha kryesore rezultatesh: (i) Rritja e përdorimit dhe cilësisë së shërbimeve digjitale, përmes përmirësimit të portalit e-Albania, duke grupuar shërbimet sipas momenteve kyçe të jetës si “lindja e një fëmije” apo “hapja e një biznesi”; (ii) Zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe gjithëpërfshirja, përmes krijimit të SmartLabs në shkollat fillore dhe Qendrave të Inovacionit për të Rinj për zhvillimin e aftësive digjitale dhe ofrimin e mbështetjes për grupet vulnerabël; (iii) Fuqizimi i kapaciteteve institucionale për një sektor publik efikas, përmes përmirësimit të sistemeve të ndarjes së të dhënave në administratën shtetërore; (iv) Modernizimi dhe digjitalizimi i shërbimeve të qeverisjes vendore përmes reformimit të mënyrës së ofrimit të shërbimeve prioritare dhe digjitalizimit të funksioneve bashkiake.

Rezultatet

Programi kontribuon në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, përfshirë: (i) Eliminimi i varfërisë; (ii) Arsim Cilësor; dhe (iii) Veprimi për Klimën. Ai gjithashtu ndihmon në përmbushjen e treguesve të Bankës Botërore për: (i) Përdorimin e shërbimeve digjitale; (ii) Nxënës me arsim më të mirë; dhe (iii) Përfitues të shërbimeve më të qëndrueshme ndaj rreziqeve klimatike.

Që nga nisja e programit në vitin 2023 e deri në mesin e vitit 2025, janë bërë hapa të rëndësishme në drejtim të përmirësimit të shërbimeve digjitale, nxitjes së përfshirjes dhe përdorimit të teknologjisë në zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Cilësia e shërbimeve digjitale është përmirësuar dhe përdorimi i tyre është rritur. Aplikimet përmes portalit dhe aplikacionit e-Albania janë rritur me 40%. Versioni i ri e-Albania 2.0 është lansuar me funksione të avancuara për aksesueshmëri, duke përfshirë personat me aftësi të kufizuara. Janë miratuar standarde të reja për shërbimet digjitale për të garantuar cilësi më të lartë në ofrim.

Për të mbështetur zhvillimin e kapitalit njerëzor janë krijuar 216 SmartLabs në shkollat fillore, nga të cilat do të përfitojnë 35,000 fëmijë deri në vitin 2029. Janë projektuar 5 Qendra Inovacioni për të Rinj, që pritet të bëhen funksionale deri në vitin 2025 dhe të ndihmojnë 4,000 të rinj të zhvillojnë aftësi për tregun e punës. Kapacitetet institucionale për ofrimin e shërbimeve publike janë përforcuar.

Për të ofruar një përvojë më të mirë përdorimi dhe për t’u përafruar me standardet më të mira ndërkombëtare është përditësuar Portali i të Dhënave të Hapura. Gjithashtu, Government Gateway (platforma për ndarjen e të dhënave ndërinstitucionale) ka nisur një përditësim madhor për të rritur funksionalitetin dhe shtrirjen e saj.

Në nivel vendor janë identifikuar shërbimet lokale prioritare që kërkojnë modernizim. Është kryer një vlerësim i gatishmërisë digjitale të institucioneve të pushtetit vendor si dhe është ngritur një grup pune ndërinstitucional për të udhëhequr transformimin e qeverisjes vendore për të ardhmen.

Deri në afatin e mbylljes së projektit në 2029, pritet që përmirësimi i portalit e-Albania 2.0 të sjellë përfitime për 3 milionë përdorues, duke rifreskuar digjitalizimin e shërbimeve prioritare, duke i bërë më të thjeshta në përdorim si dhe duke përmirësuar infrastrukturën digjitale për qeverisjen vendore. Këto masa pritet të rrisin efikasitetin për 1.8 milionë aplikime, të ulin me 20% kohën e dhënies së shërbimeve duke rritur shkallën e pëlqyeshmërisë së shërbimeve për 90% të përdoruesve falë edhe përvojës së përmirësuar me ndihmën e inteligjencës artificiale. Gjithashtu, projekti pritet të (i) zgjerojë aksesin për grupet vulnerabël, vecanërisht të moshuarit dhe ata me nevoja speciale; (ii) pajisë me aftësi digjitale 35,000 fëmijë dhe trajnojë 1,000 mësues dhe drejtues shkollash; (iii) përgatisë 4,000 të rinj me aftësi digjitale sipas kërkesave të tregut të punës; (iv) të rrisë përdorimin e të dhënave të hapura (Open Data) për të  përmirësuar llogaridhënien; (v) të zgjerojë transparencën e prokurimeve publike përmes përdorimit të inteligjencës artificiale; dhe (vi) rrisë efikasitetin e shpenzimeve publike me anë të përdorimit të një sistemi të ri për menaxhimin financiar. Këto rezultate pritet të kontribuojnë në rritjen e të ardhurave të përftuara gjatë gjithë jetës për përfituesit e projektit, kursimet dhe rritjen e produktivitetit për administratën publike, dhe përfitime të përgjithshme ekonomike përmes kapitalit njerëzor të përmirësuar.

The World Bank

Shërbimet digjitale ndihmojnë të gjithë qytetarët të kenë akses më të lehtë dhe më të shpejtë në shërbimet publike, përfshirë edhe grupet më të cenueshme. Foto: Gent Shkullaku

Kontributi i Grupit të Bankës Botërore

Banka Botërore mbështet këtë axhendë reformash përmes një financimi prej 135 milionë dollarësh përmes instrumentit PforR. Për të ndërtuar kapacitetetet e qeverisë për të arritur rezultatet, Banka ka siguruar gjithashtu 10 milionë dollarë asistencë teknike përmes instrumentit IPF (Financim për Projekt Investimi).

Partneritetet

Partneritetet e jashtme dhe bashkëpunimi janë thelbësore për zbatimin dhe rezultatet aktuale dhe ato të pritshme. Partnerët kryesorë që kanë ofruar financim dhe asistencë teknike janë: Programi japonez për Investime në Infrastrukturë Cilësore (QII); Ministria Federale e Financave e Austrisë – Departamenti i Çështjeve Ndërkombëtare; Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike i Zvicrës (SECO); Faciliteti për Mbështetjen Klimatike në Ballkanin Perëndimor, financuar nga Austria (CSF).

Për të Ardhmen

Në të ardhmen, programi pritet të zgjerohet më tej për të përfshirë investime në zhvillimin ekonomik lokal, përmirësimin e infrastrukturës vendore dhe ndërtimin e partneriteteve me sektorin privat për krijimin e vendeve të punës. Dy mësime kyçe janë nxjerrë deri tani, së pari, mjetet digjitale janë të domosdoshme, por jo të mjaftueshme, për të sjellë ndikim ato duhet të shoqërohen me reforma në administratën publike dhe strategji për ndryshim sjelljeje. Së dyti, bashkëpunimi ndërinstitucional midis agjencive digjitale të qeverisë dhe ministrive të linjës është thelbësor për arritjen e rezultateve.