Grupi i Bankës Botërore është një nga mbështetësit kryesorë të ndihmës për zhvillim në Shqipëri. Ai luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e reformave, forcimin e institucioneve dhe financimin e investimeve në të gjithë sektorët.

Portofoli aktual i kredisë së Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) është rreth 600 milionë dollarë, që përfshin shtatë projekte në sektorët e transportit, ujit, bujqësisë, digjitalizimit, mjedisit dhe mbrojtjes sociale. Portofoli përfshin edhe dy fonde besimi (trust funds), me vlerë 1.6 milionë dollarë.

Duke marrë parasysh progresin e qenësishëm në Programin për Rezultate “Përmirësimi i Qasjes së Barabartë në Shërbime Publike me Cilësi të Lartë përmes GovTech”, në prill 2025 u aprovua një financim shtesë prej 80 milionë dollarësh. Ky financim do të mbështesë prokurimin publik dhe menaxhimin financiar publik përmes e-prokurimit dhe sistemit të informacionit për menaxhimin financiar, si në nivel qendror ashtu edhe vendor. Programi i Dytë i Politikave për Qëndrueshmëri (DPL), i aprovuar në prill 2025, do të forcojë mobilizimin e të ardhurave, zgjerojë tregun e energjisë së rinovueshme, përmirësojë efikasitetin e sektorit publik dhe do të mbrojë mjedisin dhe ulë emetimet e karbonit.

Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) sjell ekspertizën e saj në Shqipëri përmes shërbimeve këshilluese strategjike dhe projekteve të investimeve që mbështesin kalimin drejt një modeli të larmishëm, me vlerë të shtuar dhe të bazuar në eksporte, duke nxitur konkurrencën dhe rritjen e qëndrueshme. IFC punon për të nxitur pjesëmarrjen e sektorit privat në sektorët kyç si energjia e rinovueshme, financat e gjelbra, infrastruktura, shitja me pakicë dhe turizmi. Portofoli i saj përfshin dy projekte kreditimi dhe 13 projekte këshilluese rajonale. Pjesë e investimeve të IFC-së është Grupi Balfin, një korporatë me aktivitete të larmishme (41 milionë dollarë) dhe Voltalia, një investitor francez që zhvillon parqe fotovoltaike me kapacitet 240 MW (34 milionë dollarë). Aktivitetet këshilluese të IFC-së në Shqipëri përfshijnë projekte në financat digjitale, financat bujqësore, financat klimatike, parqet eko-industriale dhe shërbimet logjistike.

Lexoni më shumë
Lexoni më pak