Skip to Main Navigation
NJOFTIME PËR SHTYP 25 maj 2018

Banka Botërore mbështet sigurinë e digave hidroelektrike në Shqipëri dhe rritjen e konektivitetit në tregun rajonal të energjisë

UASHINGTON, 25 maj 2018 — Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi sot një financim shtesë prej 12 milionë eurosh për Projektin e Sigurisë së Digave për Shqipërinë. Projekti do të rrisë mbështetjen për ruajtjen e digave hidroelektrike në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat në Shqipëri, për përmirësimin e efikasitetit operacional të këtyre digave dhe për rritjen e stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në tregun rajonal.

Kaskada e Drinit përfaqëson një aset të rëndësishëm për vendin. Tre hidrocentralet përgjatë kaskadës së Lumit Drin: Fierza, Komani dhe Vau i Dejës, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 1350 MW, prodhojnë rreth 70 përqind të furnizimit të përgjithshëm me energji elektrike në Shqipëri, e cila bazuar në çmimet e tregut rajonal të kohëve të fundit, përfaqëson një vlerë vjetore prej rreth 200 milionë dollarësh amerikanë. Për më tepër, ato luajnë rol të rëndësishëm për lidhjen në tregun rajonal të energjisë.

Funksionimi i sigurtë dhe i besueshëm i HEC-eve në kaskadën e Drinit nuk është vetëm çështje sigurie, por përbën gjithashtu edhe një burim potencial të menaxhimit të të ardhurave për qeverinë në të ardhmen. Projekti ka për qëllim përmirësimin e sigurisë së digave, performancës dhe disponueshmërisë së tyre, zgjatjen e jetës së tyre të dobishme dhe rritjen e përputhshmërisë me praktikat më të mira të mbrojtjes mjedisore.

Projekti ekzistues ka arritur rezultate të rëndësishme deri më sot. Të gjitha digat si në Lumin Drin dhe në Lumin Mat janë pajisur me instrumente dhe sisteme të ndryshme monitorimi. KESH-i dhe institucionet përgjegjëse kanë hartuar dhe miratuar një dokument për vlerësimin e rrezikut dhe Planin e Përgatitjes për Emergjenca, ndërkohë që ka përfunduar vlerësimi i kapacitetit të shkarkimit të digave.

Financimi shtesë do të sigurojë mbështetje financiare për përfundimin e rehabilitimit të portave të shkarkimit dhe për portat segmente të sigurisë në dy digat e kaskadës së lumit Drin (hidrocentralet e Fierzës dhe Komanit), si dhe për rehabilitimin e pajisjeve elektromekanike të HEC-it të Komanit.


DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2018/ECA/111

Kontakt

Uashington,
Kym Smithies
+1 (646) 407-8629
ksmithies@worldbank.org
Tirana
Ana Gjokutaj
+ (355-42) 284125
agjokutaj@worldbank.org
Api
Api