NJOFTIME PËR SHTYP 2018-09-05

Lidhjet përtej tregtisë janë vendimtare për rritjen ekonomike në Evropë dhe Azi Qendrore, thotë Banka Botërore

UASHINGTON, 5 shtator 2018 - Lidhshmëria ndërkombëtare përmes tregtisë, investimit, migrimit, komunikimit dhe transportit është kritike për zhvillimin ekonomik në Evropë dhe Azi Qendrore. Këto lidhje punojnë së bashku për të ndihmuar kompanitë që të bëhen më produktive përmes transferimit të njohurive dhe teknologjisë, thotë raporti i ri i Bankës Botërore Lidhjet kritike: Promovimi i rritjes dhe rimëkëmbëshmërisë ekonomike në Evropë dhe Azi Qendrore. Raporti analizon ndikimin në rritje që kanë llojet e ndryshme të lidhshmërisë, për të ndihmuar politikëbërësit që të maksimizojnë përfitimet ekonomike të këtyre lidhjeve në mbarë Evropën dhe Azinë Qendrore.

“Ky raport tregon se lidhshmëria më e madhe ekonomike çon në përhapjen e njohurive dhe rritjen më të madhe të të ardhurave për shoqëritë, por edhe më shumë për 40 përqindëshin që janë në pjesën e poshtme të shpërndarjes së të ardhurave”, thotë Hans Timmer, kryeekonomist i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore.

Raporti i ri i Bankës Botërore mat lidhshmërinë duke krijuar një tregues të ri, indeksin e Lidhshmërisë Shumëdimensionale (MDC), që kombinon disa kanale të lidhjeve ndërkombëtare, duke përfshirë: tregtinë, IHD, migrimin, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK) dhe lidhjet e transportit. Sipas raportit, nën-rajonet që janë të lidhura më së miri në Evropë dhe Azi Qendrore janë Evropa Perëndimore, dhe më pas Evropa Veriore, Qendrore dhe Jugore. Ballkani Perëndimor, Azia Qendrore dhe Kaukazi i Jugut kanë nivelet më të ulëta të lidhshmërisë në përgjithësi.

Raporti gjithashtu tregon se përfitimet e këtyre lidhjeve ndërtojnë njëra mbi tjetrën, duke shquar përfitimet që u ofrohen vendeve nëpërmjet transferimeve të njohurive të nënkuptuara në zinxhirët e furnizimit rajonal dhe njohuritë pasuese të dorës së parë “të mësuara duke bërë”, që nuk transmetohen lehtësisht nga librat ose planet skematike.

Në Evropë, shumë politika kanë mbështetur format e ndryshme të lidhshmërisë që çuan në zhvillimin e zinxhirëve të fuqishëm të furnizimit dhe hapën dyert për produktivitet dhe rritje më të madhe. Në Azinë Qendrore, ndërkohë që lidhshmëria mbetet modeste, investimet dhe politikat për përmirësimin e tregtisë, infrastrukturës dhe integrimit janë duke çuar në rritjen e lidhjeve në të gjithë rajonin dhe më gjerë.

Indeksi MDC sugjeron që lidhshmëria kontribuon me gati gjysmë përqindje në rritjen vjetore të PBB-së reale në Evropë dhe Azi Qendrore, ku dyzet përqindëshi nga pjesa e poshtme e fituesve të të ardhurave kanë shënuar rritje prej rreth 1 për qind.

“Rritja e integrimit ndërkombëtar lehtëson transferimin e teknologjisë dhe ideve midis vendeve, kompanive dhe njerëzve - gjë që është thelbësore për t’i dhënë hov rritjes afatgjatë dhe prosperitetit të përbashkët", thotë David Gould, ekonomist kryesor i Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore dhe autor kryesor i raportit. “Për më tepër, ashtu si rrjetet shoqërore, lidhja me vendet e lidhura mirë sjell më shumë njohuri dhe teknologji sesa të lidhjet me partnerët e izoluar”. 

Raporti konstaton se lidhshmëria e rritur gjithashtu i ekspozon vendet në rajon ndaj riskut të tronditjeve ekonomike. Megjithatë, me ofrimin e burimeve alternative të kërkesës dhe financimit të jashtëm, lidhjet e larmishme mund t’i zvogëlojnë këto risqe dhe t’i ndihmojnë vendet që të menaxhojnë tronditjet e brendshme dhe të jashtme.

Raporti thekson se shumë vende në rajon kanë ndërtuar lidhshmëri më të madhe, duke avancuar zhvillimin ekonomik gjatë njëzet e pesë viteve të fundit. Sidoqoftë, përfitimet ekonomike të lidhshmërisë përmes transferimit të njohurive dhe teknologjisë nuk janë gjithmonë të dukshme, ndërkohë që sfidat e pasigurisë ekonomike zakonisht janë të dukshme. Duke i njohur sfidat, si dhe duke i bërë të qarta mundësitë potenciale të lidhshmërisë më të madhe përmes kanaleve të ndryshme, raporti Lidhjet kritike mund t’i ndihmojë politikëbërësit në ndërtimin e themeleve për thellimin e lidhjeve të rëndësishme në dekadat vijuese.


DEKLARATA PËR SHTYP NR: 2019/ECA/9

Kontakt

Uashington
John Mackedon
jmackedon@worldbank.org
Bruksel
Oliver Joy
ojoy@worldbank.org
Api
Api