Skip to Main Navigation
OPINION 12 dhjetor 2019

Kriza në mësimnxënie kërkon një qasje të re

Për shumicën e fëmijëve, arritja e moshës 10 vjeçare është një moment emocionues. Ata mësojnë më shumë rreth botës dhe i zgjerojnë horizontet. Por tepër shumë fëmijë, më shumë se gjysma e të gjithë 10-vjeçarëve në shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, nuk dinë të lexojnë dhe ta kuptojnë një rrëfim të thjeshtë. Jemi në mes të një krize globale në mësimnxënie që i pengon mundësitë dhe aspiratat e qindra miliona fëmijëve. Kjo është e papranueshme.

Në tetor, ne publikuam të dhëna në përkrahje të një objektivi të ri në mësimnxënie: deri në vitin 2030, dëshirojmë ta zvogëlojmë, të paktën ta përgjysmojmë nivelin global të varfërisë në mësimnxënie.    

Image
Mësimi i leximit është një zotësi posaçërisht kritike: ai e hap një botë të mundësive dhe është themeli mbi të cilin ndërtohet mësimi thelbësor, përfshirë punën me numra dhe shkencën. Eliminimi i varfërisë në mësimnxënie, që definohet si përqindja e fëmijëve që dinë të lexojnë dhe ta kuptojnë një rrëfim të thjeshtë deri në moshën 10 vjeçare, është çështje urgjente. Eliminimi i varfërinë është kyç në përgjithësi dhe e nxitë prosperitetin e përbashkët. Është çelësi për t’i ndihmuar fëmijëve që ta arrijnë potencialin e tyre. 

Por gjatë disa viteve të fundit, progresi në reduktimin e varfërisë në mësimnxënie ka stagnuar. Në nivel global në mes të viteve 2000 dhe 2017, përmirësimi ishte vetëm 10 për qind në rezultatet e të nxënit për fëmijët e moshës së shkollore fillore. Nëse ky ritëm vazhdon, 43 për qind e fëmijëve të moshës dhjetë vjeçare nuk do të dinë të lexojnë në vitin 2030.

Rezultatet e fundit të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), i cili mat aftësinë e 15-vjeçarëve që t’i përdorin njohuritë dhe shkathtësitë e tyre për lexim, matematikë dhe shkencë për të zgjidhur sfidat e jetës reale, tregojnë se në Kosovë tre në katër nxënës nuk mund të demonstrojnë kompetencat themelore të kërkuara për lexim, matematikë dhe shkencë, kundrejt mesatares prej një në tre nxënës në vendet e rajonit Evropë dhe Azi Qendrore. Gjithashtu, hendeku i performancës mes nxënësve nga grupi me të hyrat më të larta dhe bashkëmoshatarëve të tyre nga grupi me të hyrat më të ulëta është i madh, me një ndryshim prej 45 pikësh PISA, afërsisht të barasvlershme me një vit shkollimi. Ngjajshëm, nxënësit e shkollave private ua kalojnë moshatarëve të tyre nga shkollat publike me 98 pikë PISA, afërsisht të barasvlershme me pak më shumë se dy vjet shkollim.

Lajmi i mirë është se fëmijët që do t’i mbushin 10 vjet në vitin 2030 do të lindin vitin e ardhshëm. Nëse punojmë urgjentisht, ekziston mundësia për ta kthyer mbrapsht këtë trend.

Synimi që e kemi vendosur është ambicioz, por i arritshëm, dhe duhet t’i galvanizojmë veprimet drejt arritjes së Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm nr.4, që është sigurimi i arsimit cilësor për të gjithë. Kjo kërkon pothuajse trefishimin e shkallës së progresit në nivel botëror, që mund të bëhet nëse secili shtet e arrin performancën e shteteve me progresin më të madh në mes të viteve 2000 dhe 2015.

