Shqipëria: Rikthimi i rritjes ekonomike dhe përmirësimi i mirëqenies

2017-04-17


Image
Genti Shkullaku

Përgjatë dy dekadave të kaluara Shqipëria është transformuar nga një prej vendeve më të varfëra të Europës në një vend me të ardhura të mesme të larta, duke reduktuar varfërinë nga 25.4 përqind në vitin 2002 në 14.3 përqind në vitin 2012. Kriza financiare globale ndaloi rritjen, ngadalësoi reduktimin e varfërisë dhe zvogëloi mundësitë për punësim. Shqipëria po zbaton reforma makro-fiskale dhe strukturore për të rigjallëruar rritjen dhe krijuar vende pune, ndërsa ecën përpara në axhendën e integrimit në Bashkimin Europian (BE). Në Kuadrin e Partneritetit me Shqipërinë (KPSH) për vitet fiskale 15-19, angazhimi i Bankës Botërore pritet që të rritet me 1.2 miliardë DOLLARË për të mbështetur axhendën e zhvillimit të Shqipërisë.


Sfida

Sfidat kryesore për Shqipërinë përfshijnë nevojën për të përshpejtuar rritjen dhe krijimin e vendeve të punës. Niveli i lartë i rritjes para krizës prej 6 përqind u nxit në shkallë të madhe nga konsumi i brendshëm, që u rrit si pasojë e nivelit të lartë të remitancave. Pas krizës financiare të vitit 2008, rritja u ul dhe ishte vetëm 1.7 përqind në vitet 2013 dhe 2014; kriza gjithashtu ekspozoi mungesën e qëndrueshmërisë të këtij modeli të kaluar të rritjes dhe theksoi nevojën për të kaluar nga rritja e nxitur nga konsumi në rritjen e nxitur nga investimet dhe eksportet.

Tani ka shenja të qarta të kësaj rimëkëmbjeje të nxitur nga investimet dhe eksportet, të përshpejtuar nga reformat e vazhdueshme në sektorin energjetik, në sektorin financiar për pensionet dhe për menaxhimin fiskal. Përpjekje më të mëdha nevojiten për të përshpejtuar rritjen ekonomike përfshirëse me synimin për të ruajtuar qëndrueshmërinë makro-fiskale dhe atë të sektorit financiar, për të përmirësuar klimën e investimeve dhe për të përshpejtuar rritjen e sektorit privat, duke eleminuar pengesat ndaj krijimit të vendeve të punës dhe duke përmirësuar qeverisjen dhe shërbimin ndaj publikut.

Përmirësimi i lidhjes rajonale dhe aksesi ndaj tregjeve rajonale dhe globale, së bashku me diversifikimin e eksporteve dhe të tregut, mund të ndihmojë për të përshpejtuar rritjen. Këto aspekte janë të përfshira në Strategjinë Kombëtare të Shqipërisë për Zhvillimin e Integrimin, e  cila shënjestron reforma për rimëkëmbjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe realizimin më efikas të shërbimeve sociale. Ruajtja e ritmit të reformave nëpërmjet zbatimit të vendosur është kritike për rritjen e vazhdueshme ekonomike të Shqipërisë dhe për integrimin në BE. Back to top

Qasja

Në dekadat pasi Shqipëria doli nga izolimi komunist, Grupi i Bankës Botërore (GBB) ka luajtur një rol kryesor në mbështetjen e reformave, fuqizimin e institucioneve dhe financimin e investimeve në një sërë sektorësh.

Në vijim të investimeve dhe rritjes së ulët që zgjatën në kohë pas krizës financiare globale, në situatën kur reduktimi i varfërisë nuk po përparonte dhe kur po rritej mungesa e ekuilibrit makroekonomik dhe fiskal, Qeveria filloi një program të gjerë reformash me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të GBB-së. Gjashtë prioritetet ndërsektoriale të Qeverisë - qëndrueshmëria makro-ekonomike dhe fiskale, konkurrueshmëria, qeverisja dhe llogaridhënia në shërbimet publike, energjia, toka dhe uji – janë të reflektuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim si dhe në Analizën Sistematike për Vendin (ASV).

