Skip to Main Navigation
Fjalime dhe tekstet e fjalimeve6 dhjetor 2023

FJALA E AJAY BANGA, PRESIDENT I BANKES BOTERORE SHQYRTIMI AFATMESËM NGA ASOCIACIONI NDËRKOMBËTAR PËR ZHVILLIM (IDA)

6 DHJETOR 2023 – ZANZIBAR, TANZANI

Shkëlqesitë tuaja – President Samia, President Mwinyi – është një nder i madh që jam me ju sot. Faleminderit për pritjen e ngrohtë dhe mikpritjen që të dyja qeveritë tuaja i kanë përcjellë secilit prej nesh.

Përpara se të filloj, do të doja të shpreh ngushëllimet e mia për ju dhe komunitetet e prekura nga vërshimet e disa ditëve më parë. Ju duhet të jeni të sigurt se Banka Botërore do të jetë pranë jush gjatë rimëkëmbjes dhe rindërtimit.

Në themelimin e saj, Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim u ngarkua me një mision të thjeshtë por fisnik - të rriste standardet e jetesës dhe të ndërtonte momentum për rritje në vendet në zhvillim.

Por peizazhi me të cilin përballemi sot është shumë më kompleks: progresi në rënie në luftën tonë kundër varfërisë, kriza ekzistenciale klimatike, pasiguria ushqimore, brishtësia, rimëkëmbja e dobët pas pandemisë dhe konflikt që prek jetët përtej vijave të frontit.

Një stuhi e përsosur me sfida të ndërthurura që përkeqësojnë pabarazinë.

Ndërkohë, në 10 vitet e ardhshme, 1.1 miliardë të rinj në mbarë Jugun Global do të bëhen të rritur në moshë pune. Megjithatë, në të njëjtën periudhë dhe në të njëjtat vende, ne pritet të krijojmë vetëm 325 milionë vende pune…. Kostoja e mosveprimit është e paimagjinueshme.

Por si mund të shpresojmë të bëjmë përparim adekuat ndërkohë që 600 milionë njerëz në Afrikë – 36 milionë prej të cilëve jetojnë këtu në Tanzani – ende nuk kanë qasje në energji elektrike të besueshme?

E thënë thjesht: Nuk mundemi.

Për t’u përballur me këto sfida të ndërthurura zhvillimore, opsioni ynë i vetëm është të përgjigjemi në mënyrë agresive, njëkohësisht dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Kjo është arsyeja pse kemi miratuar një vizion të ri: Të krijojmë një botë pa varfëri - në një planet të jetueshëm.

Me këtë vizion, ne kemi zgjeruar fokusin e Bankës Botërore dhe të njëjtat motivime kërkojnë që ne të zgjerojmë fushëveprimin e IDA-s.

Shumë prej jush erdhën me të njëjtin përkushtim drejt qëllimit. Është ajo që më detyroi të jem këtu dhe të fillojmë së bashku këtë rrugëtim të rimendimit të financave koncesionare.

Kjo do të jetë e vështirë, por nëse duam vërtet të stimulojmë ndryshimin dhe t’u ndihmojmë vendeve në qëllimet e tyre zhvillimore, nuk mjafton vetëm ta urojmë – na duhet të luftojmë për të.

Na duhet të kalojmë përtej projekteve, të krijojmë platforma, na duhet ta përsërisim dhe shkallëzojmë suksesin, duhet të marrim pa turp dhe të ndajmë pa probleme.

Për shembull, jo shumë kohë më parë vizitova një qytet në Nigeri ku IDA kishte ndihmuar në financimin e një sistemi mini-rrjeti. Energjia elektrike që prodhonte u lejoi fermerëve të vegjël të bënin punën e tyre në gjysmën e kohës, u mundësoi shitësve të pranonin pagesa digjitale dhe u dha diabetikëve qasje të rregullt në insulinën të ruajtur në kushte të mbrojtura.

Dhe – me të ardhurat e reja që derdhen në komunitet – shkolla fitoi kulm të ri, dritat e rrugëve përmirësuan sigurinë dhe u rritën regjistrimet në shkollë.

Kjo është fuqia e vërtetë e energjisë elektrike. Por ky është vetëm një shembull, dua të shoh 100,000 – 200,000 – gjysmë milioni më shumë. Këto përfitime dhe mundësi nuk duhet të jenë për njerëzit e pasur ose me fat - ose për këtë komunitet dhe jo për atë.

