Skip to Main Navigation
Fjalime dhe tekstet e fjalimeve 21 dhjetor 2018

Veprimtari në kuadrin e zbatimit të projektit Greenback 2.0 në Berat: Fjala hapëse e Maryam Salim

I dashur Z Sinaj, kryetar i bashkisë së Beratit,

I dashur ambasadori Maître,

E dashur zëvendësguvernatore e Bankës së Shqipërisë, Znj. Ahmetaj,

Të nderuar qytetarë të Beratit, vizitorë nga vendet fqinje, ofrues të shërbimeve financiare dhe kolegë,

Image
Kam kënaqësinë të marr pjesë në këtë ngjarje dhe të përkujtoj edhe Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve. Migracioni është një nxitës i fuqishëm i rritjes, dinamizmit dhe të kuptuarit e ekonomisë. Ai lejon miliona njerëz të kërkojnë mundësi të reja, që u sjellin përfitime si komuniteteve të origjinës, ashtu edhe atyre të destinacionit.

Me këtë rast, Banka Botërore sapo ka nxjerrë Raportin e përditësuar për Migracionin dhe Zhvillimin lidhur me prirjet globale të flukseve migratore dhe remitancave. Viti 2018 ishte vit rekord, me 528 miliardë dollarë remitanca, duke shënuar një rritje globale prej 10,8 përqindësh nga viti i kaluar. Rajoni i Evropës dhe Azisë Qendrore renditet në krye të këtij fluksi me një rritje prej 20 përqindësh dhe Shqipëria ndodhet mes dhjetë vendeve të para të rajonit.

Përse janë kaq të rëndësishme remitancat për ekonomitë marrëse dhe njerëzit e tyre? Të dërguara nga migrantët për familjet e miqtë e tyre në shtëpi, këto pagesa janë burimi kryesor i të ardhurave të familjeve ose për përmbushjen e një qëllimi të caktuar, si, për shembull, shlyerjen e një kredie, përmirësimin e banesave, për mbulimin e kostove shëndetësore, etj.

Shumë buxhete familjare varen nga remitancat dhe ato kanë rëndësi jetike për Shqipërinë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, janë 1,2 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë, çka është më shumë se 40 për qind e popullsisë aktuale që jeton brenda kufijve të Shqipërisë. Banka Botërore vlerëson se fluksi hyrës i remitancave përmes kanaleve të rregullta në vitin 2018 do të arrijë vlerën 1,6 miliardë dollarë, që përbën 10,4 për qind të PBB-së.

Raporti i përmendur më lart informon po ashtu rreth ecurisë së kostos mesatare globale të dërgimit të remitancave. Të dhënat tregojnë se kjo kosto ka qëndruar thuajse e pandryshuar në 6,9 për qind, më shumë sesa dyfishi i Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ 10.7) me 3 për qind për nxitjen e migracionit dhe lëvizjen e sigurt, të rregullt dhe të përgjegjshëm të njerëzve. Kostoja e dërgimit të remitancave në Shqipëri është e lartë. Të dhënat më të fundit (tremujori i tretë i 2018-ës) tregojnë se kostoja mesatare e dërgimit të 200 dollarëve (apo e një shume të barasvlershme) në Shqipëri është 8,4 për qind e vlerës (ose rreth 16,80 dollarë).

Kështu, për Shqipërinë është shumë e rëndësishme të punojë drejt uljes së kostos së remitancave, duke qenë se ato përbëjnë një pjesë kaq të rëndësishme të të ardhurave. Kjo mund të arrihet duke përmirësuar transparencën, njohuritë financiare, duke rritur përfshirjen financiare dhe sigurinë dhe efikasitetin e sistemit të pagesave me pakicë.

Banka Botërore po ndihmon nëpërmjet Programit të Remitancave dhe Pagesave (PRP), financuar nga Sekretariati i shtetit zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), që zbatohet aktualisht në katër vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Serbia dhe Kosova) dhe në Ukrainë. Ky program ka për synim rritjen e sigurisë dhe efikasitetit të pagesave me pakicë, duke u përqendruar specifikisht te remitancat ndërkombëtare.

PRP-ja në Shqipëri është konceptuar për t’u ofruar ndihmë teknike autoriteteve, mbështetur në rekomandimet dhe gjetjet e një vlerësimi të tregut të remitancave në Shqipëri, i kryer nga Banka Botërore.

Sot përkujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve përmes projektit Greenback 2.0, që është një kuadër i hartuar nga Banka Botërore për nxitjen e zhvillimit të një tregu të shëndoshë remitancash. Ky projekt është zbatuar me sukses në një sërë qytetesh në mbarë botën, si, për shembull, në Torino, Itali; Montrej (Montreuil), Francë dhe Johor Bahru, Malajzi. Përveç Shqipërisë, projekti Greenback 2.0 është në zbatim apo në përgatitje në vende si Haiti, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova.

Në Shqipëri, projekti u prezantuar marsin e kaluar në Berat. Pse Berati? Mbështetur në dhënat e Bankës së Shqipërisë, Berati është qyteti me nivelin e dytë më të latë të remitancave të marra nga popullsia, pas Dibrës. Berati është një qytet përfitues me një fluks mjaft të madh hyrës të remitancave ndërkombëtare dhe me potencial për kalimin nga pagesat me para ne dorë drejt mjeteve elektronike.

Projekti përqendrohet në aspektin e kërkesës – te përdoruesit e shërbimeve të remitancave, nxitja e njohurive financiare dhe fushata lokale ndërgjegjësimi. Po kështu, ai ndërvepron me  ofruesit e shërbimeve të remitancave, me objektiv inkurajimin e praktikave më të mira të nxitura nga kërkesa. Ekipi i projektit është në komunikim të përhershëm me autoritetet publike përkatëse, për të raportuar gjetjet e punës në terren dhe për të frymëzuar reformat e mundshme.

Edhe pse shumica e aktiviteteve do të përqendrohen në edukimin financiar të dërguesve dhe marrësve të remitancave, ky projekt synon po ashtu shtimin e ligjërimit publik mbi këtë çështje, duke tërhequr një vëmendje të posaçme mbi rolin që shërbimet efektive financiare dhe kanalet e dërgesave mund të luajnë për rritjen e zhvillimit të qëndrueshëm në përgjithësi. Për këtë qëllim, Banka Botërore po punon me Grupin Këshillimor Greenback, i cili ka bërë bashkë aktorë e përfaqësues nga sektori publik dhe privat.

Ne besojmë se ekipi ynë, në bashkëpunim me autoritetet vendore, komunitetin dhe ofruesit e shërbimeve financiare, do të arrijë rezultatet e dëshiruara.

Ju faleminderit për vëmendjen e që keni ardhur sot këtu.

 

Api
Api