Kuadri i Partneritetit me Vendin (KPV) VF15-19 rriti në mënyrë domethënëse angazhimin e Bankës duke rezultuar në 1.2 miliardë DOLLARË kredi për të mbështetur reformat e Shqipërisë, rritjen e barabartë dhe integrimin në BE. Angazhimi strategjik i KPV-së përqendrohet tek rivendosja e ekuilibreve makroekonomike, krijimi i kushteve për rritje të përshpejtuar të sektorit privat dhe fuqizimi i menaxhimit të sektorit publik dhe ofrimit të shërbimeve. Back to top


Rezultatet

Rezultatet në kuadrin e  KPV aktual dhe të Strategjisë së mëparëshme të Partneritetit (SPV) përfshijnë:

KPV

  • Pagesat e prapambetura të sektorit publik në nivel mbi 5 përqind të PBB-së në vitin 2013 u shlyen nga Qeveria në vitin 2015.
  • Me situatën e përmirësuar financiare të sektorit energjetik, garancitë e qeverisë u përgjysmuan në vitin 2015 krahasuar me vitin 2013.
  • Humbjet gjatë shpërndarjes në sektorin energjetik në vitin 2015 u reduktuan në nivelin 31 përqind nga 49 përqind që kishin qenë në vitin 2013.
  • Arkëtimet në sektorin energjetik arritën 98 përqind në vitin 2015 nga 78 përqind që kishin qenë në vitin 2013.
  • Pothuajse 2,140 shqiptarë që më parë nuk përfitonin pension, në vitin 2016 përfituan pensionin social.
  • Një garanci prej 200 milionë Euro për politikat, e vitit 2015, adresoi nevojën e Qeverisë për fonde dhe minimizoi kostot e huamarrjes si dhe ndihmoi që të kurseheshin 120 milionë Euro që do të kishin shkuar për të paguar interesat.

SPV

  • U kryen punime rehabilitimi në 11 diga gjatë viteve 2009-2013.
  • Në përputhje me kuadrin e BE-së, u ngrit një Laborator Metrologjik  e u miratua një kuadër rregullator për inspektimet dhe 175 nëpunës të administratës u trajnuan në lidhje me këto gjatë viteve 2010-2012.
  • U krijua një Inspektorat Kombëtar i ri në vitin 2012 duke reduktuar numrin e inspektorateve nga 36 në 15.
  • Nga më shumë se 50 vende të vlerësuara në kuadrin e programit të Bankës për Performancën në Menaxhimin e Borxhit (DeMPA) Shqipëria është nga të paktat që në shumicën e fushave realizon menaxhim të ‘shëndetshëm’ të borxhit, sipas përcaktimeve të metodologjisë së DeMPA.
  • 110 kilometra rrugë dytësore dhe rrjete rrugësh lokale u rehabilituan ose ndërtuan, duke lidhur 81 komunitete nëpërmjet rrugëve me shërbime dhe tregje gjatë periudhës 2009-2012.
  • Mësimi me tre turne u eliminua dhe mësimi me dy turne u reduktua nga 36 në 16 përqind të arsimit fillor dhe në 6 përqind në arsimin nëntëvjeçar gjatë periudhës 2005-2012.
  • Të ardhurat e gjeneruara nga përmirësimet në pyje, tokë bujqësore dhe burime ujore u rritën me 28 përqind dhe erozioni u reduktua me 200, 000 tonë në rreth 250 komunitete rurale në vitin 2012 krahasuar me vitin 2005.
  • Një nga vendet e para që sekuestrojnë karbonin duke përmirësuar 5, 427 hektarë tokë të degraduar. Në 13 korrik 2013 128, 757 pikë reduktim të certifikuar të emetimit (CERs) u dhanë nga Konventa Kuadër e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimaterike. Në bazë të kësaj Fondi Botëror i Bio Karbonit i pagoi Shqipërisë një shumë prej 450,000 USD.
  • 45,000 m2  mbetje të rrezikshme u vendosën në mjedise të sigurta në landfill dhe substanca të rrezikshme për njerëzit u pastruan në vitin 2010 në Porto Romano duke rigjallëruar kështu një nga vendet më të ndotura në Shqipëri.

Shqipëria u deklarua se e përmbushte standardin global të Nismës së Transparencës për Industritë Nxjerrëse (NTIN) të menaxhimit të hapur dhe të përgjegjshëm të burimeve natyrore, në maj 2013, pas publikimit të suksesshëm të katër raporteve të NTIN-së gjatë periudhës 2009-2012. Back to top


Kutia e SHNZH-së  për Rezultatet

Shqipëria ka hedhur hapa të mëdhenj gjatë dy dekadave të kaluara dhe konsiderohet si një histori suksesi e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (SHNZH). Arriti të nxjerrë nga varfëria 200,000 njerëz në periudhën 2002-2008 duke përgjysmuar kështu nivelin e varfërisë nga mbi 25.4 përqind në  rreth 12.4 përqind.

