Skip to Main Navigation
Fjalime dhe tekstet e fjalimeve 10 nëntor 2017

Fjala e Linda Van Gelder Drejtore Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor: Konferenca Vjetore e Bankës së Shqipërisë

Autoritete të nderuara dhe pjesëmarrës të shquar,

Ju falenderoj për mundësinë për të folur mbi rolin që luan përfshirja financiare për rritjen ekonomike dhe reduktimin e varfërisë, si dhe objektivin e  Bankës Qendrore për të ruajtur stabilitetin financiar.

Përfshirja Financiare është e rëndësishme

Kur kemi përfshirje financiare,  individët dhe bizneset kanë akses në produkte financiare dhe shërbime të dobishme dhe të përballueshme që plotësojnë nevojat e tyre.

Përfshirja financiare lehtëson jetën e përditshme. Ajo ndihmon familjet dhe bizneset të bëjnë plane për objektivat afatgjatë dhe përballimin e emergjencave të papritura. Kur individët kanë një llogari ka të ngjarë të përdorin kredi dhe sigurime, të hapin apo zgjerojnë një biznes, të investojnë në arsim dhe shëndetësi, të menaxhojnë risqet dhe përballojnë goditjet, shërbime këto që mund të përmirësojnë cilësinë e përgjithshme të jetës së tyre.

Për bizneset, përfshirja financiare ndihmon për të financuar investimet, për të ulur kostot e transaksionit, për të menaxhuar goditjet dhe për të kryer pagesa të sigurta. Për kompanitë e vogla dhe të reja, të cilat shpesh përballen me kufizime më të mëdha, ne vërejmë se aksesi në financim është i lidhur me inovacionin, rritjen dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Image
Për veç të tjerash, përshirja financiare është bërë një prioritet global. Ajo mundëson arritjen e 7 nga 17 Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm dhe është njohur si prioritet nga vendet e G20-s.  Grupi i Bankës Botërore gjithashtu e konsideron përfshirjen financiare një faktor mundësues të rëndësishëm për të ulur varfërinë dhe për të nxitur mirëqenien e përbashkët duke vendosur objektiva ambiciozë globalë për të arritur Aksesin Universal Financiar (AUF) deri në vitin 2020.

Ndërsa ka pasur progres drejt përfshirjes globale financiare, ka ende sfida të rëndësishme përpara:

  • Rreth 2 miliardë të rritur në të gjithë botën nuk kanë një llogari bankare bazë, kryesisht sepse shërbimet financiare nuk janë ende të përballueshme ose të ndërtuara për t’iu përshtatur përdoruesit me të ardhura të ulëta. Barriera të tjera për hapjen e një llogarie përfshijnë distancën e largët nga një ofrues shërbimi financiar, mungesën e dokumenteve të nevojshme dhe mungesën e besimit ndaj ofruesve të shërbimeve Financiare.
  • Përveç individëve, sipërmarrje e vogla dhe të mesme shpesh kanë mungesë të financimit të përshtatshëm për të pasur sukses dhe për t’u rritur. Kjo shpesh për shkak të mungesës së kolateralit dhe historikut të kredisë, si dhe informalitetit të biznesit.
  • Disa grupe janë më të përjashtuara finaciarisht se të tjerët: gratë, të varfërit në zonat rurale, popullsia e zonave të largëta të vështira për t’u arrirë, si dhe firmat e vogla dhe të mesme informale,  janë grupet që ndikohen më shumë.

Sa të përfshirë financiarisht janë vendet e Ballkanit Perëndimor?

Në Ballkanin Perëndimor, përfshirja financiare mbetet e ulët krahasuar me standardet europiane. Sipas anketimit të Bankës Botërore “Indeksi i Përfshirjes Financiare”, i kryer në 2014, vetëm 6 nga 10 të rritur  kanë një llogari bankare në një institucion formal. Në Shqipëri, është më pak se 4 nga 10 të rritur (38 përqind). Shifrat janë edhe më të ulëta për të varfërit dhe gratë.

