NJOFTIME PËR SHTYP

Banka Botërore do të ndihmojë për përmirësimin e cilësisë, aksesit dhe efikasitetit të sistemit shëndetësor në Shqipëri

27 shkurt 2015


UASHINGTON, 27 shkurt, 2015—Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi sot një financim nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) prej 32.1 milionë Euro për Projektin e Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor në Shqipëri. Kostoja totale e projektit është 36.1 milionë Euro dhe pjesa tjetër bashkë-financohet nga Qeveria shqiptare. Projekti do të mbështesë përmirësimin e efikasitetit të kujdesit në disa nga spitalet në vend, atë të menaxhimit të informacionit në sistemin shëndetësor si dhe rritjen e aksesit financiar për shërbimet shëndetësore.

Treguesit kryesorë që lidhen me sistemit shëndetësor në Shqipëri flasin për rezultate të ndryshme. Ndërsa disa prej tyre janë të relativisht të mira sipas standardeve rajonale, cilësia e kujdesit përbën një shqetësim domethënës. Sektori vuan nga mungesa e efikasitetit dhe nga pabarazitë. Shpenzimet nga xhepi të pacientëve përbëjnë më shumë se gjysmën e shpenzimeve në shëndetësi. Vetëm gjysma e të varfërve janë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore dhe shpenzimet në rritje për shëndetin kanë çuar më shumë familje drejt varfërisë. Pagesat nën dorë mbeten të zakonshme, sidomos në spitalet publike.

 “Reformat e sektorit shëndetësor janë komplekse dhe ende ka shumë punë për t’u bërë”, tha Tahseen Sayed, Drejtore e Bankës Botërore për Shqipërinë. “Qeveria ka treguar angazhim të madh për të ndërmarrë reforma në disa fusha kyçe duke përfshirë këtu përmirësimin e sistemeve të financimit të shëndetësisë dhe shërbimeve spitalore, reformën në sektorin farmaceutik dhe zgjerimin e mbulimit nga sigurimet shëndetësore. Projekti i ri do të mbështesë reformat në sektorin shëndetësor duke synuar përmirësimin e aksesit dhe të efikasitetit në shërbimet e kujdesit shëndetësor”.

Projekti është në vazhdën e angazhimeve të mëparëshme të Bankës Botërore në këtë sektor. Aktivitetet e projektit do të mbështesin reformimin e sektorit spitalor, përmirësimin e monitorimit dhe menaxhimit të cilësisë dhe efikasitetit të shërbimit përmes krijimit të një sistemit të menaxhimit të informacionit shëndetësor dhe reformimit të sistemit të financimit duke përfshirë këtu vlerësimin e alternativave për të zgjeruar mbulimin nga sigurimet brenda hapësirës ekzistuese fiskale.

“E gjithë popullsia e Shqipërisë do të përfitojë në përgjithësi nga projekti, sidomos nga përmirësimet në efikasitetin e shërbimeve të kujdesit spitalor” tha Lorena Kostallari, Drejtuese e Lartë e Projektit. “Nga fundi i projektit pritet të racionalizohet me 800 numri total i shtretërve në spitale të vogla në rrethe, sipas Masterplanit Spitalor, duke përmirësuar paralelisht shërbimet në spitalet kryesore rajonale. Si rezultat i reformës në sektorin farmaceutik, parashikohet një ulje prej 25 përqind i çmimit mesatar për 10 barnat më të përdorura me recetë dhe për 10 barnat më të shtrenjta spitalore. Kjo do të ndikojë pozitivisht në mbrojtjen financiare nga shpenzimet për kujdesin shëndetësor. Projekti do të mundësojë një rritje deri në 65 përqind të mbulimit nga sigurimet shëndetësore të të varfërve“.

Gjithashtu, grupe specifike të popullsisë, si ata me sëmundje kronike prioritare do të përfitojnë nga përmirësimi i kujdesit parësor dhe nga pagesat e ulura me bashkëfinancim për barna kryesore. Kjo do të ulë shpenzimet për pagesat nga xhepi për pacientët. Edhe aktorë të tjerë të sektorit shëndetësor do të përfitojnë nga përmirësimi i kapaciteteve: rreth 700 punonjës të institucioneve të kujdesit shëndetësor, përfshirë këtu edhe Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) dhe spitalet rajonale do të përfitojnë nga trajnime dhe veprimtari për ngritjen e kapaciteteve.

Që prej antarësimit të Shqipërisë në Bankën Botërore në vitin 1991, vendi ka përfituar 84 projekte me vlerë mbi 2.1 miliardë USD në kredite të IDA-s dhe grante e hua të IBRD-së.

 

Për më shumë informacion ju lutemi të vizitoni: www.worldbank.org/al

Na vizitoni në Facebook: World Bank Albania

Përditësohuni nëpërmjet Twitter: https://www.twitter.com/worldbank

Kanali ynë në YouTube: https://www.youtube.com/worldbank

 



Kontaktet e mediave
Në Uashington
Kristyn Schrader-King
tel : +1-202-458-2736
kschrader@worldbank.org
Në Tiranë
Ana Gjokutaj
tel : (355-42) 284125,
agjokutaj@worldbank.org

DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2015/322/ECR

Api
Api

Welcome