Shqipëria në vitin 2008 kaloi nga financimi nga SHNZH tek financimi nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BNRZH). Rezultatet e mbështetura nga SHNZH përfshijnë si më poshtë:

  • 300 shkolla u ndërtuan ose rindërtuan gjatë periudhës 1994-2012 dhe nga kjo përfituan 100, 000 fëmijë.
  • 115 qendra shëndetësore u ndërtuan, rindërtuan dhe/ose pajisën në zonat më të varfëra të vendit gjatë periudhës 1994-2000.
  • 335,000 hektarë të sistemit të vaditjes dhe kullimit u rehabilituan ose përmirësuan gjatë periudhës 1994-2008 dhe nga kjo përfituan 100,000 familje.
  • Erozioni i tokës u reduktua me 220, 000 tonë gjatë viteve 2000-2008.
  • 1,700 kilometër rrugë kombëtare dhe rurale u riparuan, ndërtuan ose mirëmbajtën gjatë periudhës 1994-2008. 
  • 26 komuniteteve iu dha akses në rrugë të kalueshme në çdo lloj moti për herë të parë gjatë periudhës 1994–2008.

Back to top

Kontributi i Grupit të Bankës Botërore

GBB filloi të angazhohet në Shqipëri në vitin 1991. Që prej asaj kohë Banka është konsideruar si një partner i besuar dhe shumë i vlerësuar dha ka kontribuar në rritjen dhe zhvillimin e Shqipërisë. Përgjatë 25 viteve të kaluara GBB ka ndihmuar që vendi të arrijë rezultate mbreslënëse të mbështetura me më shumë se 2.4 milionë dollarë nga IDA, IBRD, Korporata Financiare Nërkombëtare (IFC) dhe Agjencia Shumëpalëshe për Garantimin e Investimeve (MIGA).

Portofoli aktual përbëhet nga nëntë kredi të financuara nga IBRD dhe një kredi të IDA-s duke arritur një vlerë totale prej 544 milionë USD. Portofoli i IFC-së ka vlerë rreth 233 milionë dollarë dhe ekspozimi bruto i MIGA-s është rreth 297 dollarë. Back to top

Partnerët

Asistenca e huaj vazhdon të jetë një faktor kritik për zhvillimin e Shqipërisë. Duke qenë se ekziston një mbështetje e jashtme për buxhetin prej rreth 350-400 milionë USD, asistenca e huaj mbulon rreth 40-50 përqind të shpenzimeve kapitale në buxhet. Banka dhe BE-ja janë partnerët strategjikë kyçë në Shqipëri dhe programet e tyre mbulojnë sektorë të shumtë. Bashkëpunimi dhe koordinimi me partnerët për zhvillim janë aspekte të forta të angazhimit të Bankës, shfrytëzimit të asistencës së partnerëve të tjerë në disa programe të sektorëve kyçë si transporti, energjia, shëndetësia, asistenca sociale, menaxhimi i sektorit publik dhe mjedisi.

Vazhdon të ekzistojë bashkëpunim aktiv me partnerë shumëpalësh, veçanërisht me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankën Europiane të Investimeve (BEI) dhe me Kombet e Bashkuara si dhe me një numër partnerësh dypalësh duke përfshirë Austrinë, Japoninë, Gjermaninë (nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim [KfW], Suedinë dhe Zvicrën. Koordinimi i partnerëve për zhvillim brenda vendit udhëhiqet nga Qeveria dhe koordinimi ndërmjet partnerëve për zhvillim organizohet nëpërmjet BE-së, duke përfshirë përpjekjet për të shkuar drejt një qasjeje që mbulon gjithë sektorin në fusha kyçe, të udhëhequr nga grupe pune të sektorëve të përbashkëta me përfaqësues të qeverisë dhe të donatorëve.

Gjithashtu, Investimet e Huaja Direkte në sektorë strategjikë duke përfshirë shërbimet, sektorin bankar dhe atë energjetik është mesatarisht 7.7 përqind e PBB-së që prej krizës financiare globale dhe financon rreth 65 përqind të deficitit të llogarisë korrente. Back to top

Rruga drejt së ardhmes

Programi i mbështetjes i GBB-së udhëhiqet nga KPV që çon drejtimin e ASV-së drejt një modeli të ri të rritjes ekonomike për të riekuilbruar ekonominë drejt rritjes së barabartë, përfshirëse dhe të nxitur nga eksportet. ASV dhe KPV të Shqipërisë ishin të parët në rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore dhe ishin ndër të parët projekte pilotë të modeli të ri të GBB-së për angazhimin me secilin vend.

