Fjalime dhe tekstet e fjalimeve

Fjala e Ellen Goldstein, Drejtore e Bankës Botërore për Evropën Juglindore Në Konferencën: Shqipëria e Gjeneratës Tjetër: Në kërkim të një modeli të ri për rritjen ekonomike

29 gusht 2013

Ellen Goldstein Në Konferencën: Shqipëria e Gjeneratës Tjetër: Në kërkim të një modeli të ri për rritjen ekonomike Tiranë, Shqipëria

Siç përgatitet për t’u mbajtur

Unë kam ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1993 si pjesë e ekipit të parë të Bankës Botërore për të vlerësuar ekonominë në kohën kur vendi po dilte nga dekada izolimi politik. Në atë kohë, kolegët e mi në Tiranë do të zgjoheshin rregullisht në mes të natës për të gatuar dhe për të shfrytëzuar ato një apo dy orë energji furnizim në ditë. Dhe unë mbaj mend të ftohtin në Hotel Tirana ku pothuajse nuk kishte ngrohje apo ushqim. Para dy javësh, ende me pushime, unë kalova me makinë kufirin nga Greqi në Shqipëri. Diku në mes të Korçës dhe Pogradecit, në një pjesë mjaft të largët të vendit, unë ndalova për të pyetur një punëtor në një stacion karburanti për rrugën. Megjithëse kisha dyshime, e pyeta të riun për një hartë. Ai më pa i hutuar duke u përpjekur të kuptonte anglishten time, dhe shpresat e mia u shuan. Pastaj sytë e tij u zgjeruan dhe ai më pyeti me hezitim “Google Map?” Kur unë thashë po, ai më tregoi kafenenë ngjitur, hapi krahët dhe tha triumfues “Internet falas!” Kjo ishte një kujtesë e papritur e mënyrës se si kanë ndryshuar kohët dhe si Shqipëria është transformuar nga një vend me të ardhura të ulëta në një vend me të ardhura të mesme në njëzet vitet e fundit. Në këtë periudhë, të ardhurat për frymë janë rritur nga rreth 500 në 4000 dollarë, dhe varfëria absolute ka rënë nga përafërsisht gjysma e popullsisë në rreth 12 përqind sot. Në nuk mund të harrojmë këtë tranzicion të madh ndërkohë që përballemi me sfidat e sotme.

Sot, duke qenë një ekonomi shumë më e hapur dhe e ndërlidhur, Shqipëria duket pak si shumë si pjesa tjetër e Evropës: rritje e dobët, rimëkëmbje anemike, papunësi e lartë, sektor i brishtë financiar dhe pozicion fiskal i tejhapur. Dhe disa mund të thonë që Shqipëria rrezikon të bjerë në “kurthin e të ardhurave të mesme”: ende shumë e varfër për të qenë një novator dhe ofrues shërbimesh I klasit botëror, por tepër e pasur për prodhim me kosto të ulët. Këto janë disa nga sfidat me të cilat do të përballet qeveria e ardhshme. Unë do të doja të falenderoja Kryeministrin e zgjedhur, z. Edi Rama, për këtë mundësi për të kontribuar në identifikimin e hershëm të strategjive për mënyrën se si të trajtohen këto sfida. Unë do të doja të sugjeroja katër fusha prioritare ku qeveria mund të ndërmarrë veprime specifike në gjashtë deri dymbëdhjetë muajt e ardhshëm: i) Parandalimi i krizave; ii) Krijimi i vendeve të punës; iii) Ofrimi i shërbimeve; dhe, iv) Mbrojtja e pasurive natyrore.

Parandalimi i krizave.  Garantimi që gjërat e këqija nuk ndodhin është gjithnjë puna numër një për çdo qeveri.  Dy fusha do të kërkojnë angazhim në këtë aspekt. E para është një sektor energjetik me mjaft probleme, ku kërkesa e tejkalon ofertën e brendshme, investimet janë të papërfillshme, humbjet e shpërndarjes nga përdorimi i paligjshëm janë tronditëse, tarifat nuk arrijnë të mbulojnë kostot, niveli i arkëtimit është i ulët, pagesat e prapambetura publike janë të larta dhe institucionet kyç nuk kanë aftësi paguese. Kjo gjendje nuk mund të vazhdojë – dhe qeveria ka nevojë të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të siguruar furnizimin e duhur për dimrin që vjen dhe të shmangë përkeqësimin e detyrimeve fiskale në sektor. Një shqetësim më i vogël, por real është sektori financiar, ku tashmë janë ndërmarrë veprime të lavdërueshme për të shmangur ndikimin më të keq të krizës globale. Me të vërtetë, bankat janë mjaftueshmërisht të kapitalizuara dhe kuadri rregullator është më masën e duhur, por një rritje e shpejtë në kreditë e këqija nga 5 përqind në vitin 2007 në 25 përqind duhet të përmbyset. Kjo, së bashku me huamarrjen e lartë nga sektori publik, e ka frenuar kreditimin e ekonomisë që nga viti i fundit. Rekomandime afatshkurtra specifike për të parandaluar krizat janë të disponueshme për tu diskutuar.

