TIRANË, 1 korrik 2025 – Prej ditës së sotme, Massimiliano Paolucci është Menaxher i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, një pozicion që bashkon drejtimin për të gjitha institucionet e Grupit, me qëllim mbështetjen më të mirë të prioriteteve të sektorit publik dhe atij privat në Shqipëri. Z. Paolucci do të udhëheqë programet e Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Agjencisë Shumëpalëshe për Garanci Investimesh (MIGA) në Shqipëri, duke shërbyer si një pikë e vetme kontakti për të gjitha produktet dhe shërbimet e Grupit të Bankës Botërore. Kjo do të forcojë aftësinë e institucioneve për të adresuar sfidat globale dhe për të nxitur ritmin e zhvillimitme efikasitet dhe ndikim më të madh.
“Agjenda ambicioze e zhvillimit të Shqipërisë synon të rrisë mirëqenien e qytetarëve dhe të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Përfaqësimi i ri i përbashkët i Grupit të Bankës Botërore do të forcojë qasjen tonë të integruar në projektet që mbështesim, duke na pozicionuar si një partner më efektiv për qeverinë, sektorin privat dhe qytetarët shqiptarë,” – tha Massimiliano Paolucci, Menaxheri i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë.
Në Shqipëri, Grupi i Bankës Botërore po zbaton Kuadrin e Partneritetit për Vendin (CPF) për periudhën 2023–2027, i përqendruar në krijimin e më shumë vendeve cilësore të punës, forcimin e kapitalit njerëzor dhe rritjen e aftësisë së vendit për të përballuar rreziqet e mundshme – me synimin për të ndërtuar një shoqëri më të fortë, gjithëpërfshirëse dhe të begatë.
Massimiliano Paolucci, me kombësi italiane, ka qenë më parë Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Përpara këtij detyre ka shërbyer në disa pozicione brenda Bankës, si Oficer i Vendit për Republikën Domenikane, Koordinatori i Venditi për Programin e Brazilit, Përfaqësuesi i Posaçëm në Romë dhe Përfaqësuesi i Posaçëm pranë Institucioneve Evropiane në Bruksel.
Përfaqësimi i përbashkët i zyrës në nivel kombëtar është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një Grupi më të fortë të Bankës Botërore. Zyra e Shqipërisë është një prej disa zyrave të Grupit të Bankës Botërore që përfaqësojnë këtë model të ri drejtimi, me një drejtues të përbashkët për IBRD, IDA, IFC dhe MIGA.