NJOFTIME PËR SHTYP

Rritje modeste në Europë dhe Azinë Qendrore në mes të polarizimit në ngritje, shprehet raporti i Bankës Botërore

22 nëntor 2016


BUKURESHT, 22 nëntor 2016 – Në vitin 2016, do të ketë një rritje modeste të PBB-së për vendet e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore (EAQ). Çmimet e ulëta të naftës dhe mallrave të tjera në gjysmën lindore të rajonit, ulja e ritmeve të investimeve në Bashkimin Evropian dhe vështirësitë strukturore në vazhdim në të gjitha vendet, po pengojnë rritjen në rajon dhe po kontribuojnë për një ngritje të populizmit dhe polarizimit, shprehet Raporti i fundit i përditësuar ekonomik i Bankës Botërore për rajonin e EAQ.

Sipas raportit, prezantuar sot në Bukuresht, Rumani, rajoni pritet të shënojë një rritje modeste prej 1,6 përqindësh për vitin 2016 – me një rritje të lehtë nga 1,4 për qind që ishte në vitin 2015 – por rënia e të ardhurave dhe konsumit, me gjasë, do ta zbehin këtë rritje modeste. Kjo prirje parashikohet të vazhdojë në vitin 2017 dhe 2018, gjatë të cilëve pritet një rritje, respektivisht, prej 1,5 për qind dhe 1,8 për qind.

Rritja ekonomike parashikohet të mbetet pozitive në Europën Lindore dhe Azinë Qendror, me një rritje të PBB-së prej 0,7 për qind në vitin 2016, 2,3 për qind në vitin 2017 dhe 2,6 në vitin 2018. Ndërkohë, në Bashkimin Europian dhe Ballkanin Perëndimor, rritja parashikohet të bjerë nga 1,8 për qind për vitin 2016, në 1,4 për qind për vitin 2017, përpara sesa të ngrihet sërish në 1,7 për qind në vitin 2018.

“Vota për Brexit-in dhe kriza e refugjatëve po vënë në provë bashkëpunimin europian, ndërkohë që gjysma lindore e rajonit ende po përpiqet të përshtatet me çmimet e ulura të naftës”, shprehet Hans Timmer, Kryeekonomisti i Bankës Botërore për EAQ-në. "Mosarritja në të gjithë rajonin për të çliruar burime të reja zhvillimi po kontribuon për një rritje të populizmit dhe polarizimit, si dhe në mosbesimin tek institucionet”.

Sondazhet nga raporti tregojnë se shqetësimet lidhur me peizazhin ekonomik në ndryshim dhe, veçanërisht, mungesa e sigurisë së punës po ushqejnë një rritje të polarizimit politik në vendet e EAQ-së.  Rritja e shpejtë e punës së përkohshme dhe me kohë të pjesshme, si dhe ndryshimet në kërkesat për kualifikime, të nxitura nga teknologjitë e reja digjitale, po shtojnë shqetësimet te qytetarët e rajonit dhe po e zhvendosin mbështetjen nga qendra e spektrit politik.

Në mungesë të reflektimeve të forta me politika, vështirësitë strukturore në vazhdim, të cilat pengojnë ekonomitë në rajon, kërcënojnë të cenojnë rritjen dhe uljen e varfërisë në një periudhë afatgjatë. Për t’u përballur me këto sfida, qeverive dhe shoqërive iu duhet të ofrojnë perspektiva të reja në një epokë të re ekonomike, pa u kthyer te zgjidhjet që kanë funksionuar në të kaluarën në rrethana mjaft të ndryshme.

“Rritja modeste që po shohim është një hap në drejtimin e duhur, por i pamjaftueshëm për të lehtësuar shqetësimet e njerëzve të rajonit për perspektivën e tyre ekonomike”, thotë Cyril Muller, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për rajonin e EAQ-së. “Qeveritë mund të veprojnë tani për të dhënë ndihmën e tyre. Për shembull, ato mund të inkurajojnë të mësuarit gjatë gjithë jetës, për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve që të gjejnë e mbajnë vendet e punës. Po ashtu, ato mund të ofrojnë kujdes për fëmijët dhe të moshuarit, me qëllim që të lehtësojnë zgjedhje me elastike punësimi. Këto veprime mund të sigurojnë barazi në mundësi dhe të nxisin rritjen e përgjithshme ekonomike”.

Të tjera alternativa politike përfshijnë mbështetje për firmat që të shfrytëzojnë mundësi të reja eksporti të ofruara nga një mjedis më i mirë për prodhuesit, duke ulur koston dhe kohën e nevojshme për ngritjen e bizneseve të reja dhe hyrjen në tregje të reja, si dhe uljen e kufizimeve të qarkullimit të krahut të punës në veprimtari të reja. Këto veprime duhet të sigurojnë, po ashtu, ofrimin ose vazhdimin e mbrojtjeve në punë dhe mbrojtjes sociale, për të parandaluar vuajtjet dhe gërryerjen e kohezionit social, sidomos për grupet në nevojë, vëren raporti.

Po kështu, raporti bën thirrje për përmirësimin e kërkimit dhe të dhënave mbi pabarazinë, përfshirë indikatorët e perceptimit që kanë njerëzit për ndryshimet e pabarazisë. Të dhëna të mëtejshme për lidhjen midis kërkesës për kualifikime dhe ndryshimeve të nivelit të kënaqësisë për jetën mund të ndihmojnë për të orientuar ndryshimet e nevojshme të politikave, për t’iu përshtatur ndryshimeve të rëndësishme ekonomike dhe uljes së ankthit politik e social.

Kontaktet e mediave
Në Uashington
Elena Karaban
tel : +1 (202) 473-9277
ekaraban@worldbank.org


DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2017/ECA/041

Api
Api


Welcome