Pavarësisht nga sistemet bankare me shumë likuiditet, SME-të - shtylla kurrizore e ekonomive të Ballkanit Perëndimor - vazhdojnë të kenë akses të kufizuar në kredim, i cila shoqërohet me kosto të lartë dhe kushte të rrepta. Rreth 15 për qind e SME-ve në rajon e konsiderojnë aksesin në financim pengesën më të madhe në të bërit biznes (Anketimi i Sipërmarrjes 2013) krahasuar me rreth 7 përqind të sipërmarrjeve të mëdha. Për më tepër, rezultatet e anketimit tregojnë se më shumë se dy të tretat e investimeve në rajon u financuan nga fondet e brendshme. Në të njëjtën kohë, përqindja e investimeve të reja të financuara përmes bankave mbetet e ulët në një mesatare prej 15 për qind.

Për të përmirësuar përfshirjen financiare, nevojitet një game më e gjerë instrumentesh financimi që plotësojnë nevojat e ekonomive familjare dhe sipërmarrjeve. Përmirësimet në kreditim dhe raportim financiar do të ndihmojnë në zvogëlimin e parregullsive të informacionit. Forcimi i infrastrukturës së sektorit financiar si dhe kuadrit ligjor dhe rregullator për transaksionet e siguruara dhe paaftësinë paguese mund të mbështesin një zgjerim të kreditimit të segmenteve të shtresave më të varfra të popullsisë. Për më tepër, institucionet financiare duhet të nxiten që të zhvillojnë modele shpërndarjeje të përshtatura për karakteristikat e SME-ve.

Duhet gjithashtu të përmend se përparimet në teknologji mund të ndihmojnë shërbimet financiare të arrijnë individët me të ardhura të ulëta dhe kompanitë e vogla me kosto dhe rrezik më të ulët. Dixhitalizimi i pagesave me para në dorë ofron akses të përshtatshëm edhe në zonat më të largëta. Përparimet në teknologji gjithashtu sjellin edhe ofruesit jotradicionalë të shërbimeve financiare siç janë firmat e reja të huadhënies së drejpërdrejtë, si Lending Tree apo institucione jofinanciare, si faqet e tregtisë elektronike eBay apo Amazon, të cilat ngrenë degë financimi.

Lidhja e përfshirjes financiare me stabilitetin financiar

Ju fola për përfshirjen Financiare, por si lidhet kjo me objektivin e Bankës Qendrore për stabilitet financiar? Një sistem financiar gjithëpërfshirës që mbrrin tek të gjithë qytetarët, siguron një bazë më të qëndrueshme dhe të diversifikuar të depozitave me pakicë dhe si përfundim ushtron një ndikim pozitiv në stabilitetin financiar. Por nga ana tjetër, një kreditim dhe mbështetje më bujare se ç’duhet, mund të çojnë në kriza financiare.

Gjatë hartimit dhe zbatimit të politikave të sektorit financiar, politikëbërësit dhe rregullatorët, duhet të gjejnë ekuilibrin e duhur që të nxisin sinergjitë dhe të shmangin kompromiset midis stabilitetit financiar dhe objektivave të përfshirjes.

Vendet që kanë arritur progresin më të madh drejt përfshirjes financiare duke ruajtur stabilitetin financiar, kanë krijuar një mjedis rregullator dhe të politikave që nxit konkurrencën (që lejon bankat dhe jobankat), inovacionin dhe zgjeron aksesin në shërbimet financiare. Sidoqoftë, krijimi i kësaj hapësire inovative dhe konkurruese duhet të shoqërohet me masa dhe rregulla të përshtatshme për mbrojtjen e konsumatorit për të siguruar ofrimin e përgjegjshëm të shërbimeve financiare me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar.