KPV ndërtohet rreth tre fushave kryesore: (i) rivendosja e ekuilibreve makroekonomike; (ii) krijimi i kushteve për rritje të përshpejtuar të sektorit privat; (iii) fuqizimi i menaxhimit të sektorit publik dhe i ofrimit të shërbimeve. Zbatimi i strategjisë po ecën mirë dhe shfrytëzon avanazhet krahasuese të Bankës. KPV përfshin një përzierje instrumentesh huaje me deri në 40 përqind kredi orientuese në formën e mbështetjes buxhetore, të kushtëzuar me ecurinë e reformave.

Shërbimet e Këshillimit dhe të Analizës (ASA) plotësojnë programin e huasë. Puna e vazhdueshme analitike përfshin një Analizë të Vendeve të Punës dhe të Aftësive,  një Vlerësim Fiduciar të Vendit dhe një Vlerësim për Zbatimin e Projektit, një Analizë të Qeverisjes dhe Financave Vendore, dhe Asistencë Teknike për Përmirësimin e të Dhënave për Administrimin e Tokës. Investimet e IFC-së pritet të jenë rreth 150-200 milionë dollarë përgjatë periudhës së KPV dhe MIGA do të vazhdojë të eksplorojë mundësi për dhënien e garancive. Back to top

Përfituesit

Shqipëria po rinovon infrastrukturën mjedisore dhe komunitare për të rritur turizmin, duke përmirësuar kushtet në fshatrat e bregdetit jugor dhe duke mbrojtur pasuritë natyrore dhe kulturore. Projekti për Menaxhimin e Integruar dhe Pastrimin e Zonës Bregdetare ka ndihmuar që të përmirësohet infrastruktura e fshatit me sisteme të furnizimit me ujë, rrugë të reja, shtrimin rishtas të shesheve të fshatrave. “Përmirësime të tilla po nxisin ish-banorët që të kthehen,” thotë kryeplaku i fshatit Qeparo, Stefan Kokëdhima. “Kur njerëzit panë se po ndërtohej ujësjellësi i ri, pati shumë kërkesa për t’u kthyer tek fshati i vjetër.”

Përmirësimi i Portit të Sarandës me financimin e bankës ka përmirësuar ekonominë përmes rritjes së turizmit. “Numri i turistëve u rrit me 20 përqind. Vitin e kaluar numri ishte 500, 000. Këtë vit ishte 600, 000 që do të thotë 100,000 më shumë dhe kjo u realizua në sajë të portit”, thotë Ben Çipa, organizator udhëtimesh.

Reforma e pensioneve në Shqipëri e mbështetur nga këshillat teknike të Bankës u lejon mijëra shqiptarëve të marrin një pension social, i ideuar ky të ndihmojë njerëz mbi moshën 70 vjeç të cilët kanë punuar por nuk kanë paguar më parë sigurimet shoqërore. “U çlirova shumë kur mora pensionin pas kaq vitesh që kam jetuar pa të”, thotë Sose Kamberaj, e cila është 76 vjeç dhe jeton në Vlorë. “Ky pension më ndihmon të kujdesem për veten. U gëzova që e mora sepse në të kaluarën nuk merrja gjë. Më parë, kur kishim vetëm pensionin e burrit, nuk ia dilnim dot. Tani mundemi.”

Si pjesë e një projekti të financuar nga Banka, mijëra shqiptarë përdorin një sistem online për të siguruar të drejtat e tyre të pronës , të cilat janë thelbësore për mirëfunksionimin e tregjeve të pasurive të paluajtshme. “Duheshin shumë ecejake – dhe shumë stres – për të përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për të ndihmuar klientët për të blerë apo shitur pronat e tyre.” Por tani, Mimoza Sadushaj, një notere shqiptare mund të hyjë onlinë tek të dhënat për hipotekën e tokës dhe të pronave. Me një të klikuar mund të shohim informacionin, të plotësojmë formularët e çdo gjë! Por më parë, ishte më e vështirë,  duhet të punoje me kopje fizike”, thotë Mimoza.

Back to top