HISTORIA E PËRZGJEDHUR 12 gusht 2025

Turizmi mbi trashëgiminë kulturore po krijon vende të reja pune dhe rigjallëron Jugun e Shqipërisë

FAKTE KRYESORE

  • Komunitetet në Jugun e Shqipërinë, në Berat, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë po lulëzojnë ekonomikisht falë edhe investimeve të mbështetura nga Banka Botërore
  • Investimet publike për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe përmirësimin e infrastrukturës po nxisin investimet private, veçanërisht në turizëm dhe mikpritje.
  • Mijëra vende të reja pune janë krijuar, kryesisht për gra, të rinj dhe persona shpesh të përjashtuar nga tregu i punës, duke nxitur edhe rikthimin e të ikurve që shohin mundësi të reja në vendlindje.

Qytete me histori, mundësi të reja

Për vite me radhë, komunitetet në Shqipërinë e Jugut përjetonin një rritje të ngadaltë dhe largim masiv të banorëve, sidomos të rinjve, në kërkim të mundësive më të mira, edhe pse vendi po shndërrohej në një destinacion turistik tërheqës. Kristian Kondi, menaxher i restorantit “Zonja Gjenë në Berat, kujton: “Dhjetë vjet më parë, kur isha fëmijë, në këtë rrugicë kishte vetëm dy ose tre dyqane. Pas orës 6 të mbrëmjes, nuk kish më jetë. Dritat ishin fikur, s’kish më këmbë njeriu.”

Sot, gjithçka ka ndryshuar, pasi bashkitë kanë ndërmarrë hapa për të vlerësuar historinë e pasur dhe bukuritë natyrore të zonës, qytete të shpallura Trashëgimi Botërore nga UNESCO, kala antike, arkitekturë osmane, bregdet piktoresk dhe shumë të tjera. Nëpërmjet Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe të Turizmit (PIUTD), Banka Botërore në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë, ka ndihmuar në restaurimin e zonave historike, përmirësimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e shërbimeve turistike, duke sjellë mundësi të reja ekonomike dhe vende të reja pune në qytetet e Beratit, Gjirokastrës, Përmetit, Sarandës dhe zonave përreth.

The World Bank

Restaurimi i Kalasë së Gjirokastrës për forcimin e mureve kryesore mbajtës, ka rritur sigurinë dhe aksesin për vizitorët në këtë qytet të UNESCO-s. 

Banka Botërore

Bum turistik që nxit rritjen ekonomike dhe punësimin

PIUTD është përqëndruar në restaurimin e 12 zonave kryesore turistike, si Qafa e Pazarit, shëtitorja e Sarandës, kalatë e Beratit, Borshit, Gjirokastrës dhe Kaninës, duke i bërë ato më të aksesueshme. Janë përmirësuar pothuajse 200,000 m² hapësira publike, përfshirë rikonstruksionin e rrugëve me kalldrëm, asfaltimin e rrugëve, rehabilitimin e shesheve dhe vendosjen e tabelave orientuese, trotuareve, ndriçimit, shtigjeve të reja, stolave, rampave dhe pikave të informacionit për vizitorët.

Turizmi po lulëzon. Sipas INSTAT, Shqipëria regjistroi një rritje prej 82% të numrit të vizitorëve në vitin 2024 krahasuar me vitin 2019. Në jug të vendit shifrat janë edhe më mbresëlënëse, Berati ka pritur gati katërfishin e turistëve dhe Gjirokastra gjashtëfishin, gjatë të njëjtës periudhë.

Ky fluks vizitorësh, i nxitur nga përpjekjet e sektorit publik, po i hap rrugën investimeve nga sektori privat. Sipërmarrja vendase po zhvillohet, familje që shndërrojnë shtëpitë karakteristike në bujtina krijojnë eksperienca kulinarie e kulturore dhe investojnë në infrastrukturë të re si shtigje për ecje dhe biçikleta, autobusë elektrikë, varka dhe së shpejti  zip-line. Këto sipërmarrje po gjallërojnë fusha si turizmi i aventurës dhe aktivitetet rekreative në natyrë.  Që nga fillimi i zbatimit të PIUTD në vitin 2019, numri i bizneseve të lidhura me turizmin në zonën e mbështetur nga projekti është më shumë se dyfishuar.

Ky ekosistem në rritje i sipërmarrjeve private po zgjat sezonin turistik në jug të vendit, po diversifikon burimet e të ardhurave të banorëve dhe po i kthen vendet e restauruara të trashëgimisë kulturore në qendra ekonomike plot jetë.
Dikur kishim turistë vetëm në korrik dhe gusht. Tani turizmi në Sarandë është gjatë gjithë vitit,” shton Rudina Liçaj, operatore turistike në qytet.