Një botim i fundit i Bankës Botërore (Risqet dhe Kthimet: Menaxhimi i Kompromiseve Financare për Rritje Gjithëpërfshirëse në Europën dhe Azinë Qendrore) studion ekuilibrin e duhur mes dimensioneve të ndryshme të zhvillimit financiar (stabilitetit, efikasitetit, përfshirjes dhe shtrirjes). Duke marrë paraysh kompromiset mes përdorimit të kredisë për individët dhe stabilitetit financiar, si dhe sinergjisë midis kursimeve dhe stabilitetit më të lartë të kompanive, studimi u rekomandon vendeve të rajonit të pakësojnë pengesat për kursimet për kompanitë, duke monitoruar nga afër rritjen e kredisë për individët.

Bashkëpunimi i Bankës Botërore me Bankën e Shqipërisë

Nga këndvështrimi i Bankës Botërore, jam krenare të them se kemi pasur bashkëpunimi në vite me Bankën e Shqipërisë, bashkëpunim që është fokusuar në zhvillimin e balancuar të sektorit financiar që përmbledh stabilitetin, efikasitetin dhe përfshirjen financiare.

Banka e Shqipërisë ka treguar lidership të fortë në avancimin e reformave në fusha të ndryshme të përfshirjes financiare. Për shembull ne kemi qenë partnerë në forcimin e regjimit rregullator, mbikëqyrës dhe të zgjidhjes (resolution regime) për Shoqatat e kursim-kreditit, të cilat u ofrojnë shërbime financiare grupeve të pashërbyera të popullsisë, kryesisht në zonat rurale. Kjo ka çuar në një sektor më të shëndetshëm dhe të konsoliduar. Banka Botërore, gjithashtu, ka mbështetur aktivisht Qeverinë për reformën e regjistrimit të tokës dhe pasurive, një kontribut i rëndësishëm ky për të shtrirë përfshirjen financiare dhe stabilitetin, por njëkohësisht vital për tërheqjen e investimeve.

Ne kemi mbështetur gjithashtu përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për forcimin e kuadrit ligjor dhe rregullator  për sistemet e pagesave dhe remitancat. Remitancat janë shpesh pika e hyrjes në sektorin financiar për dërguesin dhe marrësin e tyre. Ato janë të rëndësishme për Shqipërinë, përbëjnë 8.84 përqind të PBB-së, por dërgesa e tyre në Shqipëri është e kushtueshme. Për çdo 100 Euro të dërguara si remitanca, kostoja është 8.47 Euro. Programi i Pagesave dhe Remitancave, mbështetur bujarisht nga SECO, synon të rrisë efikasitetin e pagesave.

Kosto më të ulëta do të thotë më shumë para për përfituesit. Duke lidhur remitancat me llogaritë e transaksionit, ky mund të jetë një gur themeli për të pasur akses në produkte të tjera financiare. Programi gjithashtu do të ndihmojë të rritet hapësira konkurruese për ofrues inovative të shërbimit të pagesave, për të rritur transparencën dhe për të nxitur mbrojtjen e konsumatorit. Banka Botërore është shumë e kënaqur të mbështesë këto përpjekje.

Vitet e fundit, Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore kanë punuar ngushtësisht edhe në çështje të tjera të rëndësishme të sektorit financiar me synim forcimin e stabilitetit dhe efikasitetit financiar. Për shembull aprovimi dhe zbatimi i një kuadri zgjidhës për sistemin bankar është kyçi i forcimit të mëtejshëm të rrjetit mbrojtës financiar në Shqipëri. Dëshiroj të përmend përpjekjet që synojnë zhvillimin e kuadrit të ristrukturimit të borxheve të korporatave në mënyrë vullnetare për zgjidhjen e kredive të këqija dhe zhvillimin e tregut të obligacioneve të qeverisë, nisma që kemi mbështetur.

Do doja të falenderoja Bankën e Shqipërisë për bashkëpunimin e shkëlqyer. Shpresojmë të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ju dhe aktorë të tjerë të sektorit financiar në vend, në të mirë të reformave aktuale në sektorin financiar lidhur me përfshirjen, stabilitetin dhe efikasitetin financiar.

Faleminderit!

 

Api
Api