Përveç parandalimit të gjërave të këqija, qeveria mund të fillojë të mundësojë dhe gjërat e mira. Përsa i përket Krijimit të Vendeve të Punës, qeveria mund të ndërmarrë veprime për të përmirësuar konkurrueshmërinë dhe klimën e investimeve. Në bazë të shumë këndvështrimeve, reforma në këtë fushë ka mbetur mbrapa – dhe për këtë flasin defiçiti i vazhdueshëm i madh i llogarisë korente dhe niveli i ulët i investimeve të huaja. Ndër përparësitë kryesore janë regjistrimi i pronave, dhënia e lejeve të ndërtimit dhe zbatimi i kontratave. Megjithatë, kufizimi më i madh në afat të gjatë nuk e ka prirjen të pasqyrohet në vlerësimin e konkurrueshmërisë dhe klimës së biznesit: pavarësisht nga përpjekjet për të përmirësuar cilësinë e arsimimit, gjysma e rinisë së Shqipërisë janë analfabetë funksionalë në testimin standard – dhe asgjë nuk mund të kompensojë kapitalin e çmuar njerëzor.

Më lejoni të kaloj tek fusha e tretë që unë sugjeroj: Ofrimi i Shërbimeve.  Me këtë unë po flas për të ardhura, shpenzime dhe masa strukturore të cilat do të mund të krijonin hapësirën fiskale dhe stimujt që nevojiten për të ofruar shërbime më të shumta dhe më të mira publike për shqiptarët.  Borxhi publik është mjaft i lartë – dhe qeveria shpenzon më shumë për të paguar interesat se sa për arsimin, për shembull. Ndërkohë që mosha e popullatës rritet, sistemi i pensioneve bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm, ndërkohë që mbrojtja sociale shpesh nuk arrin tek të varfrit dhe personat me aftësi të kufizuar. Janë propozuar shumë reforma specifike, por ndoshta ajo që është më e rëndësishme është të forcohet besimi i publikut tek institucionet më në përgjithësi. Perceptimet e njerëzve mbi transparencën dhe përgjegjshmërinë në institucionet publike do të përcaktojë përgjithësisht se sa mund të arrijë një qeveri në kohë. Unë do të drejtojë një lutje për të ngritur mekanizma për përgjegjshmërinë sociale me qëllim që të kërkohet përgjegjësia e qeverisë ndaj elektoratit për ofrimin e shërbimeve me cilësi të lartë.

Së fundmi, pika ime e katërt është një themel për zhvillimin afatgjatë: Mbrojtja e Pasurive Natyrore.  Kjo është një çështje me rëndësi në rritje, por edhe me një kompleksitet në rritje. Shqipëria ka një trashëgimi me zona të nxehta mjedisore si dhe mungesa të vazhdueshme në menaxhimin e mbetjeve urbane, industriale dhe të rrezikshme, të cilat e venë në rrezik shëndetin dhe mirëqenien kombëtare. Unë jam inkurajuar shumë nga një vizitë e kohëve të fundit në Porto Romano, një nga këto zona të nxehta, ku Banka Botërore ka mbështetur një pastrim që sot i mundëson një kopshti dhe një parku komunal të lulëzojnë në një mjedis dikur helmues. Por vetëm një e katërta e zonave të nxehta të Shqipërisë kanë plane pastrimi. Pastrimi dhe menaxhimi i mbetjeve duhet të plotësohet me një menaxhim uji i klasit botëror për të nënvizuar dy nga shtytësit kryesorë të rritjes së Shqipërisë: energjia hidrike dhe prodhimi bujqësor. Kjo sfidë ndërlikohet nga ndryshimet klimatike dhe shpeshtësia në rritje e fenomeneve ekstreme të motit. Kjo gjithashtu përkeqëson nevojën për përgatitjen në rast fatkeqësish në një vend i cili konsiderohet të jetë në dhjetë vendet e para në rrezik ekonomik nga rreziqe të shumëfishta natyrore. Dhe bregdeti shqiptar – ku unë çova familjen këtë vit me pushime – është thjesht i mahnitshëm. Ai është një pasuri kombëtare që duhet të mbrohet nga degradimi dhe mbindërtimi për të realizuar plotësisht potencialin turistik të Shqipërisë dhe si një burim i lumturisë kombëtare. Dhe çfarë qëllimi më të mirë mund të ketë për një qeveri të re se sa lumturi kombëtare?

Kështu, në një shumëllojshmëri problemesh, unë sugjeroj një përqendrim në katër fusha të gjera: i) parandalimi i krizave në sektorët e energjisë dhe financës; ii) krijimi i vendeve të punës nëpërmjet përmirësimit të klimës së biznesit dhe bazës së aftësive; iii) përmirësimi i ofrimit të shërbimeve nëpërmjet reformave fiskale, të shpenzimeve dhe strukturore; dhe iv) mbrojtja e pasurive natyrore duke trajtuar problemet e trashëguara mjedisore dhe duke zbatuar politika për mbrojtjen e të ardhmes.  Zgjidhje specifike në secilën nga këto fusha janë gati për veprim.

 

 



Api
Api

Welcome