NJOFTIME PËR SHTYP

Një politikë e shëndoshë fiskale është e rëndësishme për të mbështetur rritjen ekonomike në Shqipëri

2013-02-15



TIRANË, 15 Shkurt 2013 – Në një tryezë të rrumbullakët që u mbajt sot në Tiranë u diskutuan sfidat dhe përparësitë e politikës fiskale të Shqipërisë në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Qëllimi i kësaj veprimtarie, të organizuar nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ishte ripohimi i rëndësisë së konsolidimit fiskal për të arritur rritje të qëndrueshme dhe për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, si dhe për të diskutuar hapat specifikë drejt këtyre qëllimeve.

Pjesëmarrësit përfshinin Ministrin e Financave Ridvan Bode, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, Kryeekonomistin e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore Indermit Gill, Shefin e Misionit të FMN për Shqipërinë Nadeem Ilahi, staf drejtues nga Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë, Kryeministria, si dhe staf nga Banka Botërore, FMN, dhe delegacioni i Bashkimit Evropian.

Ndërsa politikat ekspansioniste fiskale e ndihmuan me sukses Shqipërinë të zbuste valën e parë negative të efekteve të krizës globale dhe të shmangë recesionin, dobësitë e vazhdueshme të eurozonës janë reflektuar në një ngadalësim të theksuar të ekonomisë shqiptare. Sot, borxhi publik në nivelin mbi 60 për qind të PBB është nga më të lartët në Evropën Juglindore (EJL) dhe amortizatorët fiskalë kryesisht janë konsumuar (megjithëse rritja në borxhin e Shqipërisë gjatë viteve të krizës globale ka qenë më e ulët se në vendet e tjera të EJL). Pasiguria në sektorin e energjisë dhe disa borxhe në punët publike i janë shtuar barrës fiskale meqenëse ato do të kërkonin shpenzime të sektorit publik në të ardhmen. Veç kësaj, borxhi publik i Shqipërisë, një pjesë e madhe e së cilës është i brendshëm, ka një komponent të konsiderueshëm afatshkurtër, që nënkupton riskun e rifinancimit.

Tryeza e rrumbullakët diskutoi gjithashtu nevojën për fillimin e konsolidimit fiskal në afat të shkurtër, në një kohë kur ekonomia operon ndën potencialin e vet.

“Një objektiv i besueshëm i borxhit dhe konsolidim fiskal i vazhdueshëm, por gradual afatmesëm, do të jepte një sinjal të mirë të angazhimit të qeverisë ndaj qëndrueshmërisë së borxhit, duke përmirësuar në këtë mënyrë besimin, duke ulur kostot e huamarrjes së sektorit publik, dhe duke kompensuar të paktën pjesërisht çdo ndikim negativ afatshkurtër të kërkesave të konsolidimit fiskal”, deklaroi Nadeem Ilahi, Shef i Misionit për Shqipërinë të FMN.

Në këtë kontekst, është shumë e nevojshme ndërmarrja e masave të prekshme, të cilat përforcojnë politikën e matur fiskale për t’i dërguar tregjeve një sinjale të besueshme.

“Ndërkohë që rreziku më i madh i jashtëm për ekonominë shqiptare është dobësia në Eurozonë, kërcënimi më serioz i brendshëm është zhbalancimi në financat publike. Në një kohë që qeveria shqiptare nuk mund të bëjë shumë për të ndihmuar vendet e tjera, mund dhe duhet të bëjë më shumë për të balancuar llogaritë e veta," vuri në dukje Indermit Gill, Kryeekonomisti për Evropën dhe Azinë Qendrore në Bankën  Botërore.

Pjesëmarrësit në Tryezën e Rrumbullakët diskutuan rëndësinë e uljes së borxhit publik në një periudhë afatmesme për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të arritur rritje të qëndrueshme. Ata shkëmbyen këndvështrime mbi rolin dhe projektimin e një rregullimi të qëndrueshëm fiskal dhe reforma strukturore për të ulur borxhin në një periudhë afatmesme, duke mundësuar ndërkohë që ekonomia të rimarrë veten nga dobësia e saj e tanishme.

“Ndërkohë që mbështetja e ekonomisë nëpërmjet instrumenteve efektivë të politikave makroekonomike është me rëndësi kritke në këtë kohë të vështirë, deri në momentin që kërkesa merr veten dhe ekonomia rifiton forcën e saj, stabilizimi dhe ulja graduale e borxhit publik në kohë, mbetet një përparësi kryesore e qeverisë,” theksoi Ministri shqiptar i Financave, Ridvan Bode. "Ishte shumë i rëndësishëm ky debat me ekspertët ndërkombëtarë sot rreth masave konkrete që mund të merren për të forcuar përpjekjet e konsolidimit fiskal."

Me synim nga e ardhmja, u diskutuan disa alternative të mundshme mbi mënyrën se si të sigurohet përgjegjshmëria fiskale, siç është miratimi i një rregulli fiscal. Ndërkohë që disa nga masat e propozuara do të kishin nevojë për konsensus të gjerë politik, fillimi i punës përgatitore në këtë drejtim, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare financiare dhe institucionet e pavarura, do të sinjalizonin një angazhim drejt politikës së shëndoshë fiskale dhe reformave në të ardhmen.

 

Kontaktet e mediave
Për Zyrën e Bankës Botërore në Tiranë
Ana Gjokutaj
tel : +(355-42) 280 655
agjokutaj@worldbank.org
Për Zyrën e FMN në Tiranë
Linda Spahia
tel : +(355-42) 280 400
lspahia@imf.org
Për Ministrinë e Financave, Shqipëri
Elvi Fundo
tel : +(355-42) 686099999
zyrashtypit@minfin.gov.al


DEKLARATA PËR SHTYP NR:
ECA-Al

Api
Api