Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP9 dhjetor 2024

Investimet në veprime për klimën do të forconin ekonominë dhe kapitalin njerëzor të Kosovës

PRISHTINË, 9 dhjetor 2024 – Investimi në qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike dhe tranzicioni i ekonomisë nga burimet fosile tek ato të ripërtëritshme do ta ndihmojë Kosovën të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe të mbrojë qytetarët e saj nga rreziqet natyrore, thuhet në Raportin e Grupit të Bankës Botërore mbi klimën dhe zhvillimin për Kosovën, që u publikua sot.

Raporti konstaton se Kosova do të duhej të investojë rreth 2.8 miliardë dollarë amerikanë gjatë dekadës së ardhshme për të mbrojtur banorët dhe pronat nga pasojat gjithnjë e më të rënda të ndryshimeve klimatike. Në planin afatgjatë, investimet gjithëpërfshirëse në përshtatje përfaqësojnë ekuivalentin e 1.4 për qind të BPV-së në vit deri në vitin 2050. Ndërsa kostot e investimeve në përshtatje janë padyshim të larta, kostot e mosveprimit janë edhe më të mëdha, ashtu si edhe përfitimet nga veprimi.

“Kosova ka bërë përmirësime domethënëse në standardet e jetesës gjatë dekadës së fundit, por këto arritje kanë sjellë disa pasoja të padëshiruara për mjedisin dhe shëndetin,” tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. “Investimet në veprime për klimën pritet të sjellin përfitime domethënëse për mjedisin dhe shëndetin publik, duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja punësimi.”

Duke implementuar iniciativa për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, Kosova mund të përmirësojë zhvillimin e kapitalit njerëzor, të ndihmojë fuqinë punëtore të fitojë aftësi të reja dhe të zgjerojë mundësitë për tregti. Investimi në përshtatje do të sjellë edhe përfitime të tjera ekonomike, përfshirë sektorë kyç si bujqësia, duke mbrojtur jetesën rurale, apo sektorët e hekurudhës dhe mbetjeve, ku identifikohen përfitime për mjedisin dhe shëndetin publik.

Duke qenë historikisht e varur nga thëngjilli për shkak të depozitave të pasura të linjitit, Kosova përballet me sfida të mëdha, si termocentralet e vjetruara dhe jo-efiçiente me djegie të linjitit, si dhe me infrastrukturën në përkeqësim në sektorët e transportit, ngrohjes dhe banimit. Këta faktorë kontribuojnë në degradimin e mjedisit dhe pasoja negative për shëndetin, duke theksuar cenueshmërinë e qytetarëve të Kosovës ndaj luhatjeve të çmimeve të energjisë, varfërisë energjetike dhe kostove të larta të ndotjes së ajrit.

Raporti thekson se përshpejtimi i tranzicionit energjetik për të arritur emetime neto zero në të gjithë ekonominë e Kosovës deri në vitin 2050 është i mundur, por do të kërkojë transformim rrënjësor dhe veprime vendimtare në nivel kombëtar dhe rajonal. Për shembull, termocentralet me djegie të linjitit do të duhet të dalin gradualisht jashtë përdorimit dhe të dekomisionohen plotësisht deri në vitin 2045, duke u zëvendësuar me zgjerim të theksuar të kapaciteteve të erës dhe diellit, të mbështetura nga teknologji për depozitimin e energjisë dhe lidhje të forta rajonale. Sektori privat do të luajë rol kritik në këtë shtytjen e këtij transformimi duke investuar në energji të ripërtëritshme, duke zhvilluar teknologji novatore dhe duke ndërtuar partneritete për të krijuar një të ardhme energjetike më të qëndrueshme.

Bankat komerciale dhe firmat private mund të japin kontribut të rëndësishëm në mbështetjen e veprimeve për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike në Kosovë.

“Në një skenar të emetimeve zero neto për Kosovën, sektori privat pritet të luajë rol udhëheqës në dekarbonizim, duke kontribuuar rreth 85 për qind të investimeve të nevojshme, veçanërisht në sektorët e transportit, ndërtesave dhe energjisë,” tha Nicolas Marquier, menaxher rajonal i IFC-së për Ballkanin Perëndimor. “Për të mobilizuar këtë kapital, rëndësi vendimtare do të ketë krijimi i një mjedisi rregullator që mundëson dhe mbështet investimet e përqendruara në klimë.”

Raporti ofron rekomandime për reforma të politikave dhe investime, duke u përqendruar në ato që mund dhe do të duhej të bëhen në planin afatshkurtër (deri në vitin 2030), me synimin për të përgatitur bazën për zgjerimin e veprimeve për klimën në dekadat e ardhshme.

Shkarkoni Raportin mbi Klimën dhe Zhvillimin për Kosovën këtu.

DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2025/ECA/056

Kontakt

Pristina
Lundrim Aliu
Vienna
Filip Kochan
For IFC
Ivan Mišković

Blogje

    loader image

ÇFARË ËSHTË E RE

    loader image