Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

Fjala për seancën e hapjes të dy eventeve të nëjpasnjëshme

18 tetor 2016


Tahseen Sayed Launch of Albanian Strategy for Services Development of the National Meteorological and Hydrological Services (NMHS), and Regional Workshop to Implement the WMO Strategy for Service Delivery for NMHSs in South East Europe Tirana, Shqipëria

Siç përgatitet për t’u mbajtur

I nderuar Drejtor i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), z. Hoxhaj, përfaqësues të agjencive dhe ministrive shqiptare, të ftuar nga Europa Juglindore, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Moldavia, Mali i Zi, Rumania dhe Serbia, përfaqësues të partnerëve për zhvillim, veçanërisht Organizata Botërore Meteorologjike, dhe pjesëmarrës.

Dy eventet e kësaj jave janë me shumë rëndësi në botën e ditëve tona ku jemi dëshmitarë të modeleve të reja klimatike dhe pasojave të rëndësishme ekonomike, sociale dhe mjedisore të motit ekstrem. Është thelbësore të përmirësohen shërbimet kombëtare për të dhënë informacion në kuadrin e vendim marrjes për administrimin e rrezikut nga moti dhe klima.

Dy vjet më parë, një raport i Grupit të Bankës Botërore me titullin “Ulja e të nxehtit”, tregoi se ndryshimet dramatike klimatike dhe moti ekstrem i ditëve tona do të jenë “normalja e re e klimës” në të ardhmen. Ky është një fenomen botëror. Shkatërrimi i shkaktuar këtë muaj në Haiti nga Uragani Methju rezultoi në thuajse 500 të vdekur dhe qindra të tjerë të humbur, sipas përllogaritjeve të OKB-së. Edhe vendet e Europës Juglindore kanë vuajtur për shkak të cënueshmërisë së tyre të lartë nga ngjarjet e motit ekstrem. Këtë e vumë re gjatë përmbytjeve të vitit 2014 në Serbi dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat shkatërruan jetesën e popullatës dhe ndrydhën rritjen ekonomike. Vlerësimi i nevojave pas katastrofës i përllogaritur nga Qeveria e Serbisë, mbështetur nga BE, OKB dhe Banka Botërore, tregoi se dëmet në Serbi kishin kapur vlerën e rreth 1,5 miliard eurove, me më shumë se 70% të këtyre dëmeve në sektorët e prodhimit. Në Bosnje dhe Hercegovinë, një vlerësim i ngjashëm tregoi se dëmet dhe humbjet nga përmbytjet përllogariteshin të ishin thuajse të barabarta me 15% të PBB-së. Ndikimi mbi popullatën ishte katastrofik. Mijëra prej tyre u evakuuan dhe vuajtën humbje ekonomike dhe personale. U deshën më shumë se dy vite që rritja ekonomike të rimëkëmbet pas përmbytjeve.

Në Shqipëri, përmbytjet e vitit 2015 ishin një kujtesë e hidhur e cënueshmërisë së vendit ndaj ngjarjeve të motit ekstrem. Modelet e ndryshueshme të motit janë vënë re tashmë në Shqipëri gjatë 15 viteve të fundit, përmes temperaturave në rritje, pakësimit të reshjeve dhe ngjarjeve më të shpeshta ekstreme si përmbytjet dhe thatësirat. Parashikimet klimatike tregojnë një pakësim të konsiderueshëm të reshjeve verore (me rreth 10% deri në vitin 2020 dhe 20% deri në vitit 2050), që do të kenë ndikime madhore në sektorë si burimet ujore, bujqësia dhe energjia.

Image
Ndikimet e këtyre modeleve të motit në ndryshim lidhen me rritjen ekonomike për shkak të uljes ose humbjes së prodhimtarisë dhe dëmtimeve në infrastrukturë. Sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore, një përmbytje që ka gjasa të ndodhë një herë në 100 vjet në Shqipëri, do të sillte dëme të barabarta me rreth 6% të PBB-së. Pas përmbytjeve të vitit 2015 në Shqipëri, vlerësimi i ndërmarrë nga qeveria mbështetur nga Banka Botërore, OKB-ja dhe BE-ja, arriti në përfundimin se këto përmbytje shkaktuan dëme dhe humbje prej 110 milionë euro.

Ndërkohë që këto ndryshime klimatike dramatike dhe moti ekstrem po ndikojnë tashmë miliona jetë, lajmi inkurajues është se ka zgjidhje për të shmangur ose lehtësuar këto goditje. Vendet po ndërgjegjësohen gjithmonë e më shumë për të ngritur mekanizmat e nevojshëm për administrimin e rrezikut përpara se katastrofat natyrore të godasin. Banka Botërore po punon në partneritet të ngushtë me vende në të gjithë botën dhe me partnerët për zhvillim për të ndihmuar në këtë fushë.