Duhet të jenë për të gjithë…

Kjo është arsyeja pse – me 5 miliardë dollarë nga IDA – ne jemi në një mision për të ofruar energji elektrike të besueshme, të përballueshme dhe të ripërtërishme për 100 milionë afrikanë përpara vitit 2030.

Por ambicia jonë ka një kosto.

E vërteta është se po i hapim kufijtë e këtij resursi të rëndësishëm koncensionar dhe asnjë sasi e inxhinieringut kreativ financiar nuk do të kompensojë faktin që ne kemi nevojë për më shumë fonde.

Kjo duhet të shtyjë secilin prej nesh që ta bëjmë rimbushjen e radhës të IDA-s më të madhen e të gjitha kohërave.

Ne kemi nevojë që të gjithë – donatorë, aksionarë dhe filantropë – të rriten, të bashkohen me ne dhe të sjellin ambiciet e tyre në këtë luftë, përndryshe nuk do të realizohet kurrë potenciali për IDA-n.

Por ndryshimi që aspirojmë të arrijmë nuk mund të blihet në pazar.

Na duhen reforma për të qenë më të shpejtë dhe më efikas.

Na duhet ta shfrytëzojmë udhërrëfyesin për evolucion të Bankës Botërore dhe ta bëjmë IDA-n më të arritshme, të qasshme dhe të kuptueshme.

Dhe duhet të përqendrohemi në qëllimin tonë për të qenë partnerë më të mirë dhe për të siguruar më shumë ndikim.

Kjo vështirësohet kur u kërkojmë qeverive të cilave u shërbejmë – shpesh me kapacitet të kufizuar – që ata vetë ta gjejnë rrugën për të siguruar fonde të dedikuara, secili me një proces unik aplikimi, standarde individuale dhe alokime të ndryshueshme.  Kjo kthehet në peshë për vendet, e bën planifikimin të vështirë dhe e largon vëmendjen nga impakti.

Në fund të fundit, zhvillimi i vonuar është zhvillim i mohuar.

Nëse do të mundeshim të krijonim më pak fonde me më shumë fleksibilitet, t’i thjeshtonim standardet tona ose të sillnim uniformitet në procesin e aplikimit - do të fitonim kohë.

Ka reforma të tjera të arsyeshme që ne mund t’i synojmë së bashku.

Gjatë 10 viteve të fundit, numri i artikujve në IDA që na është kërkuar të masim është rritur nga 120 në më shumë se 1000. Si rezultat, ekipi ynë dhe qeveritë shpenzojnë më shumë kohë duke u përpjekur të shënojnë kutitë sesa për të siguruar rezultate.

Kjo është arsyeja pse Grupi i Bankës Botërore po rindërton nga themeli tabelën tonë të rezultateve të korporatës duke synuar matjen e impaktit - sa vajza shkuan në shkollë, sa njerëz gjetën punë, sa emetim të gazrave serrë shmangëm.

Nëse mund ta shtrijmë fokusin tonë në rezultatet në IDA, ne mund ta tërheqim vëmendjen nga shkresat dhe të përqendrohemi tek projektet dhe njerëzit.

Arritja e këtyre reformave do të kërkojë më shumë nga secili prej nesh. Për fat të mirë, përgjigjja ndaj këtyre sfidave është e ngulitur në origjinën tonë.

Pas Bretton Woods, Sekretari i Thesarit i SHBA Morgenthau vërejti se Banka Botërore ishte zgjidhja për një nga problemet më të koklavitura. Por, ai tha gjithashtu se zgjidhja u bë e mundur sepse “këtë mund ta gjente vetëm vullneti i mirë, sensi i mirë dhe sinqeriteti i të gjitha kombeve”.

Është e njëjta frymë që na kërkohet tani.

Gjatë dy ditëve të ardhshme, do të kemi mundësinë të reflektojmë për rrugëtimin e IDA-s dhe të riafirmojmë parimet e saj themeluese. Së bashku ne do ta riimagjinojmë se çfarë mund të bëhet IDA dhe çfarë mund të arrijmë si rezultat.

Do të kemi mundësinë të përkushtohemi ndaj vizionit që nxiti krijimin e IDA-s, një vizion i një bote ku varfëria nuk është pengesë për potencialin njerëzor, por një botë ku çdo individ ka mundësinë të lulëzojë.

Ky është një udhëtim në të cilin jam i lumtur që jam me ju.

Faleminderit.

Azhurnuar për herë të fundit: dhj 06, 2023

Blogje

    loader image

ÇFARË ËSHTË E RE

    loader image