E gjithë kjo veprimtari ekonomike ka qenë një pikë kthese për tregun e punës në rajon, sidomos në sektorët e mikpritjes, turizmit dhe transportit. Me rëndësi është fakti se kjo rritje është gjithëpërfshirëse, më shumë se gjysma e vendeve të reja të punës u përkasin personave që shpesh përjashtohen nga tregu i punës, si gratë, të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara.

Dhjetë persona me aftësi të kufizuara punojnë në Kalanë e Gjirokastrës, duke marrë pjesë në detyra të ndryshme, përfshirë mirëmbajtjen. Punësimi u ka rritur vetëbesimin, ka lehtësuar përfshirjen sociale dhe u ka mundësuar të sigurojnë të ardhura që mbështesin si veten, ashtu edhe familjet e tyre.
Ardi Zuka
Ardi Zuka
Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Gjirokastër
The World Bank

Investimet në infrastrukturën urbane po mbështesin bizneset e vogla dhe po krijojnë vende pune për të rinjtë në sektorë si turizmi dhe mikpritja.

Banka Botërore

Koha për t’u rikthyer

Mundësitë e shumta të krijuara nga zhvillimi i turizmit kulturor në Shqipërinë e Jugut dhe investimet që pasuan nga sektori privat kanë përmbysur rënien e popullsisë në rajon, duke vepruar si magnet për tërheqjen e ish-banorëve. Ata po kthehen në vendlindjet e tyre për të investuar, për të sjellë ide të reja dhe për të ndërtuar jetën këtu.

Kristi Magllara, e kthyer në Sarandë pas 15 vitesh në Gjermani dhe Austri, sot menaxhon biznesin familjar në turizëm: “Kur pashë zhvillimin e turizmit në Shqipëri, mendova se kishte ardhur momenti i duhur për t’u rikthyer në shtëpi, për të zhvilluar biznesin familjar dhe për të sjellë ide të reja.”

Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të kthehesha në Gjirokastër. Por me të gjitha investimet që janë bërë në qytet, si në infrastrukturë ashtu edhe në çdo aspekt tjetër të jetës, vendosa të rikthehem dhe të investoj të gjitha kursimet e mia në turizëm, pikërisht në shtëpinë ku u rrita,” thotë Hajdar Ceribashi, menaxher i hotelit Aqueduct Inn në Gjirokastër.

Ky rikthim po i jep frymëmarrje të re komuniteteve dhe po ndihmon në vazhdimin e ciklit të investimeve dhe zhvillimit që po rigjallëron Jugun e Shqipërisë.

The World Bank

Investimet në shkallë, rampa, parmakë dhe përmirësime të tjera po rrisin aksesin në zonat historike dhe qendrën e Beratit.

Banka Botërore

Një model për zhvillim të qëndrueshëm

Projekti po ruan asetet natyrore dhe kulturore të Shqipërisë, duke nxitur rritjen ekonomike. Nga restaurimi i Kalasë së Gjirokastrës, te investimet në infrastrukturë publike, ekoturizëm dhe shërbime për vizitorët, qëndrueshmëria është pjesë e çdo ndërhyrjeje të PIUTD. Bashkitë kanë fituar përvojë dhe aftësi të reja, duke krijuar njësi të turizmit për të siguruar zhvillimin afatgjatë të sektorit.

Ne kemi ndërtuar më shumë se thjesht rrugë, sheshe dhe fasada,” thekson Ervin Ceca, Kryetar në detyrë i Bashkisë Berat. “Kemi krijuar një model zhvillimi që vlerëson natyrën, kulturën dhe komunitetin.”

Përvoja e zhvillimit të Jugut të Shqipërisë tregon se si ruajtja e trashëgimisë dhe zhvillimi i turizmit kulturor, të mbështetur nga komunitetet e fuqizuara dhe partnerët ndërkombëtarë, mund të krijojnë vende pune, të nxisin investime dhe të gjenerojnë transformim ekonomik.

Duke investuar në të shkuarën, Shqipëria po ndërton një të ardhme më të begatë.

The World Bank

Investimet në infrastrukturën bregdetare të Sarandës, përfshirë shëtitoren, trotuaret për këmbësorët, hapësirat publike dhe shkallët e reja, po ndihmojnë në zgjatjen e sezonit turistik dhe në përmirësimin e përvojës së vizitorëve.

Banka Botërore

Blogje

    loader image

ÇFARË ËSHTË E RE

    loader image