Disa shtete po tregojnë se kjo është e mundur. Në Keni, programi kombëtar i qeverisë për lexim e ka trefishuar përqindjen e nxënësve të klasës së dytë që lexojnë në nivel të duhur. Kjo u realizua përmes trajnimit të mësimdhënësve përmes teknologjisë, udhëzuesve për mësimdhënës dhe shpërndarjes së një libri për çdo fëmijë.

Në Vietnam, një kurrikulum i qartë dhe efektiv mbulon nivelin bazik, ngërthen mësimnxënien e thellë të zotësive themelore dhe të gjithë fëmijët kanë materiale leximi. Rezultatet e të nxënit tek nxënësit Vietnamezë në pjesën e poshtme të 40 përqindëshit në shkallën e të ardhurave janë po aq të larta, ose më të larta sesa tek nxënësit mesatar në shtetet me të ardhura të larta.

Sfidat e reduktimit së varfërisë në mësimnxënie do të ndryshojnë në mes të shteteve dhe rajoneve. Në disa shtete, qasja në shkolla mbetet një problem enorm, 258 milionë të rinj ishin jashtë shkollës në nivel global në vitin 2018. Në shtetet tjera, fëmijët janë nëpër dhomat mësimore, por nuk po mësojnë. Duke vendosur një objektiv global, Banka Botërore mund të bashkëpunojë me shtetet për t’i definuar objektivat e tyre kombëtare në mësimnxënie. Përgjysmimi i varfërisë në mësimnxënie deri në vitin 2030 është vetëm qëllim i ndërmjetëm. Ambicia jonë është që të punojmë me qeveritë dhe me partnerët për zhvillim për ta sjellë atë numër në zero.

Si financuesi më i madh i arsimit në shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, Banka Botërore do të punojë me shtetet për ta promovuar aftësinë në lexim nëpër shkollat fillore. Politikat përfshijnë ofrimin e udhëzuesve të hollësishëm dhe trajnimin praktik për mësimdhënësit, sigurimin e qasjes në tekste më të mira dhe më të përshtatshme për moshën, dhe mësimdhënien për fëmijët në gjuhën që e përdorin në shtëpi.

Banka Botërore gjithashtu po punon me qeveritë dhe me partnerët për zhvillim për t’i përmirësuar të gjitha sistemet arsimore, kështu që avancimet në shkrim-lexim të ruhen dhe të përshkallëzohen. Kjo do të thotë se duhet të siguroheni se fëmijët vijnë në shkollë të përgatitur dhe të motivuar për të mësuar, mësimdhënësit janë efektivë dhe çmohen dhe kanë qasje në teknologji, dhomat mësimore ofrojnë hapësirë të pajisur mirë për mësimnxënie, shkollat janë të sigurta dhe përfshirëse, dhe sistemet arsimore janë të menaxhuara mirë.

Agjenda ambicioze e matjes dhe hulumtimit i përkrahë këto përpjekje dhe përfshinë matjen e rezultateve mësimore dhe të shtytësve të tyre, vazhdimin e hulumtimit dhe inovacionit, dhe përdorimin inteligjent të teknologjive të reja për mënyrën e kultivimit të zotësive themelore.

Kriza në mësimnxënie jo vetëm që e çon dëm potencialin e fëmijëve, por i dëmton ekonomitë e tëra. Ajo ndikon negativisht në fuqinë punëtore në të ardhmen dhe në konkurrueshmërinë ekonomike, siç tregon Indeksi i Kapitalit Njerëzor i Bankës Botërore që në nivel global produktiviteti i një fëmije mesatar të lindur sot pritet të jetë vetëm 56 për qind i asaj që do të ishte nëse shtetet do të investonin sa duhet në shëndetësi dhe në arsim.

Eliminimi i varfërisë në mësimnxënie duhet të jetë prioritet, ashtu sikurse edhe eliminimi i urisë dhe i varfërisë së skajshme. Nuk do të jetë e lehtë, por ne nuk mund të zmbrapsemi nga sfida. U detyrohemi fëmijëve në tërë botën që t’i vendosim synimet e larta, ashtu që edhe ata ta bëjnë të njëjtën gjë.

Api
Api