Për Alketa Nonin, pagesat ndërkufitare janë thelbësore për funksionimin e biznesit ku ajo punon. Si menaxhere e Mini Invest Albania, një kompani e shpërndarjes së produkteve ushqimore, ajo dërgon rregullisht pagesa përtej kufijve për të paguar furnitorët dhe partnerët. Deri vonë, çdo transferim shoqërohej me kosto të larta — dhe vonesa.
"Para SEPA-s, ne paguanim tarifa të larta çdo ditë vetëm për të dërguar para përtej kufijve," thotë ajo. "Tani, të njëjtat pagesa na kushtojnë më pak se 10 euro në ditë. I gjithë procesi është më i shpejtë dhe plotësisht online."
Ky ndryshim — në dukje i thjeshtë — është rezultat i një transformimi të rëndësishëm në mënyrën se si Ballkani Perëndimor lidhet me infrastrukturën financiare evropiane.
Një epokë e re për pagesat ndërkufitare
Në tetor 2025, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut iu bashkuan Hapësirës së Përbashkët të Pagesave në Euro (SEPA), pjesë e një rrjeti me mbi 40 vende që kanë një kuadër të përbashkët për transferta të shpejta dhe me kosto të ulët në euro. Për bizneset dhe qytetarët në këto vende, kjo shënoi një pikë kthese. Bankat vendase fituan aftësinë për t'u integruar në skemat evropiane të pagesave, duke i bërë transaksionet ndërkufitare në euro po aq të thjeshta sa transfertat bankare brenda vendit.
Sa i takon kostove, ndikimi ka qenë i konsiderueshëm. Të dhënat e fundit të Bankës Botërore tregojnë se kostot mesatare të transferimit të pagesave nga biznesi në biznes u pakësuan dhjetëfish pas prezantimit dhe zbatimit të SEPA-s në secilin vend. Në Mal të Zi, për shembull, kostoja mesatare e një transaksioni përmes SEPA-s midis tetorit 2025 dhe janarit 2026 ishte 6.15 euro – krahasuar me një mesatare prej 73.4 euro për transaksion në 2024, bazuar në modelin e mëparshëm bankar korrespondent. Kjo është gati 12 herë më lirë.
Kursimet që përkthehen në vende pune
Për Alketën, numrat nuk janë abstraktë. "Në total, transfertat tona ditore kushtojnë rreth 2,500 euro më pak në muaj," shpjegon ajo. "Ne kemi punësuar dy agjentë të rinj të shitjeve në terren, duke zgjeruar aktivitetin tonë dhe duke forcuar praninë tonë në zonat ku operojmë. Puna e tyre ka pasur rezultat – ne po arrijmë klientë të rinj dhe po rrisim shitjet tona."
Është pikërisht ky rezultati që politikëbërësit në të gjithë Ballkanin Perëndimor shpresojnë të shohin gjithmonë e më shumë. Rajoni përballet me një sfidë të dyfishtë: konvergjencën me Bashkimin Evropian, teksa adresojnë uar presionet e plakjes së fuqisë punëtore dhe emigracionit të vazhdueshëm. Krijimi i vendeve të punës më të mira dhe më produktive është thelbësor për të përmbushur këtë sfidë. Modernizimi i ekosistemit të pagesave – ulja e kostove dhe zgjerimi i aksesit në shërbimet financiare digjitale – është një pjesë e rëndësishme e zgjidhjes së kësaj sfide.
Bashkëpunim shumëvjeçar në prapaskenë
Nisja e SEPA-s nuk ishte një proces i menjëhershëm dhe as një përpjekje e izoluar. Për vite me radhë, Banka Botërore ka bashkëpunuar me qeveritë dhe bankat qendrore në Ballkanin Perëndimor, si edhe me Komisionin Evropian, për të hedhur themelet e kësaj arritjeje.
Ajo ofroi asistencë teknike për rregullatorët dhe mbikëqyrësit e sistemit të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i ndihmuar ata të kuptojnë kërkesat për anëtarësim në SEPA dhe të ndërtojnë kapacitetet institucionale për t'i përmbushur ato.
Një pjesë thelbësore e kësaj përpjekjeje ishte sjellja njëkohësisht e disa vendeve në të njëjtën tryezë, duke nxitur shkëmbimin e njohurive dhe një qasje të koordinuar rajonale për të harmonizuar sistemet e pagesave, në vend të reformave të fragmentuara nga njëri vend në tjetrin. Në Mal të Zi, për shembull, Banka Botërore ka mbështetur përmes një operacioni kreditimi modernizimin e sistemit të pagesave, duke financuar infrastrukturën dhe ndryshimet e domosdoshme institucionale për integrimin në SEPA.
Hapat e ardhshëm
Përpjekjet për të përfshirë më shumë vende të rajonit në SEPA kanë nisur tashmë. Futja e ekonomive të tjera të Ballkanit Perëndimor — dhe më gjerë — thellon integrimin, nxit konkurrencën dhe zgjeron përfitimet, nga bizneset dhe qytetarët në rajon tek sektorët e turizmit, tregtisë dhe shërbimeve që e lidhin rajonin me pjesën tjetër të Evropës.
Për Alketën, rruga përpara është e qartë. ‘Biznesi ynë po rritet me ritme shumë të mira’, thotë ajo. ‘SEPA na ka ndihmuar që burimet tona financiare të mbeten aty ku kanë më shumë rëndësi — në rritjen e biznesit dhe investimin tek njerëzit.
Në tetor 2025, hyrja në SEPA shënoi fillimin e një rrugëtimi, jo fundin e tij. Në rajon ka nisur puna për të zgjeruar përfitimet nga modernizimi i pagesave. Pagesat e shpejta, që kryhen në pak sekonda e jo për orë të tëra, pritet të realizohen deri në fund të vitit në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Me konkretizimin e këtyre kapaciteteve, përfitimet për bizneset, familjet dhe shërbimet publike do të rriten gjithnjë e më shumë.
Në një rajon ku çdo përfitim sa i takon efikasitetit bën diferencën, dhe ku rruga drejt zhvillimit kalon përmes lidhjeve më të forta me Evropën, ky është një zhvillim shumë domethënës.