Në Shqipëri, Banka Botërore mbështet që prej vitit 2008 përpjekjet për forcimin e mbrojtjes civile, paralajmërimin e hershëm, hartimin e kodeve të ndërtimit dhe financimin për rrezikun përmes Projektit për Lehtësimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Përshtatjes (AL-DRMAP) dhe projektin vijues për Reduktimin e Rrezikut dhe Rritjen e Rezistencës. Si pjesë e kësaj ndihme ne jemi të përfshirë në modernizimin e shërbimeve kombëtare hidro-meteorologjike. Në vitin 2008, Banka Botërore përllogariti se për çdo 1 USD të investuar për modernizimin e shërbimeve hidro-meteorologjike në Shqipëri, përftimet sociale dhe ekonomike nga humbjet e reduktuara nga katastrofat dhe prodhimi i përshtatur më mirë në sektorë të ndjeshëm ndaj motit si bujqësia, menaxhimi i burimeve ujore dhe energjia do të ishin të paktën 2 USD dhe me më shumë gjasa 4 deri në 7 USD. Kjo është e vërtetë edhe sot, ndërkohë që ngjarjet e motit ekstrem bëhen gjithmonë e më të shpeshta dhe fuqishme.

Ne kemi punuar me IGJEUM për të forcuar institucionin në lidhje me ofrimin e të gjithë zinxhirit të shërbimeve hidro-meteorologjike, përfshirë instalimin e 40 stacioneve meteorologjike automatike, dixhitalizimin e të dhënave historike për të mbështetur analizat klimatike dhe ofrimin e trajnimit në punë për parashikimet. Një element kyç i mbështetjes për IGJEUM dhe partnerët e tij ka qenë mbështjetja për hartimin e një strategjie për ofrimin e shërbimeve që do të diskutohet sot.

Përvoja jonë botërore dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë tregon se nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse dhe ndër-sektoriale për të përgatitur më mirë vendin dhe qytetarët e tij për t’u përballur me motin ekstrem dhe përshtatjen me klimën. Kërkesa e parë kyçe është disponueshmëria e informacionit të nevojshëm për vendimmarrësit e rëndësishëm që administrojnë rreziqet nga moti dhe klima. Këto përfshijnë autoritetet, publikun e gjerë, ose interesat tregtarë. Së dyti, bashkërendimi më i ngushtë midis ofruesve të shërbimeve të motit dhe klimës dhe përdoruesve të tyre është thelbësor për qëndrueshmërinë e shërbimeve. Së treti, shërbimet vepruese të motit dhe klimës duhet të përdoren për të informuar lehtësimin dhe përshtatjen e vendimmarrjes dhe planifikimit. Së katërti, më duhet të theksoj se shërbimet e motit dhe klimës kanë nevojë për buxhet vjetor të mjaftueshëm  për veprimtari dhe mirëmbajtje për t’u siguruar që përfitimet e kësaj të mire publike të realizohen.

Shpresojmë që strategjia e ofrimit të shërbimeve të japë kontribut për çuarjen përpara të fushave thelbësore që përmenda më lart. Hartimi i një strategjie është i nevojshëm, por nuk mjafton. Është thelbësore që ajo të zbatohet në mënyrë sistematike me ekspertizën e nevojshme teknike, bashkërendimin dhe sigurimin e buxhetit dhe burimeve të nevojshme.

Udhëzimet e shkëlqyera për zhvillimin strategjik të ofrimit të shërbimeve të dhëna nga Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) janë plotësuar nga shkëmbimi i eksperiencave midis kolegësh, të ofruar gjatë këtij procesi nga Instituti Qendror Austriak për Meteorologjinë dhe Gjeo-Dinamikën (ZAMG). Shpresojmë që edhe ZAMG të ketë përfituar nga ky shkëmbim dhe që kjo përfshirje të vijojë të mbështesë Shqipërinë për t’u integruar dhe për të përfituar më shumë nga infrastruktura meteorologjike europiane.

Qëllimi i eventit të kësaj jave është që miqtë tanë nga Europa Juglindore të ndajnë dhe të mësojnë nga përvojat tuaja si dhe nga ajo shqiptare, që ka përfituar nga mbështetja austriake. Kjo përpjekje po përsëritet jo vetëm në rajon, por edhe në të gjithë botën.

Jam në dijeni që përpara dy javësh shumë prej jush, kolegë tuajët dhe shërbime të tjera hidro-meteorologjike jeni takuar në Zagreb për të nisur Sistemin Këshillues të Lajmërimit të Hershëm Shumë-Rrezikësh për Europën Juglindore. Ne mbështesin plotësisht këtë përpjekje rajonale për të përmirësuar lajmërimin e hershëm duke përdorur sistemet rajonale dhe botërore, si dhe ekspertizën për të përmirësuar performancën dhe efikasitetin e kostos.

Presim që shërbimet e përmirësuara dhe të reja që do të mundësohen nga kjo përpjekje rajonale të marrin informacion dhe të integrohen në strategjitë tuaja të ofrimit të shërbimit për të siguruar që ato informojnë vendimmarrjen vendase lidhur me administrimin e rrezikut nga moti dhe klima dhe të rezultojnë në administrim dhe përgatitje më të mirë ndaj rrezikut.

Përpara se ta mbyll, dëshiroj të falënderoj në veçanti Dr. Fatos Hoxhaj, Drejtor i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) për organizimin e këtij eventi. Dëshiroj të falënderoj gjithashtu partnerët tanë për zhvillim për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe veçanërisht Organizatën Botërore të Meteorologjisë (OBM) dhe Institutin Qendror Austriak për Meteorologjinë dhe Gjeo-Dinamikën (ZAMG).

Ju uroj një shkëmbim të suksesshëm përvojash dhe mësimesh dhe mezi pres të shoh shërbime më të fuqishme dhe efikase hidro-meteorologjike në të gjithë rajonin dhe pa dyshim, në Shqipëri.

Api
Api

Welcome